haradinaj, apostolova, cefta, msa,kosova

Përplasje verbale mes Haradinajt e Apostolovës

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova dhe kreu i ekzekutivit Ramush Haradinaj janë përplasur në debatin organizuar nga Instituti EPIK në trevjetorin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Haradinaj tha se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Frederica Mogherini ka dëmtuar dialogun Kosovë-Serbi dhe ka shkaktuar traumë politike.

“Unë bëra kujdes mos me thënë cilat janë vështirësitë. Por një vështirësi e kemi nga komisionerja Mogherini sepse na ka shkaktuar trauma të mëdha politike, e ka devijuar dialogun”, u shpreh Haradinaj.

E këto komente të Haradinajt erdhën pasi Apostolova tha se taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe ka shkaktuar vështirësi në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA’së).

Sipas Apostolovës, taksa është shkelje e MSA-së dhe e bën Kosovën një vend më pak atraktiv për tregti.

“Përparimi është bërë në disa fusha dhe disa vendime janë marrë në kuadër të MSA-së, si industria e duhanit. Tarifa 100 për qind nuk është vetëm shkelje e CEFTA-s, por edhe kundër MSA-së. BE-ja është partner i Kosovës dhe këto barriera do të dobësojë rrugën konkurruese për ekonomi dhe e bënë një vend më pak atraktiv për tregti”, tha Apostolova.

Ndërkaq Apostolova i është drejtuar kryeministrit Haradinaj që të rishqyrtojë vendimin për taksën.

“Ne e kuptojmë taksën 100 për qind, mirëpo koha ka ardhur të shikohet se çfarë është më e rëndësishme për Kosovën. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit që ta rishqyrtojë edhe një herë taksën, të ketë fotografi më të gjerë, dhe të ketë finalizim sa më të shpejtë të dialogut”, ka përfunduar Apostolova.

Ajo foli edhe për liberalizim të vizave, duke porositur që qytetarët e Kosovës të mos zhgënjehen.

“BE-ja është zotuar se lëvizja e lirë do të jetë prioritet i dialogut. Kosova ka bërë progres në luftimin e korrupsionit. Vota e PE-së është dëshmi që keni përparuar. Procesi duhet të zhvillohet, dhe është në dorën e këshillit. Mos u zhgënjeni sepse nuk është duke u zhvilluar në shpejtësi, nuk bëhet automatikisht. E ndjejmë një lloj dhimbje, porosia ime është që të vazhdoni në këtë rrugë të drejtë, ruani këtë progres, jam e sigurt që do të ketë një fund të lumtur”, tha Apostolova.

Ndryshe, kjo ndodhi në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë ku me qëllim të shënimit të trevjetorit të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), Instituti EPIK organizoi tryezë për të prezantuar studimin për detyrimet dhe përfitimet e Kosovës në kuadër të MSA-së.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) hyri në fuqi më 1 prill 2016. MSA ka vulosur orientimin strategjik të Kosovës për t’u anëtarësuar në BE dhe ka krijuar kornizën formale dhe kontraktuale për të arritur këtë qëllim.

Rëndësia e MSA-së pasqyrohet më së miri në faktin që BE-ja dhe Kosova nuk do nënshkruajnë më asnjë marrëveshje deri në Traktatin e Anëtarësimit.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit

Ne aspektin politik, MSA ka vendosur kornizën ligjore të bashkëpunimit brenda së cilës Kosova duhet të përafrojë dhe zbatoj legjislacionin e BE-së.

Ndërsa në aspektin ekonomik, MSA-ja ka paraparë kalendarin kohor brenda së cilit do të bëhet liberalizimi i plotë i tregut ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Rëndësia e MSA-së pasqyrohet më së miri në faktin që BE-ja dhe Kosova nuk do nënshkruajnë më asnjë marrëveshje deri në Traktatin e Anëtarësimit.

MSA në 600 faqe, X tituj, 7 shtojca dhe 5 protokolle, rregullon pothuajse çdo aspekt të jetës së përditshme të qytetarëve. MSA është themel i procesit të integrimit evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.