Ballina / KRYESORE / Përplasen në burg shqiptarë, arab e pakistanezë, 2 të vdekur

Përplasen në burg shqiptarë, arab e pakistanezë, 2 të vdekur

Dy të burgosur mbetën të vrarë dhe 21 të tjerë u plagosën, pas një sherri në burgun e Koridallosë në pjesën perëndimore të Athinës. Lajmi u konfirmua nga Ministria greke e Drejtësisë, e cila njoftoi të dielën se konflikti lindi mes grupeve shqiptare, arabe dhe pakistaneze të të burgosurve.

Portali grek ‘Zougla.gr’ shkruan se gjithçka nisi kur të burgosurit po futeshin në qelitë e tyre. Shqiptarët dhe arabët sulmuan me thika artizanale grupin pakistanez, duke lënë të pajetë dy prej tyre. Nga 21 të plagosurit, dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, ndërsa të tjerët janë dërguar në spitalin “Tzaneios”.

Degradimi i situatës erdhi pas një konflikti midis bandave nga Shqipëria dhe Pakistani, në Krahun C të burgu, për arsye ende të panjohura. Situata për momentin është e qetë, ndërsa organet greke kanë nisur një hetim të gjerë rreth këtij incidenti.

Grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim të vazhdueshëm për trajtimin çnjerëzor të të burgosurve, por edhe për numrin e madh të tyre në burgun e Koridallosë. Amnesty International e ka përmendur atë shpesh, si një nga burgjet me kushtet më të këqinjtë në Europë.