Përgjimet në Maqedoni: Mercedesi dhe Gruevski

Mercedesi i shtrenjtë, i cili u diskutua në publikimin e bisedave të përgjuara mes ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska dhe kryeministrit Nikola Gruevski është shitur në vitin 2012.

Sipas bisedimeve të cilat opozita i publikoi, Gruevski dhe Jankullovska planifikojnë se si të gënjejnë publikun se Mercedesi është i policisë, e jo për Gruevskin personalisht, sepse ai nuk do të paraqitet para publikut me vetura të shtrenjta.

Në vitin 2012, kur mediet raportuan se, MPB bleu Mercedes me një çmim gati 600,000 euro, mediet maqedonase gjerësisht shkruajtën detaje për veturën. Në qershor 2012, “Utrinski Vesnik” shkruajti për prokurimin ku tregohet se kjo është vetura e tretë e blinduar e policisë.

Përveç Gruevskit, siç tregojnë përgjimet nga opozita, të cilat kryeministri thotë se janë të montuara, nga politikanët në Ballkan, i vetmi ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, i cili më vonë u gjykua për korrupsion, ka dashur një Mercedes të tillë. Ish-kryeministri kroat e bleu, por nën presion të rëndë nga publiku, Sanader hoqi dorë nga Mercedesi.