fbpx
kuvendi gazi lotsjelles
Nga arkivi

Përfundon seanca maratonike e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës ka përfunduar seancën maratonike, e cila edhe gjatë të hënës kaloi me shumë tensione të shkaktuara nga gazi lotsjellës i hedhur në sallë nga deputetët e partive opozitare.

Deputetët e pozitës nuk ia dolën ta sqarojnë deri në fund nëse Qeveria e Kosovës ka të drejtë për emërimin e pesë apo tetë anëtarëve për Bordin e AKP-së. Për shkak të paqartësive, por edhe për shkak të mungesës së kuorumit, deputetët vendosën ta ndërprejnë seancën, për ti vazhduar punimet e saj të enjten, kur në foltoren e Kuvendit do të dalë edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila do tu drejtohet të pranishmëve me fjalimin e saj vjetor.

Pa u diskutuar ka mbetur edhe deklarata politike e propozuar që të hartohet nga Hashim Thaçi, e cila pritej që ta dënonte atë që zëvendëskryeministri e ka quajtur “uzurpim të Kuvendit me dhunë nga një pjesë e opozitës”.

Gjatë kësaj seance, e cila filloi të hënën në orët e paraditës , deputetët pa prezencën e opozitës kanë miratuar Bugjetin e Kosovës për vitin 2016, dhe një varg projektligjesh e raportesh tjera me interes për shoqërinë.

Me të filluar seanca deputetët e opozitës kanë hedhur gazin lotsjellës, kështu që Kryeparlamentari u detyrua ta ndërprejë përkohësisht të njejtën.

Seanca ka vazhduar në një sallë tjetër, por pas pak edhe aty është hedhur gazi nga disa deputetë opozitarë që e gjetën mundësinë të futen brenda. Sido që të jetë ajo ka vaxhduar më pas për të vazhduar deri në mesnatë.

Gjatë gjithë kohës deputetët e opozitës dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë kanë qëndruar brenda objektit, ndërkohë që jashtë tij , kryesisht në sheshin qëndror të Prishtinës ka pasur përplasje mes forcave të policisë dhe protestuesve, ndër të cilët dominonin mbështetësit e partive opozitare AAK, Nisma e Vetëvendosje.

Janë raportuar djegie të veturave zyrtare por edhe arrestime.

Pas daljes nga objekti i Kuvendit , për shkak të dyshimit për hedhjen e gazit lotsjellës brenda institucionit, janë dërguar prapa grilave pesë deputetë të opozitës: Glauk Konjufca, Aida Durguti, Besa Baftiu, Faton Topalli dhe Fisnik Ismajli . Para tyre, prapa grilave ishin vënë edhe Time Kadrija dhe Pal Lekaj,e Teuta Haxhiu. Në paraburgim tash e sa kohë ndodhet edhe ish lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Opozitarët po kërkojnë anulimin e Marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin.

Diplomatët ndërkombëtarë dhe autoritetet e Kosovës nga koalicioni qeverisës LDK -PDK e grupet minoritare, kanë kritikuar ashpër përdorimin e dhunës në Kuvend, e sidomos hedhjen e gazit lotsjellës. I fundit në radhën e atyre që kritikuan përdorimin e gazit lotsjellës ishte edhe Sekretari i Shtetit Amerikan, John Kerry, pastaj liderët e BE-së por edhe diplomatët e ambasadave të shteteve perëndimore në Kosovë.

JA CKA U MIRATUA

Kështu, deputetët miratuan në shqyrtim të parë tri projektligje: Projektligjin për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në ngjarjet sportive, Projektligjin për siguri në punë në veprimtarinë minerare dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-115. Lidhur me këtë të fundit, Kuvendi votoi për shmangie nga rregullorja, duke i hapur rrugë shqyrtimit të tij në të dy leximet brenda ditës së sotme.
Në vazhdim, Kuvendi miratoi për herë të dytë nëntë projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale: Projektligjin për treguesit gjeografikë dhe për emërtimet e origjinës, Projektligjin për dizajnin industrial, Projektligjin për themelimin e Fondit kosovar për garanci kreditore, Projektligjin për provimin e maturës shtetërore, Projektligjin për rregullimin e shërbimeve të ujit, Projektligjin për Energjinë Termike, Projektligjin për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048, për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i ndryshuar dhe i plotësuar me ligjet nr. 03/L-221, nr. 04/L-116 dhe nr. 04/L-194, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-042 për prokurimin publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-237. Kuvendi nuk miratoi, ndërkaq, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, kurse ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, u tërhoq nga qeveria.
Nga kjo seancë qeveria tërhoqi edhe shqyrtimin e propozim-vendimit të saj për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Në vazhdim të mbledhjes, deputetët e Kuvendit miratuan dy propozim-vendime të tjera të qeverisë: atë për emërimin anëtarëve në Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë – ZRRE dhe propozim-vendimin për emërimin anëtarëve në Bordin e Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare – ARKEP.
U miratua, gjithashtu, edhe raporti i Komisionit për Integrime Evropiane për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-218 për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, si dhe u formua Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të ankesave në Komisionin e Pavarur për Media. Kuvendi përkrahu edhe propozimin e GP të PDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin parlamentar.

 

/infoglobi/s

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.