PDK apelon: Drejtësia të mbështetet në fakte

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ndaj aktvendimeve të shpallura dje, ndaj 12 personave të akuzuar në kuadër të procesit gjygjësor ‘Drenica 1’ dhe ‘Drenica 2’ ..

“Me besimin e plotë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, çdoherë kemi përkrahur çdo proces gjyqësor që ka trajtuar bashkëluftëtarët tanë, të bindur se pafajësia e tyre nuk mund të ndryshohet.Kjo bindje e jona u vërtetua në proceset gjyqësore të zhvilluara në Hagë dhe Kosovë, në të cilat çdo herë u vërtetua bindja e jonë se lufta e UÇK-së dhe ushtarët e saj, kanë qenë të udhëhequr nga ndjenja e barazisë dhe lirisë” thonë në PDK.

Sipas këtij subjekti politik “kemi qenë të bindur gjithmonë se gjyqet do të udhëhiqen nga faktet dhe dëshmitë e vërtetuara dhe nuk do te ndikohen nga dëshmitë e fabrikuara me motive armiqësore, personale apo politike ndaj UÇK-së apo të dyshuarve. Aktvendimet e shpallura dje, ndaj “Grupit të Drenicës”, për opinionin kosovar janë të papritura, shqetësuese dhe të dëmshme për Kosovën.
Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, drejtësia duhet të udhëhiqet nga faktet dhe dëshmitë kredibile”.

Këtë e presim edhe në trajtimin deri në fund të procesit ndaj “Grupit të Drenicës”, por edhe në çfarëdo procesi dhe në çfarëdo gjykate në të ardhmen”, thekson PDK.