Pasojnë reagimet pas testit për COVID-19 që kushtoi 200 euro

Shefi i deputetëve të LDK’së, Arben Gashi, ka reaguar ashpër pasi që Ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga bashkëpartiaku i tij, Armend Zemaj, aktualisht i ka hapur rrugë vetëm një laboratori privat për kryerjen e testimeve PCR për COVID-19.

Gashi ka thënë se MSH duhet urgjentisht të largojë monopolin në tregun për testimet e PCR dhe që të mos lejojë vetëm operimin e vetëm një kompanie.

“Ministria e Shëndetësisë duhet urgjentisht ta liberalizoj tregun për testet PCR për Sars-CoV-2 dhe të mos lejoj kundërligjshëm operimin e një kompanie të vetme në treg për këto teste!”, ka shkruar Gashi në profilin e tij zyrtar.

MSH kishte licencuar vetëm dy laboratorë për kryerjen e testeve PCR për COVID-19. Megjithatë laboratorit të UBT’së i është hequr licenca, dhe tashmë vetëm laboratori MLS është duke kryer analizat e llojit PCR.

Ndryshe ndaj çmimeve të larta të testit të shpejt ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se Ministria e Shëndetësisë do të duhej të merrej edhe me punën e rregullimit të çmimeve në momentin kur ka vendosur për licencimin e laboratorëve për kryerjen e testeve për COVID-19.

Ai gjithashtu thotë se ish-Qeveria Kurti dhe qeveria aktuale duhet të japin përgjegjësi se pse nuk janë kryer më shumë teste, meqë sipas tij nëse do të shfrytëzoheshin kapacitetet e plota në IKSHP, s’do të kishte nevojë për licencim të laboratorëve private.

Postimi i plotë i Haxhiut :

200 Euro testi RT-PCR, a jeni normal?!

Këtë çmim e ka paguar një qytetar i Kosovës për një test RT-PCR në laboratorin “Medical & Laboratory Services”, i cili është në pronësi të vajzës së Blerim Devollit, që u licencua nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë kur ka licencuar laboratoret private është dashur të marrë përsipër edhe rregullimin e çmimeve.

Gjithashtu duhet të jepet përgjegjësi përse që nga fillimi i pandemisë nuk janë shfrytëzuar kapacitetet e IKSHPK-së për më shumë teste.

Ne jemi dëshmitarë se në disa raste brenda 24 orëve janë bërë më shumë se 500 teste.
Përse nuk janë bërë më shumë teste në institucionet publike duhet të përgjigjen të dy Qeveritë Hoti e Kurti.

Sikur të shfrytëzoheshin të gjitha kapacitetet e laboratorëve në sistemin publik shëndetësor, nuk do të kishte fare nevojë që qytetarët të bënin teste në laboratorët privat, ka shkruar në postimin e tij në Facebook Haxhiu.

Ndryshe dje e sot mediat kanë raportuar se laboratori ku testimi molekular apo CPR për COVID-19 ka kushtuar 200 euro është në pronësi të familjes së Devollit, e që aksionar është edhe Jeton Shala, baxhanaku i Besnik Mustafës, djalit të Isa Mustafës, dhe njëherësh ka qenë edhe në krye të Agjencisë Kosovare për Produkte Mjekësore gjatë vitit 2015, kur në qeverisje ishte Isa Mustafa.

Ndaj çmimit 200 euro për testin PCR ka reaguar edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. Derisa nuk kanë treguar nëse një çmim i tillë përbën shkelje, kryetari i këtij institucioni, Valon Presteshi, ka thënë se nëse laboratori ka deklaruar në AKK një çmim tjetër, ai rrezikon të mbyllet.

E zbatim të ligjit ka kërkuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke thënë se nuk do të lejohet përdorimi i situatës për përfitime jashtë normës së ekonomisë së tregut.

“Situata e pandemisë nuk guxon të përdoret për përfitime jashtë normave të ekonomisë së tregut. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është në krye të detyrës dhe do të zbatoje ligjin shpejt dhe me efikasitet të plotë ndaj të gjithëve pa përjashtim. Raportoni rastet”, ka thënë Hoti.

LEXO EDHE:

MSH: Ja si u licencuan laboratoret për testimin e SARS COV-2

Çmimet e testeve të shpejta që prodhojnë rezultatet brenda 10-45 minutash ndryshojnë nga shteti në shtet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.