Pas reagimeve të shumta Reka sqarohet për deklaratën për “Serbinë e qasjen në det”

Reka sqarohet për deklaratën e tij për t’i lejuar Serbisë qasje në det. Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka reaguar ndaj PDK-së dhe AAK-së të cilët kërkuan dorëheqjen e tij pas deklaratës që “Serbisë t’i lejohet kalimi transit nëpër autostradën e Kosovës në detin Adriatik”.

Ai ka thënë se “është e pandershme që ata të cilët nuk e kërkuan dorëheqjen e presidentit aktual teksa negocionte për zgjidhje territoriale me shkëmbime sekrete, të kërkojnë tash dorëheqjen time”.

Reka përmes një postimi në Facebook ka thënë deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti. Ai thotë se një gjë e tillë i është lejuar deri tash Serbisë dhe është ngritur si ide edhe në kuadër të Procesit të Berlinit nga viti 2014.

“Këto ditë pati kritika nga opozita në lidhje me një fjali timen në intervistën televizive në emisionin ‘Jeta në Kosovë’. Ishte e nxjerrë nga konteksti dhe vetëm pjesa e dytë e përgjigjes në pyetjen: ‘A do t’i kërkohet Kosovës me marrëveshjen e Uashingtonit, t’i japim territor Serbisë’? Pas përgjigjes sime se nuk mund të përgjigjem në pyetje hipotetike, por assesi askush nuk guxon të jap territor për ulësen në OKB, sepse integriteti territorial është i panegociueshëm; në insistimin e gazetares se çka atëherë mund të japim për atë ulëse në OKB, thashë ndoshta si ide eventuale që t’i lejojmë Serbisë kalimin transit nëpër autostradën tonë për detin Adriatik. Pra, diçka që edhe deri tash i është lejuar Serbisë dhe që është ngritur si ide edhe në kuadër të Procesit të Berlinit që nga viti 2014”, ka thënë Reka.

Sipas tij, ky nuk është vendim, as qëndrim i qeverisë, por një mendim i tij personal dhënë në pyetjen konkrete për një çështje konkrete.

“Natyrisht, unë mbroj qëndrimin e kryeministrit Kurti për reciprocitet me Serbinë si parim i marrëdhënieve dhe marrëveshjeve tona të ardhshme. Gjithçka tjetër vjen në shprehje vetëm më vonë, vetëm më pas”, ka përfunduar Reka.

Gjatë ditës së djeshme kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Reka duhet të jap dorëheqje para se t’i kërkohet ajo.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se ofertimi i heqjes së taksës 100% nga Qeveria Kurti pa kontratën finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, po prodhon pasojat e para.

“Ministri i Integrimeve Europiane Z. Reka paska propozuar kompromisin me Serbinë e që është dhënia e korridorit të tranzitit për në Adriatik apo kthimi i Kosovës në Serbi dhe hapja e rrugës që Serbia të futet edhe në Shqipëri. Kjo ofertë e dytë shkatërruese i mundëson Serbisë që të futet në Shqiptari dhe të realizojë ëndrrën e tyre shekullore për të pushtuar tokat e arbërit”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka thënë se Reka duhet menjëherë të japë dorëheqje, para se t’i kërkohet ajo

Ai ka thënë se “kjo ofertë e shkatërruese i mundëson Serbisë që të futet në shqiptari dhe të realizojë ëndrrën e tyre shekullore për të pushtuar tokat e arbërit”.

Ndërkaq edhe PDK  përmes një konference ka kërkuar dorëheqjen e Rekës.

“Ministri i Qeverisë Kurti, Blerim Reka këto ditë gjeti guximin që të hapë një tezë anakronike siç është ajo e daljes së Serbisë në Durrës, në deti, duke na kthyer prapa në kohë”, ka deklaruar në konferencën për shtyp Migjen Kelmendi i PDK-së.

Kelmendi tutje ka shtuar se sikur Blerim Reka ta kishte kornizuar këtë ide brenda kornizave të këtyre konventave ndërkombëtare do të ishte diçka që do t’i takonte atij si profesionist, por “ai sot është Ministër dhe ka marrë përgjegjësinë publike”.

Sipas Kelmendit teza e korridorit e ka marrë një përgjigje historike, dhe tani është temë e vdekur që nga themelimi i shtetit shqiptar.

Idenë për hapjen e korridoreve ai e quan gabim politik të Qeverisë Kurti, derisa ka kërkuar dorëheqjen e Rekës.

“Ky tani është një gabim i madh politik, që kërkon patjetër reflektimin e ministrit Reka. Ai, idenë e daljes në Durrës, për fatkeqësinë e tij dhe të Qeverisë Kurti, e bëri si propozim politik. Fatkeqësia e kësaj deklarate dhe rihapja e kësaj teme në esencë do të thotë me zgjedh mes territoreve dhe korridoreve. Zgjidhja sipas tij është hapja e korridoreve dhe kështu me kalu nga tema për territore në zgjidhje në hapjen e korridoreve. Më e pakta që mund të kërkohet është përgjegjësia publike dhe dorëheqja e Rekës. Medoemos duhet me ia kërkuar përgjegjësinë z. Reka”, tha Kelmendi.

Ai ka shtuar se Reka nuk ka ndonjë ndjeshmëri për vuajtjet e popullit shqiptar gjatë shekullit të kaluar.

“Kemi shumë familje që sot janë me pasardhësit e tyre që kanë qenë viktima të idesë së Serbisë për dalje në Durrës. Reka, le se po bën gabim politik, por që ka të bëjë me mos ndjeshmërinë e tij me vuajtjet e shqiptarëve në shekullin e XX dhe duket se ai nuk ka empati për vuajtjet e atyre familjeve. Krejt kjo kërkon që Reka të reflektojë, dhe nëse ka mundësi edhe të sqarojë. Por, përgjegjësia e tij politike kërkon dorëheqjen e tij nga posti që i është besuar. S’ka rezolutë më të fuqishme se një zyrtar me u përballë me përgjegjësitë e veta, çështja e daljes së Serbisë në Durrës e dëmton interesin strategjik të Kosovës”, kishte deklaruar Kelmendi .

Tutje ai ka shtuar se kjo ide po e eklipson edhe çështjen e taksës dhe po e shfaq pa aftësinë e Kurtit që të marrë një vendim final.

“Qeveria Kurti po hap varreza idesh e kjo e eklipson në tërësi çështjen e taksës dhe paaftësinë e tij për me marr qëndrim final ndaj taksës. Me marr qëndrim të saktë dhe të plotë. Në këtë kontekst duhet me pa këtë temë të vdekur”, ka thënë Kelmendi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.