Ballina / KRYESORE / Pas 6.4 ballë, gjasat për dridhje tjera të mëdha në Durrës janë të vogla

Pas 6.4 ballë, gjasat për dridhje tjera të mëdha në Durrës janë të vogla

Dy ditë pas tërmetit që ka shkaktuar të paktën 49 viktima, të dhënat historike dhe shkencore përjashtojnë pothuajse plotësisht mundësinë e një tërmeti tjetër shkatërrimtar.

Sipas Institutit Amerikan të Gjeologjisë, tërmetet ndahen në dy kategori, në ata që kanë një goditje të fortë fillimisht dhe pasohen nga pasgoditje, e kjo përbën 94% të rasteve. Rasti i dytë, tërmete në të cilët pasgoditja është më e fortë se goditja fillestare, në 6% të rasteve (pothuajse gjithmonë në 3 ditët në vijim).

Sekuenca e tërmetit të shtatorit dhe nëntorit lë të kuptohet që tërmeti i Durrësit është i pakicës së rasteve. Ajo që ndodhi në shtator, që fillimisht u interpretua si goditja kryesore, në fakt mund të ketë qenë një paragoditje krahasuar me 6.4 richterin e shënuar 2 muaj më pas.

Megjithatë, lajmi i mirë është që nuk ekziston një kategori e tretë të tërmetesh, pra nuk njihet asnjë dukuri që pas një paragoditje të fuqishme si ajo e shtatorit dhe goditjes madhore si ajo e 26 nëntorit, të ndodhë sërish një tërmet shkatërrimtar në harkun e ditëve, javëve apo muajve më pas.

E thënë ndryshe, në rastin e tërmeteve ose ka një goditje madhore në fillim, shoqëruar nga pasgoditje më të vogla ose një paragoditje që shoqërohet nga një pasgoditje më e fortë, por asnjëherë një përshkallëzim të trefishtë, pra 5.6 si shtatorit, 6.4 si 26 nëntori, e ndonjë tjetër edhe më i fortë.

Kjo konfirmohet edhe nga faqja e specializuar EMSC (Last quake), e cila në “Twitter” ka publikuar këtë status ditën e sotme: “Të gjithë miqve tonë në Shqipëri që kanë kaluar dy netë shumë të vështira, numri i pasgoditjeve është në ulje të vazhdueshme, e kjo është pikërisht ajo që pritet pas një tërmeti”.

Tërmeti i 26 nëntorit është një fenomen unik, i cili ndodh mesatarisht në Shqipëri një herë në rreth 25-30 vjet. Tërmeti i fundit i madh në vend kishte qenë në 1979 dhe pas kësaj katastrofe, do të duhet sipas logjikës po kaq kohë që lëvizjet tektonike të tokës shqiptare të prodhojnë një goditje të re të magnitudës rreth apo mbi 6 riechter.

Sa kohë do të vazhdojnë pasgoditjet? Sipas tabelës së ligjit të Omorit, që vlerëson gjasat e pasgoditjeve në rastet e tërmeteve, në muajin në vazhdim, zonat sizmike në lëvizje mund të prodhojë 350 lëvizje mbi 3 riechter, por vetëm 38 me magnitudë mbi 4 dhe në rastin maksimal, vetëm 4 rreth M5.

Shumica e këtyre goditjeve kanë ndodhur tashmë, por sidoqoftë, lajmi i mirë është që në çdo rast, dridhjet do të vijnë në dobësim e me kohëzgjatje shumë më të vogël.

Tërmeti i L’Aquilas në Itali në vitin 2009 jep një përgjigje, për vetë ngjashmëritë ekstreme që ka me rastin e Durrësit në lidhje me pasgoditjet.

Edhe L’Aquila pati një lëvizje sizmike si ajo e shtatorit. Pastaj, në 6 prill 2009, një tërmet me magnitudë 6.3 shkatërroi mbi 1 500 ndërtesa, duke lënë pothuajse 308 viktima.

Në dy ditët në vazhdim, fiks siç ndodhi në Shqipëri, u regjistruan dy pasgoditje me magnitudë 5.3 dhe 5.1. Në total, pas 6 prillit ndodhën 23 pasgoditje me magnitudë mbi 4 dhe nën 5.

Bazuar mbi këto modele, me e keqja në Durrës duket se ka kaluar. Pas pasgoditjes 5.3 të datës 27 dhe pasgoditjes 5.1 të ditës së sotme (rivleresuar 4.9), duke ndjekur parasysh edhe modelet historike e sekuencën e zhvillimit të këtij tërmeti, përjashtohet kategorikisht mundësia e një tërmeti të ri shkatërrimtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.