Ballina / KOSOVA / Partitë politike sivjet kanë përfshirë në lista edhe figura të reja

Partitë politike sivjet kanë përfshirë në lista edhe figura të reja

Partitë politike, për garën e sivjetme të vjeshtës kanë përfshirë në listat e tyre zgjedhore edhe figura të reja. Madje, duke i renditur edhe në njëzetëshen e parë. Kjo, nga analistët, konsiderohet si një vlerë e shtuar për partitë dhe si një strategji për t’i tërhequr votuesit e rinj.

Legjislaturë më ndryshe mund të jetë ajo që do të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Kjo nisur nga fakti se shumica e partive politike dhe koalicioneve, listat e tyre me kandidat për deputetë i kanë freskuar me emra të rinj. Madje, disave prej tyre u është dhënë hapësirë edhe në dhjetëshen, apo njëzetëshen e parë të listës zgjedhore. Organizatat e shoqërisë civile, këtë po e shohin si vlerë të shtuar. Blerta Aliu nga koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, thotë se është një numër i madh të rinjve të përfshirë në lista, por sa do të arrijnë të futen në Kuvend, mbetet të shihet.

“Është e vërtetë që në këto zgjedhje ka një numër shumë të madh të figurave të reja, që i kanë hyrë garës zgjedhore. Sigurisht se është vlerë e shtuar të kemi sa më shume personalitete të reja që garojnë. Mirëpo mbetet të shihet se si votuesi do të votojë dhe sa do të kenë hapësirë këto figura të reja të jenë pjesë e Kuvendit”, tha Aliu për Radio Kosovën.

Analisti politik Imer Mushkolaj, vlerëson se partitë më shumë se asnjëherë tjetër i kanë freskuar listat me fytyra të reja. Kjo, pasi që sipas tij, ato e kanë kuptuar se vetëm në këtë mënyrë mund të tërheqin votues të rinj.

“Nëse i shohim sidomos dhjetëshet ose njëzetëshet e partive, shohim që pothuajse të gjitha kanë bërë një përzierje të disa figurave me peshë që i kanë brenda partive, e që është e logjikshme, për shkak se nuk mund të pretendosh të krijosh listë të tërësishme nga fillimi dhe prurjeve të reja, të cilëve u kanë dhënë edhe pozita të duhura në numrat prej 1 deri në 20”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.

Përkundër numrit të të rinjve në listat zgjedhore, edhe në këto zgjedhje, partitë kanë përfshi në listat e tyre, edhe njerëz që kanë problem me ligjin. Kjo pasi ka qenë e pamundur përmes një forme ligjore t’u ndalohet personave me aktakuza të jenë pjesë e listave, pasi që Kushtetuta e Kosovës e prezumon pafajësinë deri në momentin kur një person shpallet fajtor me vendim gjyqësor të formës së prerë. Sipas Mushkolajt, te një pjesë e partive, pikërisht këta njerëz që kanë probleme me ligjin, janë ata që sjellin më shumë vota./InfoGlobi

Provo po ashtu

Merkel ka takuar sot kryeministren serbe, Brnabiq

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, është takuar sot në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.