Ballina / KOSOVA / #ZGJEDHJET2019 / Partitë politike në ditën e dytë të fushatës kanë vazhduar me premtime të ndryshme

Partitë politike në ditën e dytë të fushatës kanë vazhduar me premtime të ndryshme

Partitë politike edhe sot kanë vazhduar tubimet me qytetarë gjithandej Kosovës në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 6 tetorit.

Kandidati për Kryeministër të Kosovës nga radhët e PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se në mandatin e ardhshëm qeverisës, do të punojë për qytetarët, duke theksuar se do të përkrahë secilin projekt të rinisë.

”Unë do të punoj fuqishëm, do të jem përkrah çdo qytetari të vendit tim. Kjo është tokë e shenjtë e jona, kemi dhënë sakrifica, shumë gjak e shumë mund, bashkë do të krijojmë familje këtu, të ardhme këtu, ky është vendi ynë”, tha Veseli.
Në një tubim me simpatizantë dhe strukturat e PDK-së në Prizren, Kadri Veseli tha se ka disa arsye pse qytetarët e Kosovës duhet ta votojnë PDK-në më 6 tetor.

“Ne nuk shajmë, nuk ndajmë, ne pajtojmë, afrojmë bashkojmë. Jemi të vetmit që marrim vendime kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Kjo është rruga e fitores e besimit për qytetarët tanë. Kushdo që është për ekonominë e dijes, ndërmarrësinë, ekonominë prodhuese, kushdo që është për rininë inovatore, bashkë me SHBA-në, bashkë me BE-në, bëhet bashkë me ne, bashkë me PDK-në”.

E kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, pasi u kthye në Kosovë ka marrë pjesë në një tubim zgjedhor të koalicionit AAK-PSD në Sallën e Kuqe në Prishtinë.

Ai ka përmendur një konkurs që ka hapur KEK-u në kohë zgjedhjesh.

“Në KEK dihet kush menaxhon. Në kohë të zgjedhjeve, e pashë një konkurs për 130 vende pune. Imagjinojeni pra, fjala që do ta luftojmë korrupsionin, besoni se është sikur me fol për 1 Prill. Pra, kur po flet Kadri Veseli dhe PDK-ja që kemi me e luftu korrupsionin e kemi me ndërru praktika është si me fol për 1 prill”, ka thënë Haradinaj.

E kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se vetëm koalicioni AAK-PSD mund ta mbajë Kosovën në kufijtë e vet dhe ta mbrojë nga rreziqet.
“Kur Ramush Haradinaj u kthye sot nga SHBA tregoi edhe për rrezikun e krijimit të një “Dodik Republike” brenda Kosovës. Nuk është rrezik vetëm ndarja, por edhe kjo”, tha Ahmeti.

E kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë në tubimin elektoral në Klinë, se me gjithë përpjekjet e disa partive për të blerë vota, nuk ka para që e blen vullnetin e qytetarëve të Kosovës të cilët, sipas saj, kanë vendosur t’i besojnë LDK-së në fitoren e saj më 6 tetor.

“Ne duhet të jemi vigjilent që këtë vullnet kaq të qartë të qytetarëve të Kosovës për ta përkrahur LDK-në ta mbrojmë. Duhet ta mbrojmë me çdo kusht, sepse ka parti që mendojnë se mund ta blejnë vullnetin e qytetarëve. Ka ardhur koha me ju thanë që nuk ka para që e blen këtë vullnet. Nuk ka asnjë kërcënim prej tyre që e blen dhe e ndalë këtë vullnet. Nuk ka asgjë dhe asnjeri që mundet me e ndal fitoren e LDK-së”.

Ajo ka adresuar kritika për kundërkandidatët e saj të cilët në këtë fushatë zgjedhore po flasin për vizion europian.

“Ne nuk flasim në një anë për vizion europian dhe në anën tjetër të lejojmë që t’i kidnapojnë qytetarë të shteteve tjera në shtetin tonë. Ne nuk lejojmë që në një anë të flitet për vizion europian, e me u leju me u vjedh dhomat e dëshmive në polici, me leju që qeveria jonë me qenë çdo ditë në televizion për skandale korruptive – ato nuk janë vlera europiane”, tha Osmani.

Ditën e dytë të fushatës zgjedhore, Nisma Socialdemokrate e ka nisur në qytetin e Skenderajt. Nga këtu kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj theksoi se koalicioni i tyre do të jetë befasia spektakolare e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe kjo sipas tij do të nis me Skenderajn.

Limaj tha se këtë bindje ia jep fryma e tyre socialdemokrate, që jep ide për të mirën e vendit.

“Vendi ynë ka nevojë për njerëz me frymë pozitive, me njerëz që nuk humbin kohë duke i sharë të tjerët. Me njerëz që nuk humbin kohë duke bërë me gisht tek të tjerët. Me njerëz që këtë kohë të shtrenjtë e shfrytëzojnë duke dhënë ide, e duke punuar fortë për një punë të mirë për vendin e tyre. Kjo frymë do të fitojë në Kosovë. Kjo është fryma që e konsolidon këtë shtet”, tha ai.

Kandidati për kryeministër u kërkoi qytetarëve në Skenderaj që mos ua japin votën atyre që i kanë zhgënjyer tash e shumë vite. Për këtë arsye ai tha se duhet t’i jepet mundësia njerëzve të rinj./InfoGlobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.