Ballina / OP./INTERVISTA / Pariser , Të funksionojmë mbi parimin ‘ketri në bahçen tuaj’ apo ‘uria në Afrikë’?

Pariser , Të funksionojmë mbi parimin ‘ketri në bahçen tuaj’ apo ‘uria në Afrikë’?

Një ligjëratë interesante e avokatit për demokraci, Eli Pariser se si do të dukej interneti/bota po tëndërtohej vetëm mbi konceptin përkatësisht parimin e asaj që ke afër, që mund të interesojë më shumë se ndonjë ngjarje në hapësirat më të largëta gjeografike.

InfoGlobi ju sjellë të plotë ligjëratën e tij:

Një gazetar po e pyeste Mark Zuckerberg-un rreth prurjes së lajmeve, ‘news feed’ të rrjetit shoqëror Facebook. Dhe gazetari e pyeti, “Pse qenka kaq e rëndësishme?” Zuckerberg-u u përgjigj, “Një ketër që po ngordh në bahçen tuaj mund të jetë më me rëndësi për ju këtë çast sesa njerëzit që vdesin në Afrikë.” Dhe unë dua të flas mbi atë se si do dukej Web-i i bazuar në këtë perspektivë.

Gjatë adoleshencës time në një zonë vërtet rurale në Maine, Interneti përfaqësonte diçka krejt të ndryshme për mua. Përfaqësonte një lidhje me botën. Përfaqësonte diçka që mund të na lidhte krejt ne me njëri-tjetrin. Dhe isha i sigurt se do të ishte i shkëlqyer për demokracinë dhe shoqërinë tonë. Por ja ku ndodhi kthesa në mënyrën se si përhapet informacioni online, dhe që është e padukshme. Dhe nëse nuk i vëmë rëndësi, do të mund të bëhej problem real. Së pari e vura re në një vend ku kaloj mjaft kohë — në faqen time në Facebook. Politikisht jam progresist — surprizë e madhe — por kam qenë përherë i hapur ndaj ideve konservatore. Më pëlqen të dëgjoj se ç’mendojnë; Më pëlqen të shoh se çfarë ndjekin; Më pëlqen të mësoj ndopak gjëra. Ndaj u befasova kur një ditë vura re që konservatorët ishin zhdukur nga prurjet e mia në Facebook. Dhe, siç u mor vesh, çka po ndodhte qe që Facebook-u po shihte se ç’lidhje klikoja unë, dhe kish vënë re se, në të vërtetë, klikoja më tepër lidhje nga miq të mijtë liberalë se sa lidhje nga miqtë e mi konservatorë. Dhe pa më pyetur për këtë, u pat rënë vizë atyre. U zhdukën.

Por Facebook-u nuk është vendi i vetëm që bën këtë përpunim të padukshëm, algoritmik, në Web. Edhe Google-i e bën. Nëse kërkoj unë për diçka, dhe kërkoni edhe ju për diçka, madje tani, në të njëjtin çast, secili mund të marrë përfundime kërkimi shumë të ndryshme. Edhe pse pa u futur te llogaria juaj, më tha një inxhinier, ka 57 sinjale që Google-i i vëzhgon — gjithçka, nga lloji i kompjuterit që përdorni deri te lloji i shfletuesit me të cilin punoni dhe vendi ku gjendeni — krejt kjo përdoret për t’ju personalizuar përfundimet tuaja të kërkimit. Ja mendojeni për një sekondë: nuk ka më Google standard. Dhe më e bukura e kësaj është që është vështirë të shihet. Nuk e shihni dot se sa të ndryshme janë përfundimet tuaja të kërkimit nga ato të dikujt tjetër.

Por para pak javësh, u kërkova një dorë shokëve të kërkonin në Google për “Egjipt” dhe të më dërgonin foto ekrani me përfundimet e kërkimit. Ja fotoja e shokut tim, Skotit. Dhe ja edhe fotoja e mikut tim Daniel. Po t’i vini krah më krah, as që keni nevojë të lexoni lidhjet për të parë se sa të ndryshme janë këto dy faqe. Por po të lexoni lidhjet, është vërtetë për t’u shënuar. Danieli nuk mori gjë fare rreth protestave në Egjipt në faqen e parë të përfundimeve nga Google-i për të. Përfundimet për Skotin qenë plot me të tilla. Dhe këtu bëhej fjalë për lajmin e ditës të atëhershëm. Ja pra se sa të ndryshme po bëhen këto përfundimet.

Por nuk është vetëm Google-i apo Facebook-u. Kjo është diçka që po bën kërdinë në Web. Ka plot kompani që e bëjnë këtë lloj personalizimi. Yahoo News, site-i më i madh për lajme në Internet, tani është i personalizuar — njerëz të ndryshëm marrim gjëra të ndryshme. Huffington Post, Washington Post, New York Times — të gjithë flirtojnë në mënyra të ndryshme me personalizimin. Dhe kjo na shpie shumë shpejt drejt një bote në të cilën Interneti na tregon atë që ai mendon se duam të shohim, por jo domosdoshmërisht atë çka ne duam të shohim. Siç tha Eric Schmidt-i, “Për njerëzit do të bëhet shumë e vështirë të shohin apo konsumojnë diçka që, në një farë mënyre, nuk është përshtatur për ta.”

Mendoj se ky është problem. Dhe mendoj se, po t’i bëni bashkë gjithë këta filtra, po të merrni gjithë këto algoritme, ju del ajo që unë e quaj flluska filtrash. Dhe flluska juaj e filtrave është universi juaj unik, personal, i informacionit në të cilin banoni online. Dhe se ç’përmban flluska juaj e filtrave varet se kush jeni, dhe se çfarë bëni. Por rëndësi ka fakti që nuk e vendosni ju se ç’hyn në të. Dhe akoma më e rëndësishme, ju nuk shihni në fakt se ç’u la jashtë. Një nga problemet me flluskën e filtrave u zbulua nga disa kërkues në Netflix. Duke vëzhguar radhët e porosive për marrje filmash me qira te Netflix, vunë re diçka të çuditshme që ndoshta e kanë vënë re shumë prej nesh, se ka disa filma që sikur i bëjnë bisht radhës e mbërrijnë në shtëpinë tuaj. Dalin nga radha pa hyrë mirë në të. P.sh. “Iron Man” fluturon prej radhe, ndërsa “Waiting for Superman” mund të presë për një kohë të gjatë.

Ajo çfarë zbuluan qe që në radhët tona të porosive te Netflix-i zhvillohet kjo betejë epike mes asaj si e duam veten në të ardhmen dhe asaj vetes më impulsive siç jemi faktikisht. Dihet se të tërë duam të jemi nga ata që e kanë parë “Rashomon,”-in por mu tani duam të shohim për të katërtën herë “Ace Ventura”-n. (Të qeshura) Në rastin më të mirë të përpunimit, na jepet pak nga të gjitha. Na jepet pak Justin Bieber dhe pak Afganistan. Na jepet ca informacion për perimet; na jepet dhe ca informacion për ëmbëlsirat. Çështja me këta lloj filtrash algoritmikë, këta filtra të personalizuar, është se mund të ndikojnë në këtë ekuilibër, ngaqë ata kryesisht vërejnë së pari se çfarë klikoni ju. Dhe në vend të një diete të baraspeshuar për informacionin, përfundoni i rrethuar nga informacion që është për t’u hedhur në kosh.

Kjo të bën të mendosh që ne, në fakt, mund ta kemi zënë së prapthi punën me Internetin. Në një shoqëri transmetimesh — kështu thotë miti i themeleve të paktën — në një shoqëri transmetimesh, kishte roje, redaktorët, dhe këta kontrollonin fluksin e informacionit. Dhe më vonë erdh Interneti dhe i hoqi qafe ata, u lejoi të tërëve të lidhen me njëri-tjetrin, dhe deri këtu bukuri. Por kjo nuk po ndodh tani. Ajo që po shohim është më shumë kalim i stafetës nga rojet njerëzore te ato algoritmike. Dhe puna është se algoritmet ende nuk kanë të trupëzuar atë lloj etike që kishin redaktorët. Nëse për botën tonë do të kujdesen algoritmet, nëse do të vendosin ata se çfarë të shohim dhe çfarë jo, atëherë na duhet të sigurohemi që nuk merren vetëm me gjërat e rëndësishme për dikë. Na duhet të bëjmë të mundur që të na tregojnë edhe gjëra që janë të sikletshme, dyshuese, me rëndësi — kjo është ajo që bën TED-i — këndvështrime të tjera.

Dhe çështja është që ne, si shoqëri, e kemi kaluar një herë këtë. Më 1915, gazetat nuk djersinin dhe aq shumë lidhur me përgjegjësitë e tyre civile. Dhe ja ku njerëzit vunë re që ato po bënin diçka vërtet me rëndësi. Që, në fakt, nuk mund të kishte demokraci funksionale po qe se qytetarëve nuk u shkonte një rrymë e shëndoshë informacioni, që roli i gazetave ish kritik ngaqë funksiononin si filtër, e kështu zuri fill etika e gazetarëve. Nuk qe e përsosur, por na bëri punë gjatë shekullit të kaluar. Dhe sot në Web, jemi paksa si më 1915-n. Dhe na duhet që rojet e reja ta fusin këtë lloj përgjegjësie në kodin që po shkruajnë.

E di që ka plot nga Facebook-u dhe Google-i këtu — Larry dhe Sergey — persona që kanë dhënë ndihmesë në ndërtimin e Web siç është sot, dhe u qofsha falë për këtë. Por na duhet vërtet të sigurojmë që në këto algoritme të kodohet një ndjesi e jetës publike, një ndjesi e përgjegjësisë civile. Kemi nevojë për ju që të bëjmë të mundur transparencën e mjaftueshme për to që të mund të shohim se cilat janë rregullat që përcaktojnë se çfarë kalon nëpër filtrin tonë. Dhe është e nevojshme të na lejoni një farë kontrolli që të mund të vendosim çfarë kalon e çfarë jo. Sepse mendoj se kemi vërtet nevojë që Interneti të jetë ajo çka krejt ne kemi ëndërruar të jetë. Na duhet që të lidhemi me njëri-tjetrin. Na duhet që të njihemi me ide të reja dhe njerëz të rinj, këndvështrime të reja. Dhe kjo nuk ka për t’u bërë, po qe se lihemi të gjithë të izoluar në një Web individual.

Faleminderit.

Provo po ashtu

Inteligjenca nuk është diçka statike

E kam kuptuar që herët në jetë, edhe në familje, se kishte njerëz shumë më …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.