Ballina / KRYESORE / Paqen e qëndrueshme e arrijnë vetëm armiqtë e dikurshëm
dialogu 2018

Paqen e qëndrueshme e arrijnë vetëm armiqtë e dikurshëm

Analisti i njohur gjerman, Andreas Ernst analizon raundet e bisedimeve mes dy presidentëve, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq në Bruksel e mbron idenë e përgjegjësisë më të madhe të dy palëve për gjetjen vetë të zgjidhjes.

Të dy presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq takohen për një seri të re negociatash në Bruksel. Të mërkurën u zhvillua në Bruksel raundi i dytë. Qëllimi është arritja e një marrëveshjeje të detyrueshme nga ana e së drejtës ndërkombëtare, shkruan Andreas Ernst.

“Vetëm në vitet e fundit në të dy vendet është krijuar vetëdija, se sa të larta janë kostot e një konflikti të vazhdueshëm e të ngrirë. Por sidomos u bë e qartë se as Beogradi e as Prishtina nuk do t’ia arrijnë qëllimit të tyre strategjik për anëtarësim në BE pa një zgjidhje të pranueshme të dyanshme.”

“Ato nuk janë të pjekura aq sa duhet për të kërkuar vetë një zgjidhje”

Por çfarë ka shkuar keq në dhjetë vitet e fundit, shtron pyetjen analisti i njohur i gazetës Neue Zürcher Zeitung. “Shumë, por jo gjithçka. Aktet e dhunës janë bërë të rralla për shembull. Ajo që duhet marrë parasysh në këtë fazë të fundit është se BE ka nevojë për një metodë të re negociimi, që duhet të dallojë nga ajo që përdorën fuqitë perëndimore në rrugën e pavarësisë së Kosovës. Ajo që ndodhi në shkurt deri në shtator 2006 nën drejtimin e ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari nuk ishin negociata të vërteta mes Prishtinës dhe Beogradit. Çështjen e statusit e kishin vendosur kabinetet e QUINT-it…Ahtissari…me bisedimet e tij kishte si synim ‘t’ua shiste’ të dyja palëve këtë vendim…Ambasadori britanik i pyetur në 2007-n, se pse të dyja palët nuk kërkojnë vetë një zgjidhje u përgjigj: ‘Ato nuk janë të pjekura aq sa duhet për të kërkuar vetë një zgjidhje’…Si dikur princët edhe Quint-i besonte se subjektet kokëforta duhet të detyroheshin për lumturinë e tyre….”

Të dyja palët të gjejnë vetë zgjidhjen, BE të ofrojë kuadrin

Analisti Andreas Ernst, kritik ndaj kësaj strategjie të perëndimit, – që solli një kushtetutë për kosovarët, që as ata nuk e donin, sepse serbëve u garantonte të drejta të ekzagjeruara, por as serbët, sepse ajo i bënte kosovarët të pavarur – e kthen vështrimin tek aftësia e të dy palëve për t’i zgjidhur vetë problemet e tyre. “Janë kosovarët dhe serbët që e kanë vetë në dorë çelësin për të ardhmen e tyre. Qëllimi duhet të jetë një marrëveshje që i hap rrugën njohjes së dyanshme dhe me këtë edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB e më vonë të dy shteteve në BE….Për këtë kërkohet që BE të marrë rolin e “sekserit të ndershëm”…e më mirë në rast nevoje të zhvillohet një proces disavjeçar negociimi se sa një procedurë e shpejtë e komanduar nga jashtë. BE duhet të tregojë vijat e kuqe, por ato nuk duhet të prekin përmbajtjen e marrëveshjes, por kuadrin e saj. Faktikisht mjaftojnë dy rregulla të hekurta: Ndalim absolut i dhunës dhe parashtrimin, se marrëveshja duhet të legjitimohet nga referendume në të dy vendet.”

Këmbim territoresh?

Analisti i NZZ, Andreas Ernst prek edhe një tabu. Sipas tij duhet të bjerë tabuja e ndryshimit të kufijve me ujdi. “Ky parim bazë u forcua nga fuqitë perëndimore përpara pavarësisë së Kosovës, për të tërhequr vëmendjen nga ajo, se vetë ky akt në vetvete ishte një ndryshim kufijsh…në mënyrë që rasti i Kosovës të mos imitohej në rajon…ai u deklarua si sui generis, i veçantë. Kësaj i duhet qëndruar: E qartë që nga zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk afrohen dot receta për mënyrën e zgjidhjes së konflikteve të tjera në rajon. Por duhet t’u lihet vetë palëve në konflikt të vendosin se brenda cila kufijve ato do ta njihnin njëra-tjetrën. Prej kohësh qëndron pezull ideja e këmbimit të territoreve mes rajoneve të banuara me serbë në jugun serb dhe komunave serbe në veri…nuk bëhet fjalë për të ofruar në vend të paketës së dështuar të Ahtissarit, një “recetë këmbimi. Por që palët të kërkojnë vetë një zgjidhje….Ka ardhur koha që Serbisë dhe Kosovës t’u kujtohen detyrimet. Një paqe të qëndrueshme mund ta arrijnë vetëm armiqtë e dikurshëm.”

 

@Fluidi

Provo po ashtu

termet

Shqipëri: 42 dridhje të tokës nga e shtuna

Plot 42 pasgoditje janë regjistruar nga Instituti i Gjeoshkencave që pas tërmetit me magnitudë 5.1 …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.