Pandemia rritë kohën e qëndrimit të fëmijëve përpara ekraneve

Në një periudhë pa shkolla, kampe fëmijësh apo grumbullime të mëdha, miliona prindër po kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre, ndërkohë që edhe punojnë nga shtëpia. Për shumë prej tyre, e vetmja mënyrë për t’i mbajtur fëmijët të angazhuar, është duke ua lejuar më shumë përdorimin e aparaturave elektronike.

Për shumë prindër që punojnë, ekranet e të gjitha llojeve kanë zënë vendin e mësuesve, dadove dhe kujdestarëve në kampet verore.

“Unë kam dy fëmijë – njëri është 10 dhe tjetri 12. Pra, nuk jam ndryshe nga të tjerët. Si të gjithë prindërit, edhe ne u gjendëm në një situatë ku po punojmë nga shtëpia. Po mundohemi të menaxhojmë pandeminë; kujdesemi për prindërit që kanë nevojë për mbështetje dhe fqinjët që mund të kenë nevojë për ndihmë … Dhe për shumicën e prindërve, duke ditur se fëmija i tyre është me kompjuterin në dhomë, kjo u jep ndjesinë e sigurisë. Realisht, zbuluam se nuk është kështu”, thotë Dalia Hashad, drejtuese e projekteve në organizatën “ParentsTogether” (“Prindërit së bashku”).

Për të zbuluar kohën e kaluar përpara ekraneve gjatë verës, organizata me seli në Shtetet e Bashkuara bëri një sondazh. Ata pyetën më shumë se 3000 prindër amerikanë për kohën përpara ekraneve të fëmijëve të tyre. Rezultoi se koha përpara ekraneve është rritur me 500%.

“Prej prindërve që anketuam zbuluam se nga 8% e fëmijëve të tyre që kalonin 6 orë në ditë ose më shumë në internet, numri ishte rritur shumë tek gati gjysma e tyre. Pra, ne kishim gjysmën e fëmijëve që kalonin një pjesë domethënëse – nëse jo pjesën më të madhe të ditës – në një kompjuter, në një tablet, në një telefon…”, thotë zonja Hashad.

Në vitin 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë nxori një numër rekomandimesh në lidhje me kohën e ekranit për fëmijët.

Mbajtja në minimum e kohës përpara ekraneve ka qenë gjithmonë një sfidë në kohërat më të mira.

Për foshnjat, rekomandimi për kohën përpara ekraneve është zero.

Por në realitet, foshnjat në Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar mesatarisht rreth 40 minuta në ditë para pajisjeve.

Për fëmijët 2 deri në 5 vjeç, jo më shumë se një orë në ditë, por përsëri realiteti tregon për dy herë më shumë.

Për adoleshentët, OBSH-ja nuk vendos kufij, por vë në dukje lidhjen mes kohës së tepruar përpara ekraneve, depresionit dhe ankthit.

Profesori James Lang në Kolegjin “Assumption” ka studiuar efektet e pajisjeve dixhitale te fëmijët.

Zoti Lang, vetë baba i pesë fëmijëve, vëren se nuk ka nevojë ende për panik.

“Nuk duhet të shqetësoheni aq shumë nëse ju dhe familja juaj e kuptoni se kjo është një periudhë e përkohshme tranzicioni, dhe nëse jeni të gatshëm të bëni punën e vështirë për t’u rikthyer në një sjellje të shëndetshme, pasi të kemi rifituar qasjen në disa nga vendet, hapësirat dhe aktivitetet që kemi patur më parë”, thotë zoti Lang.

Falë të ashtuquajturës neuroplasticitet, aftësisë së trurit të njeriut për t’u ripërshtatur me shpejtësi, situata është e ndreqshme.

Por, kjo do të thotë se të rriturit do të duhet të imponojnë kufizime të mëdha për ekranet, pasi të ketë mbaruar pandemia.

“Strukturat e vëmendjes janë ngulitur aq thellë në sistemin e trurit tonë, sa do të ishte shumë e vështirë të imagjinohet se ato mund të ndryshohen disi nga disa muaj kohë shtesë me ekranet, madje edhe gjashtë muaj apo një vit kohe shtesë përpara ekraneve”, thotë zoti Lang.

Por nuk është vetëm sasia e kohës që është shqetësuese. Është edhe cilësia e përmbajtjes.

“… platformat më popullore janë jo edukative. Platformat më të njohura janë YouTube, i përdorur nga rreth 80% e fëmijëve; Netflix, i përdorur nga rreth gjysma e fëmijëve, si dhe TikTok!”, thotë zonja Hashad.

Edhe parashikimet më optimiste janë teorike në këtë pikë. Asnjë nga shkencëtarët e sotëm nuk ka jetuar ndonjëherë përmes një situate izolimi në një botë dixhitale.

Askush nuk është i sigurt se cilat do të jenë efektet – afatshkurtra dhe afatgjata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.