Ballina / BOTA / ‘Panama papers’, Dorëhiqet Kryeministri i Islandës
panama papers

‘Panama papers’, Dorëhiqet Kryeministri i Islandës

Kryeministri islandez është zyrtari i parë i lartë që po largohet nga pushteti pas publikimit të  “letrave të Panamasë”, të cilat kanë kthyer në qendër të vëmendjes, në mënyrë të turpshme, botën e financave e veçanërisht parajsat fiskale.

Sipas raportimeve të para nga vendi ishullor mësohet se ministri i Agrikulturës mund të marrë postin e kryeministrit, pas dorëheqjes së Sigmundur Gunnlaugsson, i cili më herët i kishte kërkuar Presidentit Olafur Ragnar Grimsson shpërndarjen e Parlamentit, por ky i fundit kishte refuzuar me argumentin se duhej të fliste me partitë politike fillimisht.

“Nuk mendoj se është normale, që kryeministrit si person i vetëm, t’i jepej autoriteti për të shpërndarë Parlamentin pa rënë dakord shumica parlamentare me këtë vendim”, tha presidenti islandez për reporterët e interesuar. Disa prej vëzhguesve e përshkruan refuzimin ndaj kërkesës së kryeministrit si tejet të jashtëzakonshme.

Kryeministri i Islandës akuzohet se ka fshehur investime në vlerën e miliona dollarëve në një kompani “offshore”. Kryeministri Sigmundur Gunnlaugsson u përball menjëherë me reagimin mbarëpopullor, për shkak të dokumenteve që tregojnë se ai dhe bashkëshortja e tij zotëronin firmën “Wintris” në Panama. Një protestë masive u zhvillua përpara Parlamentit islandez ditën e hënë.

Dhjetëra figura të profilit të lartë botëror janë përmendur në atë që konsiderohet si “rrjedhja më masive” e informacioneve financiare nga një kompani ligjore panameze “Mossack Fonseca”.

Reagimi i sotëm i Gunnlaugsson erdhi pasi opozita propozoi një mocion mosbesimi ndaj tij. Pasi refuzoi të dorëhiqej të hënën, kryeministri u vu nën një presion të madh edhe nga koalicioni i vet qeverisës. Ndaj dhe zgjodhi të shfrytëzonte rrjetin social Facebook, këtë të martë, për të bërë të ditur pozicionin e tij të ri.

“I kam thënë kreut të Partisë së Pavarësisë se, nëse deputetët e saj mendojnë se nuk mund të vazhdojnë të mbështesin qeverinë në përmbushjen e objektivave të përbashkëta, atëherë unë do të shpërndaja Parlamentin dhe do të bëja thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme”, shkroi ai.

Sipas “letrave të Panamasë”, të rrjedhura prej “Mossack Fonseca”, Gunnlaugsson dhe bashkëshortja e tij e blenë kompaninë “Wintris” në vitin 2007. Megjithatë, kur ai u bë pjesë e Parlamentit në vitin 2009 nuk deklaroi interesat e tij në këtë kompani. Ai shiti 50% të aksioneve të tij te kompania “Wintris” te bashkëshortja, Anna Sigurlaug Palsdottir, vetëm 8 muaj më pas dhe në vlerën e një dollari. Sipas kryeministrit islandez, asnjë ligj nuk është shkelur me këtë veprim, ndërsa bashkëshortja e tij nuk ka përfituar financiarisht.

LEXO EDHE

Çka janë “Panama Papers”?

Letër nga burimi i të dhënave “Panama Papers”

Provo po ashtu

orca ,protesta, arsim, prishtine, kosove

ORCA proteston kundër ndërhyrjeve politike në arsim

Organizata për Cilësi në Arsim (ORCA) ka protestuar sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.