Ballina / RAJONI / Palmer në Podgoricë: Dëshmi se ShBA-të janë sërish më të përfshira në rajon

Palmer në Podgoricë: Dëshmi se ShBA-të janë sërish më të përfshira në rajon

Palmer ka theksuar se “përparësi e tij janë hapja e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, rihapja e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe gjetja e një zgjidhjeje për funksionalizimin e BeH-së”

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathheë Palmer, u ka thënë të hënën zyrtarëve të Malit të Zi se me emërimin e tij në këtë post, Shtetet e Bashkuara dëshmojnë se janë sërish më të përfshira në rajon.

Palmer, qëndroi të hënën në Podgoricë, ku u takua me presidentin Milo Gjukanoviç, kryeministrin Dushko Markoviç si dhe zyrtarë të tjerë të Malit të Zi.

Sipas një njoftimi nga zyra e presidentit malazez, Palmer ka theksuar se “përparësi e tij janë hapja e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, rihapja e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe gjetja e një zgjidhjeje për funksionalizimin e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Në një komunikatë të zyrës së kryeministrit Markoviç, Palmer citohet të ketë thënë se Mali i Zi është shteti më i suksesshëm shumetnik në rajon dhe se “nuk është rastësi” që Mali i Zi është shteti i parë që ai viziton pas emërimit.

Mali i Zi është një gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimorë që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa është vendi i 29-të i NATO-s pjesë e se cilës u bë dy vjet më parë.

Anëtarësimi zemëroi Rusinë e cila e sheh Malin e Zi si një një zonë që tradicionalisht ka qenë në sferën ruse të interesit. Mali i Zi ka akuzuar Rusinë për mbështetjen e një përpjekjeje për grusht shteti pas zgjedhjeve të tetorit të vitit 2016, që thuhet se kishte për synim të ndalte rrugën e vendit drejt anëtarësimit në NATO. Rusia i ka mohuar akuzat.

Vendi me rreth 600 mijë banorë historikisht ka qenë i ndarë mes forcave politike pro-perëndimore dhe aleancës me aleatët ortodoksë, Serbinë dhe Rusinë. Mali i Zi e fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2006.

Palmer i cili u emërua përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor nga sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo më 30 gusht, pak pas marrjes së detyrës tha se qëllimi i tij është t’i kthejë Kosovën dhe Serbinë “në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të sigurojë një marrëveshje” normalizimi ndërmjet tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.