begjet pacolli ne maqedoni

Pacolli: Bosnja po i nënshtrohet Serbisë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoni, ku po merr pjesë në takimin e radhës të vendeve të Kartës së Adriatikut (A5), kryesuese e të cilit është Maqedonia, është treguar i ashpër ndaj qëndrimit të Bosnjës rreth Kosovës.

Në një fjalim që e ka dërguar MPJ-ja Pacolli pothuajse ka hedhur akuza në adresë të zëvendësministrit Josip Brkic boshnjak, për qëndrimin refuzues që ka Sarajeva ndaj Kosovës.

Pacolli ka thënë se Kosova nuk do të mundë të pengohet nga askush për të hyrë në NATO. Por, ai ka zgjedhur një gjuhë të ashpër të pazakontë për të dhe për forume të tilla, ndryshe nga një paraqitje përkrah Ivica Daçiqit në Washington ku ishte shfaqur mjaftë i butë.

“Ju e dini rëndësinë absolute dhe relative të këtij forumi si paradhomë e NATO-s, për të gjithë ne individualisht dhe për Kosovën posaçërisht. Hyrjen e Kosovës në NATO as nuk mund ta pengojë e as ta vonojë askush prej vendeve të rajonit. E di se Bosnja është njëri nga shtetet, që po e pengon këtë anëtarësim. Para jush, dua ta pyes homologun e Bosnjës:

Pse ju nuk doni, që Kosova të përfshihet në këtë paradhomë të NATO-s? A ju krijon ky fakt probleme të brendshme, probleme ndër-etnike? Nuk e besoj. A keni ndonjë pakënaqësi me trajtimin e minoritetit boshnjak në Kosovë?”, ka thënë Pacolli.

Sipas Pacollit, shqiptarët me boshnjakët kudo, në Kosovë dhe jashtë saj, shkojë mirë mes vete. Ndërkohë që ka theksuar se Bosnja po i nënshtrohet Serbisë kur bëhet fjalë për pavarësinë.

“Kjo, që ju po bëni në fakt është pasojë e asaj se nuk doni të keni marrëdhënie me ne, se nuk doni lëvizje të lirë reciproke të shtetasve tanë në territoret respektive. Pse ky nivel i ulët marrëdhëniesh? Pse e kërkon Serbia këtë? Më duket se jeni gabim. Dhe, ju nuk duhet të rrini pas Serbisë. Serbia me Kosovën ka marrëdhënie të një niveli të caktuar; bisedon në Bruksel, ka lëvizje të lirë të qytetarëve”, ka thënë Ministri Pacolli.

Por shefi i diplomacisë kosovare nuk është ndalu me kaq. Ai ka kërkuar njohjen duke thënë se Kosova nuk është më në Serbi.

“Nëse ju nuk e njihni Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, çfarë shteti mendoni se gjendet në territorin tonë? Serbia? As Serbia nuk e pretendon këtë. Jo të nderuar zotërinj, në territorin e Kosovës, falë aksionit të NATO-s për të ndalur gjenocidin, falë shumë rezolutave ndërkombëtare, administrimit ndërkombëtar, vullnetit të popullit shprehur me votën e parlamentit në 17 shkurt 2008, falë vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së 2011, ka një shtet sovran të pavarur. Edhe Serbia e di këtë dhe e pranon këtë realitet. Nuk është në shpatullat e askujt prej nesh, të kthejë rrotën e historisë mbrapa”, ka thënë ai

Por pyetjet për përfaqësuesin boshnjak kanë vazhduar edhe tutje.

“Çdo të bëni ju, kur Serbia të heqë veton për anëtarësimin tonë në OKB? A nuk ju duket jo normale, që ju të ndiqni këtë hap të Serbisë, dhe pastaj të veproni kundrejt nesh, ndonëse jemi afër? Ju ftoj të jeni largpamës. Ne, jemi tregje të vogla dhe prodhues të vegjël, që kemi nevojë për njeri tjetrin. Ne, kemi histori të hershme, aktuale bashkëjetese me njeri tjetrin. Mos u vononi. Po u vonuat, nesër s’do të ketë vend për ju në tregjet tona”, ka thënë kreu i diplomacisë kosovare. Në fund, ai i ka bërë një ftesë të gjithë vendeve anëtare të NATO-s, që ishin të pranishëm në këtë takim. “Do ju lutesha: kuptojeni rëndësinë simbolike, që ka lajmi i anëtarësimit në Kartën e Adriatikut për opinionin tonë publik. Të punojmë së bashku ta inkurajojmë opinionin publik të Kosovës, me lajmet që Kosova është pjesë e bashkësisë perëndimore të shteteve dhe këtë nuk e lëvizë dot askush”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.