fbpx

Pa rikthimin e Rilindjes, nuk ka liri të shtypit

Shkruan: Behlul Jashari

Mesazhi i 13 viteve të Rilindjes, jo vetëm me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, 3 Majit: Në Kosovë nuk ka liri shtypi derisa ka gazetë të mbyllur e të dëbuar padrejtësisht nga autoritetet

Përshendetje të gjithë gazetarëve dhe urime 3 Maji

Presim që në me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, 3 Majit, ashtu si edhe në tyezën në prag të kësaj dite me temë “Liria e Gazetarëve dhe Pozita e Tyre”, ku cështja e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja dhe zgjidhja e saj u përkrah dhe hyri në konkluzione, të theksoni edhe shkeljen e rëndë të drejtave të gazetarëve e punëtorëve të tjerë të Rilindjes.

Ju lutem për këtë si kryeredaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati e detyrimisht mbylljes së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja dhe të dëbimit kolektiv nga puna të gazetarëve e punonjësve të tjerë të saj në vitin 2002.

Gazeta Rilindja – Ndërmarrja Shoqëorore Gazetare Rilindja është e regjistruar ndërmarrje shoqërore nën autoritetin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe askush nuk ka pasur të drejtë t’ia ndërpresë punën e t’i dëbojë gazetarët e punëtorët e saj deri në privatizimin e saj, që ende nuk u bë as pas më shumë se 13 viteve!

Gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes ka mëse 13 vite që theksojnë vazhdimisht dhe jo vetëm në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit se, mbyllja e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja përnga mënyra si u mbyll me dëbimin e gazetarëve e me uzurpim të pronës është e pashembullt në botën e lirë dhe demokratike, është shkelje e rëndë e së drejtës.

Gazeta Rilindja, e cila ka nisur të dalë para 70 viteve, u mbyll në shkurtin e vitit 2002, pak ditë pasi festoi 57 vjetorin.

Po, përsëri Rilindja nuk u ndal, si në kohën e luftës gazetarët e saj vazhduan të punojnë nëpër shtëpia e të nxjerrin numra të jashtëzakonshëm dhe protestues të gazetës tradicionale të Kosovës, jo të përditshëm-të kohëpaskohshëm.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm e protesues më 30 dhjetor 2008, në prag të festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinën e saj: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.

Në monografinë e gazetës shkruan se, Rilindja filloi të dalë më 12 Shkurt 1945 në Prizren, në kuadrin e vendimeve të Kuvendit të Bujanit, e mandej vazhdoi të dalë në kryeqytetin Prishtinë, si gazetë institucionale, gjegjësisht me një status të medias publike, ndërsa që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta doli edhe në kushtet e ndalimit e të mbylljes së dhunshme nga regjimi okupues serb, doli edhe me emrin “Bujku” si gazetë rezistencës, e lëvizjes për liri e pavarësi.

Para fillimit të gazetës, në shtypshkronjën ku nisi të dalë Rilindja në Prizren nuk kishte shkronja të mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe. Shkronja plumbi të alfabetit shqip në një sasi më të madhe u sollën me arka nga Shqipëria pas një marrveshje të nivelit më të lartë në Tiranë të udhëheqjes së atëhershme të Shqipërisë dhe të Kosovës, marrëveshje që përfshinte edhe dërgimin e mësuesve shumë të nevojshëm për shkollat e hapura kosovare.

Në jubileun e 60-vjetorit të Rilindjes në qytetin e shtëpinë e lindjes së saj në Prizren më 12 shkurt, është shënur me shkronja të arta: Rilindja, gazetë që mbajti gjallë frymën kombëtare dhe besimin e popullit, laborator i gazetarisë shqiptare në Kosovë. Rilindja ishte edhe abetarja e parë e Kosovës.

Në vitin e 60 vjetorit, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, në 3 Maj 2005, gazeta Rilindja në numrin e jashtëzakonshëm protestues në ballinë shkruante në kryetitull: Gazeta Rilindja e drejtë e shkelur. Poashtu në ballinë theksonte: Rilindja në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ka këtë mesazh: Në Kosovë nuk ka liri shtypi derisa ka gazetë të mbyllur e të dëbuar padrejtësisht nga autoritetet.

Këtë mesazh proteste e kemi edhe me rastin e 3 Majit 2015, ashtu si para 10 vitesh dhe në 13 vitet e mbylljes e dëbimit të gazetës Rilindja.

Ata që shfytëzojnë pronën e gazetës Rilindja në Pallatin e Shtypit – Pallatin e Rilindjes në Prishtinë do duhej të paguajnë qira sipas ligjit, por këtë nuk e kanë bërë asjëherë edhe pse u është kërkuar shumë herë edhe nga Rilindja edhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Për më shumë po ju dërgoj në attach edhe letrën e 12 shkurtit 2014 që i kam dërguar Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe ridërguar në 12 shkurt 2015 – në Ditën e Rilindjes.

Po ju ju dërgoi edhe Pllakatin e 60 vjetorit të Rilindjes. Pllakati i vendosur në shtëpinë e lindjes së Rilindjes në Prizren në ditëlinjen e gazetës në 12 Shkurt ka shkronjat edhe me argjend e ar të zejtarëve prizrenas.

Po ju dërgoi edhe ballinën e numrit të jashtëzakonshëm protestues të Rilindjes të 3 Majit 2005, si dhe ballinën e numrit të fundit të 30 dhjetorit 2008.