Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka pezulluar të gjitha konkurset për staf të ri në kuadër të Zyrës së Presidentit të Kosovës, sepse po dyshon që kanë ndodhur parregullsi në procesin e rekrutimit.
Pezullimi ka ardhur pas dyshimeve për një proces të parregullt për pozitën “Zyrtar i lartë për agjendën në departamentin e protokollit” pranë Presidencës.
“Ndalohet shpallja e konkurseve të reja në kuadër të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Osmani.
Konkursi për këtë pozitë është mbyllur dhe të enjten ka qenë në plan të nisin procedurat për përzgjedhjen e kandidatit.
Ky proces ka nisur në kohën e ish-presidentit Hashim Thaçi.
“Ligji për Presidentin kërkon që çdo veprim i organizimit të brendshëm duhet ta marrë aprovimin e presidentes. Ndaj u.d. e Presidentes, Vjosa Osmani nuk e ka aprovuar procedimin e këtij konkursi”, thonë në Presidencë./infoglobi