Ballina / KRYESORE / Opinion: Marrëveshja në shitje
VIOLETA HAXHOLLI

Opinion: Marrëveshja në shitje

Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se Asociacioni me pushtet ekzekutiv do të jetë kompromisi më i dhimbshëm për Kosovën, Presidenti Thaçi ka vendosur që të tërheq vëmendjen nga kjo pjesë e marrëveshjes finale, për të vënë theksin tek demarkacioni i kufirit apo siç po e quan, bashkimi i Luginës së Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Kosovën.

Shkruan: VIOLETA HAXHOLLI

Natyrisht se bashkimi kombëtar e marrja e territoreve janë temë më e nxehtë për publikun dhe tërheqin më shumë vëmendjen e tij, se sa përmbajtja e statutit të një asociacioni të cilin shumica e popullsisë nuk do të ndalen t’a analizojnë hollësisht.

Ditëve të fundit është hedhur në opinion publik ideja për, siç po quhet, korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Lidhur me këtë është përmendur mundësia që Lugina e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës ti bashkohet Kosovës. Megjithatë ajo që nuk na është treguar ende është se çfarë i është kërkuar Kosovës në shkëmbim për këtë, ose cili është çmimi që Kosova duhet ta paguaj në shkëmbim. Ajo që është nënkuptuar nga ky diskurs, është se territori do të jetë njëri nga elementet e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi. Korrigjimi i kufijve, shkëmbimi i territorit e çfarëdo terma tjerë që do të përdoren lidhur me këtë, është çështje që pritet të diskutohet në kuadër të procesit të demarkacionit të kufirit që do të bëhet mes Kosovës dhe Serbisë. Me këtë proces natyrisht se do të lëvizin vijat kufitare, ashtu siç ka ndodhur edhe me Maqedoninë e Malin e Zi, por asesi në përmasa të tilla sa Kosova të arrijë të marrë tërë Luginën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Kjo sidomos për arsye se Serbia ka në atë territor baza ushtarake dhe asete strategjike nacionale. Shto kësaj edhe faktin se bashkësia ndërkombëtare është shprehur kundër ndryshimeve të mëdha që mund të qojnë në destabilizimin e rajonit.

Po ashtu, është fare e pabesueshme që Serbia do t’ia jepte Kosovës gjithë atë territor në shkëmbim të asgjësë, prandaj natyrisht se në shkëmbim Serbia do ta kërkojë Veriun e Kosovës. Megjithatë, ashtu siç as Kosova nuk do të arrijë të marrë gjithë Luginën, as Serbia nuk do të arrijë të marrë gjithë Veriun. Kështu të dy palët do të shkojnë në tavolinën e bisedimeve me kërkesa maksimale, me qëllim për të arritur të fitojnë së paku një pjesë të tyre. Duke qenë se Serbia për shume vite kontrollon të dy territoret edhe Luginën edhe Veriun, ajo veçse është në avantazh në këtë aspekt në krahasim me Kosovën. Kështu natyrisht se ajo do të arrijë të marrë më shumë se Kosova. Potencialisht, kjo do të përfshinte tri komunat veriore, Leposaviqin dhe Zveçanin dhe Zubin Potokun. Në anën tjetër Kosovës do t’ia jepte vetëm një pjesë të Preshevës, potencialisht deri tek hekurudha, e cila është pjesë strategjike e Serbisë dhe vështirë se mund të mendohet që do të ia linte Kosovës.

Fatkeqësia në gjithë ketë për Kosovën është se nëse pajtohet për këtë marrëveshje, ajo do të merrte pak benfite në Luginë, ndërsa do të humbte shumë në Veri. Pasuritë natyrore shumë të rëndësishme të Kosovës gjenden në këto komuna të Veriut. Një ndër to edhe Liqeni i Ujmanit i cili përdoret për furnizim të një pjese të madhe të Kosovës me ujë. Nëse në kuadër të këtij aranzhimi territoresh pala kosovare vendos që kufiri me Serbinë të mos e lë jashtë Kosovës Ujmanin, fati i menaxhimit të këtij liqeni do të jetë sërish i lidhur në ndonjë mënyrë me Serbinë, potencialisht përmes Asociacionit të komunave serbe. Kjo pasi që 80% e Ujmanit gjendet në Zubin Potok dhe Serbia do të mundohet që atë që humb me demarkacion, t’a kompensojë me Asociacion duke i siguruar atij së paku bashkëpronësi mbi Ujmanin.

Në fund të këtij procesi, palët natyrisht se do ta shpallnin secila fitoren. Presidenti Thaçi në njërën anë do të deklaronte se përveç që Kosova nuk ia dha Serbisë Ujmanin, e mori edhe një pjesë të Luginës, ndërsa Presidenti Vucic në anën tjetër do të deklaronte se Serbia nuk ia dha Kosovës gjithë Luginën, e mori një pjesë të Veriut, ndërsa në pjesën tjetër të Kosovës ai do të sigurohet që serbët të kenë asociacionin e tyre autonom. Mos arritja e të gjitha qëllimeve të synuara, do të arsyetohet me deklarata të tilla si, dialogu është kompromis dhe se të dy palët kanë hequr dorë nga diçka për hir të paqes.

Sidoqoftë, demarkacioni i kufirit do të jetë vetëm njëri nga elementet e marrëveshjes finale Kosovë- Serbi. Pjesa kryesore e kësaj marrëveshje do të jetë projekti i kahmotshëm i Serbisë, krijimi i Asociacionit të komunave serbe, bazat e të cilit janë hedhur qysh në marrëveshjen e 19 prillit 2013. Aktualisht ky proces ndodhet tek draftimi i statutit, i cili tashmë është përfunduar nga ekipi menaxhues i përbërë vetëm nga përfaqësues të komunitetit serb. Çuditërisht shteti i Kosovës nuk është përfshirë fare në procesin e hartimit, ani pse ky organ nëse krijohet do të funksionoj brenda territorit të Kosovës. Krahas propozimit të përfaqësueseve serb për draft statutin pala e Kosovës nuk e ka hartuar një kundërpropozim lidhur me atë se si do të duhej të dukej statuti i Asociacionit, sipas pikëpamjes së institucioneve të Kosovës. Kështu në Bruksel kur të vijë koha e diskutimit të kësaj teme në tavolinë do të hidhet vetëm një propozim, ai i përfaqësuesve serb. Pala e Kosovës aktualisht si dokument dhe argument e ka vetëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë që statuti duhet të jetë në përputhje me këtë vendim.

Ajo që kemi kuptuar deri më tani nga transkriptet e takimeve të ekipit menaxhues serb është se ata kanë paraqitur kërkesa të mëdha lidhur me kompetencat e Asociacionit, që dalin përtej vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe i mundësojnë pushtet ekzekutiv. Fatkeqësia në ketë është se në fund të procesit edhe nëse Asociacionit nuk i mundësohen të gjitha ato kompetenca dhe pala e Kosovës i reziston pranimit të tyre, në fund, në emër të kompromisit ajo do të detyrohet të pranoj disa prej tyre. Kështu, për të zbatuar më pas marrëveshjen për Asociacionin, Kosova do të detyrohej të ndryshonte Kushtetutën e saj për të akomoduar Asociacionin me pushtet ekzekutiv. Ky organ më pas do të funksiononte me atributet e një shteti paralel brenda shtetit të Kosovës dhe nën direktivat e shtetit të Serbisë.

Se Kosova duhet të siguroj akomodim më afirmativ për serbët, dhe se duhet të bëjë kompromise të reja, e ka thëne vet Presidenti Thaçi qysh në fillim të kësaj faze të dialogut, në fillet e saj, kur përmendej një marrëveshje finale Kosovë-Serbi. Ai po ashtu kishte deklaruar se marrëveshja finale me Serbinë do të jetë e dhimbshme dhe e vështirë.

Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se Asociacioni me pushtet ekzekutiv do të jetë kompromisi kryesor për Kosovën, Presidenti Thaçi ka vendosur që të tërheq vëmendjen nga kjo pjesë e marrëveshjes finale për të vënë theksin tek demarkacioni i kufirit apo siç po e quan, bashkimi i Luginës së Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Kosovën. Natyrisht se bashkimi kombëtar e marrja e territoreve janë temë më e nxehtë për publikun dhe tërheqin më shumë vëmendjen e tij, se sa përmbajtja e statutit të një asociacioni të cilin shumica e popullsisë nuk do të ndalen t’a analizojnë hollësisht.

Duke qenë se një marrëveshje e tillë që parasheh Asociacion me pushtet ekzekutiv vështirë se mund të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, Presidenti Thaçi veçse ka paralajmëruar inicim të referendumit për marrëveshjen finale. Që marrëveshja të jetë plotësisht e pranueshme për popullin, pyetja në referendum mund të mos përfshijë fare çështjen e Asociacionit. Ajo mund të jetë vetëm psh: A e pranoni bashkimin e një pjese të Luginës me Kosovën? E përgjigja e qytetarëve në këtë pyetje veçse është e parashikueshme. Natyrisht se shumica do të votonin për.

Por çka mund të bëhet lidhur me këtë çështje?

Deputetet e Kuvendit të Kosovës, shoqëria civile dhe qytetarët e Kosovës nuk duhet të lejojnë që në shkëmbim të një pjese të Luginës së Preshevës, Kosova të pranojë humbjen e një pjese të Veriut dhe krijimin e një Asociacioni me pushtet ekzekutiv, që do të funksiononte si shtet paralel brenda shtetit të Kosovës dhe nën ndikimin e shtetit serb. Shqiptarët kanë të drejtën e bashkimit kombëtar dhe jo vetëm me Luginën, megjithatë kjo duhet të bëhet në rrethana dhe mjete tjera dhe në koordinim të plotë me partnerët strategjik të Kosovës. Asesi nuk duhet të bëhet në shkëmbim të humbjeve edhe më të mëdha e manipulimeve politike.

(Autorja është hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës – KDI )

@Fluidi

Provo po ashtu

thaci bruksel

Thaçi në ShBA, ka gjasa të takohet me z. Trump

Presidenti Hashim Thaçi ka folur për mundësinë e takimit me presidentin e Shteteve të Bashkuara …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.