Ballina / OP./INTERVISTA / Opinion: Historia përsëritet si farsë
Ibrahim Berisha

Opinion: Historia përsëritet si farsë

Protagonistët, qofshin ata dëshmitarë të drejtpërdrejtë të ngjarjeve, krijues apo vrojtues të tyre, kur dalin të komunikojnë me publikun ndërtojnë variantin e vetëdëshirueshëm, i cili domosdoshëm, rrëfimtarin e vë në rolin qendror, rreth të cilit duhet të sillet gjithçka.

Shkruan: Ibrahim Berisha

Një tendencë kjo e mundshme për ndryshimin e epiqendrës së ndikimit dhe rolit personal në të kaluarën, për të ndërtuar ndikimin e padiskutueshëm në të sotmen.  Ndodh kështu ndryshimi i roleve historike: personalja e përgjithshmja. Thënë me fjalët e shkrimtarit dhe aktivistit amerikan, James Baldwin, njerëzit janë të robëruar nga historia dhe historia është e robëruar nga ata. Një robëri e dyfishtë kjo që flet për pamundësinë e çlirimit nga mashtrimi i konvertuar në krenari fiktive.

Variantet e zgjedhura për “interpretim” në të tilla rrëfime pasohen me kronologjitë, të cilat përjashtojnë mundësinë për të vërtetuar dëshminë. Evokimi e pragmantizon historinë jocilësore, ngase nuk respekton kriterin e vërtetësisë dokumentare. Të tilla memorime me tepër përngjajnë në miksturë proverbash, legjendash, gojëdhanash dhe afshesh romantike, të cilat duan të formojnë kultin dhe mitin e rrëfimtarit apo protagonistit referencial. E kuptueshme, ndërtuesit e historive të tilla, ushqehen me copëza të vogla të të pavërtetave. Pretendohet se gjysmë të vërtetat janë mjet më se i mjaftueshëm që i ofrohet publikut. Por, nga kjo nuk duhet pritur falënderimin. Në këtë kontekst, po t’i referohemi Benjamin Franklin,gjysmë e vërteta shpesh është një rrenë e madhe.

Kjo pamje është shumë e pranishme, e vërteta, në botimet në Kosovë jo vetëm mbas vitit 1999, si pretendohet shpesh. Personalizimi i historisë strukturoi përmbajtjet kryesore të promovimit dhe propagandimit të liderëve, liderthëve, personaliteteve strukturore, madje edhe të shumë ngjarjeve të ashtuquajtura dhe të vërteta historike. As në botimin e varianteve të zgjedhura të ngjarjeve dhe proceseve të këtyre decenieve të fundit, tregime plot këto, nuk plotësohet kriteri kritik, ai që është më themelori, në mënyrë që një rrëfim të bëhet i qëndrueshëm, mbase i besueshëm, paraprakisht duke pasur një hulumtim të plotë që mund të vërtetojë e faktojë saktësinë e të publikuarës. Kështu publiku në këto vite të fundit ka lexuar e dëgjuar shumë variante për një ngjarje, duke mos mundur assesi ta përcaktojë cilësinë dhe sasinë e kontekstit të së vërtetës. Ky është grepi joshës: pas historive të vogla a të mëdha, pasojnë fjalët, rrëfimet. Fjala komunikon një kuptim, qoftë e shkruar apo e folur, por nuk domethënë se ajo është një e shprehur e vërtetë. Njëjtë është edhe me dokumentin, që duhet lexuar dhe kuptuar saktësisht. Të gjitha dokumentet nuk thonë të vërteta.

Edhe gjithë procesi i decenieve të fundit në Kosovë, krijoi shansin e madh, ai që ka diç për të thënë apo ai që dëshiron diç të thotë, të duket në publik me variantin e historinë e interpretimit personal. Të ndodhurat personale paraqiten si ngjarje kolektive. Në këtë frymë shprehur, me mendimin e antropologut Richard Jeninks, e kaluara reflekton individualen si kujtim, ndërsa kolektiven si histori. Do kuptuar se jo secili kujtim mund  bëhet histori kolektive. Por ajo lehtë deformohet në histeri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.