Odat ekonomike kërkojnë ndihmën e shtetit për bizneset

Oda Ekonomike dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me anë të një komunikate të përbashkët i bëjnë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës të shtojë numrin e masave parandaluese kundër COVID-19, në përkrahje të sektorit privat dhe ekonomisë së vendit në përgjithësi.

Për të parandaluar përshkallëzimet dhe dëmin potencial qe mund të shkaktohet, këto Oda e kërkojnë shtyrje të afateve të raportimeve financiare tatimore, si shembull i mirë dhe mjet për lehtësimin e ngarkesës së sektorit privat.

“Në rast të zgjatjes së situatës së jashtëzakonshme për më shumë se është paramenduar, ky obligim ligjor do të ketë kosto enorme për kompanitë, gjersa Qeveria duhet të parasheh masa për të ulur efektin e të njëjtit përmes subvencionimit. Kjo vlen me theks të veçantë për rastet e aktivitetit ekonomik ku puna nuk mund të kryhet nga distanca, i cili në rast të zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme, do të mund të rezultonte edhe në falimentim eventual të kompanive, dhe si pasojë humbje masive të vendeve të punës” thuhet në komunikatë.

Edhe Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të sigurojë fond për mbrojtjen e bizneseve.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se duke marrë për bazë situatën në vendet e prekura nga Covid-19 që shkaktohet nga koronavirusi i ri, në rast të paraqitjes së rasteve në Kosovë, në disa sektorët ekonomik mund të ketë zvogëlim të qarkullimit financiarë, çka sipas tij, do të përcillej me mundësinë e paraqitjes së problemeve me pagesën e pagave të punëtorëve apo kryerjen e obligimeve tatimore.

Për këtë arsye, thotë ai, Oda e Afarizmit të Kosovës, kërkon nga qeveria që të merr masa për shtyrjen e mundshme të tatimeve dhe kredive, ndërsa për bizneset që do të pësojnë dëme nga masat e gjendjes së pandemisë, të gjendet mënyra e kompensimit.

“Problemi është mungesa e qarkullimit të njerëzve, që do të afektojë shumë biznese, si hoteleritë restorantet, marketet (dyqanet) dhe sektorë të tjerë në të cilat do të ketë zvogëlim të qarkullimit. Dhe këto biznese në bazë të parashikimeve, kanë llogaritur të hyrat më të mëdha se sa do t’i kenë. Kështu që do kenë probleme, qoftë me detyrim të zvogëlimit të numrit të punëtorëve apo probleme të pagesave për qira, kredive dhe obligimeve shtesë”, thotë Krasniqi.

Rastet e koronavirusit tashmë kanë përfshi numrin më të madh të shteteve në mbarë botën, përfshi edhe vendet e rajonit me të cilat kufizohet Kosova, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të cilat tashmë po përballen me rastet e para të infeksioneve nga koronavirusi i ri.

Nga dita e djeshme raste të koronavirusit janë identifikuar edhe në Kosovë, ku deri  tash zyrtarisht janë konfirmuar tre të prekur nga Covid – 19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.