Ballina / Kulturë / NYT: Milan Kundera, ky mjeshtër i paradokseve
milan, kundera

NYT: Milan Kundera, ky mjeshtër i paradokseve

“Kur isha i vogël me pantallona të shkurtra, ëndërroja të kisha një pomadë cudibërëse që do të më bënte të padukshëm. Pastaj u rrita, fillova të shkruaj dhe doja të isha i suksesshëm.

Tani jam i suksesshëm dhe do të doja ta kem atë pomadë që do të më bënte të padukshëm. ‘Milan Kundera, Intervistë me Filip Roth, New York Times, 1980.

Unë vetëpërjashtohem nga ata që mendojnë se letërsia është hobi, pasion, argëtim, aktivitet alternativ. Mendoj se letërsia është dicka thelbësore, deri diku moskatandisje në përkohësinë e të bërit i zakonshëm.

Megjithëse s’është e lehtë të bëhesh i tillë, në kuptimin e sistemimit të dilemave dhe pasigurive, proces i mundimshëm, prej të cilit del me ndjesinë që ke gjithmonë dicka tjetër për të shtuar, për të bërë, për të mos qenë i qetë. Ngjan me përmirësimin e vazhdueshëm të vetes ose pakënaqësinë e përhershme të artistit me veprën e tij.

Pikërisht, në një përpjekje të tillë të mrekullueshme, pas shumë vitesh pauze së lexuari, thirra në ndihmë kujtesën time, me shpresën për evokim të ndonjë libri ish-të dashur për mua. Duhej të gjeja dicka ish të dashur që mund të kthehej lehtësisht në dashuri. Vetëtimthi më erdhi Kundera, dicka mes politikës dhe erotikës.

Atë cast, se kisha të qartë nëse ky autor kishte fituar ende Nobelin, fakt që rrallë herë më ka shërbyer për të zgjedhur një libër. Nobeli më dukej i pavlerë për ta përfshirë magjinë e veprës së tij, aq joshëse për mua. Dhe si për inat, në shtëpinë ku jetoja aktualisht, skisha asnjë libër nga ky autor duke u vetëdetyruar ti gjeja sa më parë.

Për sqarim, kjo etje për Kunderën nuk më vinte si zë i brendshëm për të ridimensionuar njohuritë e mia le të themi kulturore, por ishte më shumë imperativ i mendjes së paushqyer mire prej kohësh, në përpëlitjen e saj për tu qetësuar, forcuar dhe për të gjeneruar humor apo dhe seriozitet të shëndetshëm.

Në fakt, librat e Kunderës s’më kanë bërë kurrë të qesh, pavarësisht titujve dhe përmbajtjes së tyre në antagonizëm vertikal me njëri tjetrin. “Shakaja” ka qënë tragjedi që më ka inkurajuar të mendoj, të nënvizoj, të shënoj, të fle me ato mendime të Kunderës përkthyer në jetë personazhesh, që asnjë prej tyre, në asnjë rast, smë janë dukur të stisur apo shpikur për të përligjur një situate letrare jo e jo, po as jetësore … pasi për një shkrimtar si Kundera kjo do të ishte mjaftueshëm fyese. As “Mosdija” ska asnjë lidhje me injorancën, përvecse boshllëkut të të qënit i lumtur brenda saj.

Besoj se personazhet e tij janë vetë Kundera, megjithëse ai e mohon këtë gjë. Në vitin 1985, në një intervistë me Olga Carlisle (NYT), shprehet se: “Asnjë personazh në romanet e mia nuk është një portret dhe asnjë nga personazhet e mi nuk është portret i një personi të gjallë. Nuk më pëlqejnë autobiografitë e maskuara”.

Po ashtu besoj se femrat janë dashuri të shkuara e të parealizuara të tij. Unë nuk jam aq feministe sa të besoj se Kundera ishte misogjin për faktin se në përshkrimet e tij gratë janë vulnerabël ndaj burrave të cilët duan ti zotërojnë, kur thithin me babëzi prej tyre pjalmin e kënaqësisë trupore, duke fyer dhe minimizuar më pas, rëndësinë e pranisë së tyre.

Për mua femrat e Kunderës, janë të tejdukshme, plot fije të holla habie dhe mjerimi, të lira deri në pakënaqësi dhe tepër të bukura në paplotësinë e ideve që mbartin. Janë gra të përditshme dhe të trembura, që hija e një burri i qartëson. Ai sic shprehet te “Shakaja”, i sheh dhe i do gratë me sytë e tij, pa tentuar të funksionalizojë praninë e tyre, por duke i vendosur përballë burrave si dinamikë pragmatiste.

Me të gjetur librat e Kunderës, fillova të kujtoja Pragën. E kisha vizituar tre vite më parë dhe ende mendoj se është qyteti ku sdo mund të jetoja kurrë. Përplot me bukuri të tmerrshme ku edhe varrezat ishin thellësisht artistike. Kisha dy vizione për të.

Praga sipas Kafkës, më ngjante si një qytet i mbërthyer nga një rrjetë gjigande merimange. Përshtypja ime naive nga ky qytet.

Praga sipas Kunderës, më ngjante me ndrojën rozë të fytyrës së Juliette Binoche. Këtë Pragë doja ta ruaja në kujtesë, por ishte pikërisht kjo Pragë që më tradhëtonte dhe ishte ikanake si psherëtimë dielli në mës të dimrit, si një balonë që sapo i lëshohej filli, zhdukej në erë.

Në Pragë kisha parë shtëpinë, muzeun e Kafkës, restorante me emrin e Shvejkut, provuar birrën ceke diku nën këmbët e urës së Charlie, vrojtuar kështjellën, orën astronomike po askund skisha gjetur një gjurmë të kapshme për syrin, të Kunderës, këtij biri të Cekisë po aq legjitim sa Kafka.

Sigurisht ishte Praga e të tjera qytete të Cekisë dhe Sllovakisë së sotshme që i dhanë shpirtin veprave të tyre, njërit (Kundera) si gjeni i reales dhe fakteve e tjetrit (Kafka) si gjeni i absurdit të pakuptimtë. Ai truall përcaktoi esencën e tyre, në këmbim të zbulimit të fatit të shkuar të tyre.

Gjurmët e munguara të Kunderës në Pragë, lidhen me historikun e tij, pragfundin e pranverës së Pragës, si shkrimtar i dashur në fshehtësi dhe më pas i ndaluar dhe zhdukur nga libraritë.

Kundera është i pranishëm në këtë qytet në jomaterie, pasi prej vitit 1975 ai emigroi në Francë për tu natyralizuar dhe njohur Francën si atdheun e zgjedhur, duke mos fshehur dëshirën për tu prezantuar si shkrimtar francez. Kjo e ka mërzitur lexuesin ceko-sllovak. Pasi është pjesërisht e vertetë, sepse sic pohonte dhe Kundera vetë, konstruksioni i veprës së tij ishte i ankoruar në Cekosllovaki dhe i lidhur ngushte me dramën e universit cek. Individi i tij është po aq hedonist sa ai francez por ndërkohë që misioni i tij është memorizimi i historisë, për një francez hedonizmi mund të shijohej edhe i kulluar. E nga ky kënvështrim të pretendosh që Kundera është francez është njëlloj si të thuash që Ajshtajni ishte amerikan apo Pikaso francez.

Paradoksale mbetet marrëdhënia me vendlindjen e tij, raport i ndërlikuar intelektual. Kundera është i dyshimtë në perceptimin e tij të fajësisë mbi Pragën, shkatërrimi i së cilës erdhi nga jashtë. Por në këtë pikë, ai është thellësisht njerëzor. Në shenjë hakmarrjeje për dëbimin, ndalimin e librave të tij, stigmatizimin si tradhëtar në vendlindje (për shkak të një historie spiunazhi ku besohej se Kundera kishte marrë pjesë), Kundera për një periudhë të caktuar nuk lejoi që veprat e tij të botoheshin/inskenoheshin në Ceki. Ai biles refuzonte cdo ftesë zyrtare për ta vizituar vendlindjen dhe edhe ato pak herë që shkoi ishte incognito. Ashtu si heroi i tij Ludvik, skishte aspak nostalgji për tu rikthyer aty, ku dukej se se tërhiqte më asgjë…

Kundera do ta mbysë kujtimin e tij për vendlindjen, për rininë e tij të cuar dëm, kujtesa për të e bezdis, i dhëmb e ai nuk mund ti lejojë vetes sentimentalizmat patriotikë. Përballë Cekisë së sotshme ai do të jetë sa më indiferent sepse është një Ceki së cilës si përket më. Ai dashuron gjërat që si përkasin më dhe që smund ti ketë kurrë! E si cdo njeri edhe ai është i pafuqishëm në këtë ndjesi, si në vullnetin për të kontrolluar fatin njerëzor, që shpesh pakujdesia më e vogël mund ta thërrmojë.

Në këtë raport lind një shaka e madhe, një dyluftim dashurie dhe urrejtjeje, pikërisht sepse ndoshta dikur, dashuria e fuqishme u pasua nga një zhgënjim i hidhur. Është qesharake të besohet se Kundera, arkitekti i kujtesës së Cekosllovakisë, ta harrojë origjinën, pasi është shembulli tipik i heroit që është pikërisht aty, ku mungon, ku nuk është (unë e kuptova, vendi im i vërtetë ishte këtu pikërisht sepse nuk i përkisja këtij peizashi-thotë personazhi i tij te “Shakaja”). Biles kështu prania e tij është e pamohueshme, por aspak heroike, sepse ky burrë i gjatë dhe i bukur sdo të ketë lidhje me heronjtë, që duket sikur si përkasin rracës njerëzore.

Hakmarrja e tij për vendlindjen serviret nëpërmjet pasionit të ftohtë, duke i bërë nderin më të madh, rrëfimin e historisë e saj në tërë botën. E më bukur se ai, ndoshta askush se ka dokumentuar harrësën e organizuar shtetërore. Ai që në vend të fjalës dashuri përdor më kollaj atë të nostalgjisë e në vend të depersonalizimit kolektiv ai kërkon të gjejë magjinë e lirisë së individit, brenda një sistemi që synon të sterilizojë cdo gjë, mendjen në rradhë të parë.

Por a i ka tradhëtuar Kundera intelektualët çeko-sllovakë?

Në intervistat e tij të rralla, një ndër to edhe ajo e vitit 1980 me Philip Roth, Kundera thotë: “…Më pas ata më larguan nga Universiteti, kam jetuar në mesin e punëtorëve, në atë kohë kam luajtur në një bandë xhaz në kabare të qyteteve të vogla, kam luajtur piano, trumpetë, pastaj kam shkruar poezi, kam pikturuar, ishte e gjitha e pakuptimtë, puna ime e parë që ia vlen të përmendim është një tregim i shkurtër, i shkruar kur isha tridhjetë vjeç, historia e parë në librin “Dashuri qesharake”. Pikërisht këtë moment filloi jeta ime si shkrimtar, pasi e kisha kaluar gjysmën e saj si intelektual relativisht i panjohur.

Për auditorin ceko-sllovak Kundera ska qënë aq i panjohur, sepse ishte një komunist liberal i përjashtuar nga Partia dhe që kishte shkruar poema për Stalinin.

Kryekritiku letrar çek Milan Jungman ka reaguar ndaj deklaratës së Kunderës: “Ata që e njihnin Milan Kunderën në vitet 1950 dhe 1960, vështirë se mund ta njohin atë kështu (sic vetëparaqitet autori më lart). Vetë-portreti është retushuar në mënyrë të atillë që pamja e vërtetë e Kunderës është zhdukur. Gjithçka thelbësore që formoi imazhin e Kunderës si udhëheqës intelektual të dekadave të fundit të historisë ceke është shtypur. Në Cekosllovakinë e viteve 1950-1969, Kundera ishte një forcë liberalizuese në Cekinë zyrtare, letërsinë komuniste. Edhe pas publikimit të “Dashuri qesharake” dhe “Shakasë”, që janë parë nga disa si përshëndetje e hapjes së stadit anti-totalitar të të shkruarit të Kunderës, në dhjetor 1968, katër muaj pas pushtimit rus, në një artikull të botuar në “Listy”, Kundera e sheh veten e tij si “një person që i përket botës së socializmit (komunizmit) dhe kritikon Vaclav Havelin se po përdor argumentat e një personi që ska pranuar kurrë idealet komuniste”. (NYT, 2008, D.Bilefsky)

Petr A. Bilek, profesor i letërsisë krahasuese në Universitetin Charles, është shprehur se: “Shkrimtarët e tjerë disidentë kanë provuar për një kohë të gjatë ta shohin atë si dikush që shkruan pornografi intelektuale për lexuesit mediokër perëndimorë”. (NYT, 2008, D.Bilefsky).

Por Kundera është i ndërgjegjshëm që do të jetë burim i madh polemikash, që nga momenti kur do flitej për desidencën për të cilën bashkohësi dhe miku i tij, Vaslav Havel në vitin 1979, tha: “… ne nuk vendosëm asnjëherë të bëheshim disidentë. Ne u transformuam në të tillë, pa e ditur fare se si; ndonjëherë përfunduam burgjeve pa e ditur tamam se pse. Ne thjesht vazhduam përpara, dhe bëmë disa gjera që i ndjenim se duheshin bërë, asgjë më shumë e asgjë më pak”.

Ky është ndër përcaktimet më brilante dhe shterruese për disidencën dhe unë mendoj se e përfshin Kunderën. Mbetet gjithmonë e debatueshme masa dhe cilësia e kontributit disident. Kundera ska tentuar kurrë të fshijë njollat e së shkuarës politike studentore, duke thënë ndër të tjera: “Nëse shkruaj një histori dashurie dhe aty gjenden tre rreshta për Stalinin, njerëzit do të flasin për tre rreshta dhe do të harrojnë pjesën tjetër dhe do ta lexojnë pjesën tjetër për implikimet e saj politike ose si një metaforë për politikën (Kundera, 1984, NYT)”.

Regjimi i atëhershëm lejoi edhe Kunderën edhe Havelin të largoheshin nga vendi i tyre, Kundera u largua dhe Haveli ndenji aty duke kontribuar, kjo nuk do të thotë që rifillimi i jetës pa drama të Kunderës në Montparnasse, ishte një fakt që duhej përbuzur. Aspak, Kundera ishte një njeri dhe jo monument sakrifice (tani po mendoj se pas vdekjes, apartamenti i tij në Paris do të kthehet në muze dhe Kundera do përjetësohet më pas si shkrimtar francez për brezat që do vijnë, të painteresuar ndoshta për totalitarizmat. Ai sdo ketë një shtëpi të dytë në Ceki ndoshta, si Frojdi me një shtëpi muze në Vjenë e një tjetër në Londër…).

Në vrullin e polemikave të pamundësisë së tij për të qënë objektiv, Kundera beson se pushtimi rus i 1968 i Cekosllovakisë, përcaktoi fate njerëzore dhe kombëtare. Në esenë e tij “Tragjedia e Evropës Qëndrore” botuar në vitin 1984, ai pohon se pas vitit 1945, Evropa u përkufizua në atë Perëndimore, Qëndrore dhe Lindore. Sipas tij Evropa Qëndrore (Ceki, Sllovaki, Poloni, Hungari) ishte sinonim i konceptit të Perëndimit sepse i përkisnin kristianizmit romak; ishte më shumë se një zonë gjeografike, entitet gjeografikisht në qënder, kulturalisht në perëndim dhe politikisht në lindje.

Revoltat ndaj regjimeve autoritare në Evropën Qëndrore sipas tij janë në thelb, pikësëpari kulturore. Sepse populli i këtyre vendeve me rrënjë dhe orientim perëndimor, në momentet e rrezikimit të shkatërrimit të identitetit dhe kulturës së tyre nga presioni i madh i fuqive pushtuese (Rusia) reagonin në mbrojtje të vetvetes, deri në atë pikë sa kultura u kthye në vlerë supreme mbijetese.

Identiteti sipas Kunderës i barazuar me kulturën, solli revoltën e madhe të hungarezëve në vitin 1956 e që filloi nga një grup shkrimtarësh; revolta e studentëve në Poloni në vitin 1968 filloi për shkak të ndalimit të vendosjes në skenë të një vepre nga një shkrimtar polak si dhe Pranvera e Pragës lulëzoi pikërisht nga filozofia, letërsia, teatri dhe filmi (fusha në të cilat Kundera kishte kontribuar).

Ideja qëndrore e Kunderës për fatkeqësitë e Evropës Qëndrore vë përballë Rusinë me dëshirën e saj për të homogjenizuar cdo popull tjetër.

Në kontekstin e Rusisë si një gjë e huaj dhe ndryshe, trashëgimia e së cilës si ofron asgjë Evropës, Kundera shprehet dhe për letërsinë ruse, ndërsa thotë se kjo letërsi e trembte atë, se ende sot, horrorizohej nga disa novela të Gogolit dhe gjithcka të shkruar nga Saltykov-Shchedrin (që njihej si satirist i madh rus) se do të dëshironte që të mos e kishte njohur kurrë botë, se do të ishtë më mirë sikur kjo botë të mos kishte ekzistuar fare (Tragjedia e E.Qëndrore, 1984).

Paradoksalisht, Kundera sulmon letërsinë ruse pa treguar kujdes se po fyen identitetin rus dhe mbi të gjitha nuk po bën dallimin mes pushtetit dhe popullit rus. Por edhe këtu Kundera është personalisht i lirë.

Në kontekstin e intolerancës kulturore me rusët, ai godet pa mëshirë Dostojevskin. Si fillim, unë jam lexuese e qëndrueshme e Dostojevskit, i cili për mua është më shumë se shkrimtar rus, është autor i shenjtë për shpirtin njerëzor, të cilin e kam dashur gjithmonë.

Në vitin 1985, Kundera botoi esenë me titull: “Një Prezantim me një variacion” në të cilën shprehet për Dostojevskin: “Cfarë më irriton mua për Dostojevskin, është klima e novelave të tij, një univers ku cdo gjë kthehet në ndjenjë, me fjalë të tjera, ku ndjenjat promovohen në vlerën e së vërtetës”.

Vijon të shpjegojë se rreth vitit 1968, kur vendi i tij i vogël u pushtua nga rusët dhe për pasojë librat e tij u hoqën nga qarkullimi, Kundera u detyrua të përballej me nevojën për mbijetesë, pasi mezi fitonte bukën e gojës, derisa dikush për ta ndihmuar financiarisht i propozoi vendosjen e përpunuar në skenë, të një pjesë nga Idioti i Dostojevskit. Kundera thotë se e rilexoi veprën dhe se edhe sikur të vdiste për bukë, sdo të mund ta inskenonte. Ai nuk nguronte të thoshte se vepra e Dostojevskit i ngjallte neveri, se kishte një univers përplot gjestesh të fryra, thellësi mizore dhe sentimentalizëm agresiv.

Por edhe kësaj rradhe, kontradiktor, ai shpjegon se ky qëndrim nuk ishte pasoje e ndjenës antiruse sepse ai vazhdonte të dashuronte Cehovin. Po ashtu në intervistën me Filip Roth ai tha se: “Më pëlqen shumë Tolstoi. Ai është shumë më modern se Dostojevski. Tolstoi ishte i pari, ndoshta, që kuptoi rolin e sjelljes irracionale në sjelljen njerëzore”.

Kundera beson se aryeja duhet të prevalojë mbi ndjenjën dhe se ndjenjës smund ti jepët statusi i të vertetës absolute pasi kjo mund të gjenerojë tmerr dhe brutalitet; mizori mund të kryhen në emer të dashurisë. Në përforcim të idesë së tij, Kundera në esenë e lartcituar i referohet Jungut i cili sipas tij paska thënë se ndjesitë janë superstrukturë e brutalitetit.

Unë mendoj se ky është një qëndrim i reduktuar, i mangët i Kunderës si dhe një cudi e madhe gjithashtu e profilit të tij si shkrimtar. Skema që ndërton Kundera është: arsye/mendim që gjeneron ndjenjë/ e më pas veprim. Dostojevski është tjetër gjë: ndjenjë/mendim/veprim në kufinjtë e fatalitetit/pendim dhe më pas rikthim të ndjesia fillestare/ deri te Zoti.

Në përgjigje të këtij qëndrimi Kundera provokoi polemikën më të rëndësishme që arriti të zgjonte vëmëndjen e shtypit perëndimor, shkrimtari Brodsky reagoi.

Ai hodhi poshtë pretendimin se në emër të ndjenjave janë bërë krime duke thënë se krimet janë bërë nga nevoja historike. Sipas tij Kundera është i pasigurtë në përballjen e tij me Dostojevskin dhe se është i paqartë në përkufizimet për gjeografinë dhe historinë duke shtrembëruar veprën e Dostojevskit. Hedh idenë se Kundera është thjesht xheloz, duke thënë se vepra e Dostojevskit nuk është për ndjenjat por për hierarkinë e tyre dhe se ai është shumë kompleks dhe jo lehtësisht i menaxhueshëm.

Brodsky shtron pyetjen: nëse Kundera i ngre piedestal mendimit racional, a lejon arsyeja që në emër të saj, të bëhen zbulime të verteta? A mundemi të zbulojmë shpirtin njerëzor duke u nisur nga arsyeja? Dostojevski në veprën e tij, ka pikërisht këtë mision të vecantë. Të zbulojë nëpërmjet ndjesisë, irracionales, të shëmbë parametrat kufizues të entitetit shpirtëror. Individi i Dostojevskit është më i thëllë se ai i Kunderës…Dostojevski hedh dritë ndërsa ai i Kunderës është në zbulim të dritës së ekzistencës. Brodsky ndër të tjera thotë se Kundera kërkon të jetë më evropian se vetë evropianët, për shkak se ka jetuar gjatë në Evropën Lindore. Unë i jap të drejtë, me dilemën e pasjes së ndonjë reminishence inferioriteti të Kunderës, në këtë rast, por kjo është një gjë krejt e parëndësishme.

***

Pas këtyre shënimeve të shpejta e të paplota më lindi dëshira të rilexoja “Testamentet e Tradhëtuara”, që mbaj mend e kisha lexuar së fundmi, në një nga udhëtimet e mia për New York…kisha frikë të sigurtë, se do gjejë pasaktësi në përshtypjet e mia për Kunderën… intelektual i madh që cdoherë, pas cdo rileximi, më shfaqej ndryshe, si mjeshtër i palodhur paradoksesh dhe misteresh.

Ky tutor i madh i përkthimeve dhe privatësisë së tij!

Ky dashnor i nostalgjisë dhe jo dashurisë!

Shqipëroi : ALMONA BAJRAMI

Burimi: NYT

Check Also

mantra, france

Aty ku ka vullnet, lulëzon arti

Mantra është një artist i talentuar me bazë në Francë, i cili ka kthyer mure …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *