Një test për PDK’në

Për PDK’në, më i fortë se vullneti për ta rrëzuar qeverinë e Avdullah Hotit duket të jetë tundimi për t’iu bashkuar asaj. Në vend se të largojë një “qeveri mashtruese”, siç e ka cilësuar, mund të bëhet pjesë e një mashtrimi më të madh. Mbetet të shihet se si do ta kalojë testin e përgatitur nga VV.

Imer Mushkolaj

Partia Demokratike e Kosovës ndodhet në një situatë interesante, por edhe të vështirë. Në njërën anë Lëvizja Vetëvendosje po i kërkon publikisht t’i bashkohet iniciativës për ta rrëzuar qeverinë e Avdullah Hotit. Në anën tjetër, Isa Mustafa po i bën thirrje publikisht që t’i bashkohet po kësaj qeverie.

Menjëherë pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, Kadri Veseli pranoi rezultatin dhe tha se PDK do të qëndronte në opozitë. Nga opozita ndihmoi rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit, por po heziton të veprojë njësoj edhe me qeverinë e Hotit.

Nga perspektiva e dikujt që nuk e ka idenë si zhvillohet politika në Kosovë, pozicioni i PDK’së do t’i dukej absurd: në njërën anë deklarohet se qeveria aktuale duhet rrëzuar sepse nuk po qeveris si duhet, e në anën tjetër nuk bën asnjë veprim që koalicioni të bie. Përkundrazi, ka indikacione të qarta se po përgatitet të bëhet pjesë e qeverisë aktuale.

Sa herë e kemi dëgjuar Kadri Veselin dhe zyrtarë të tjerë të PDK’së duke thënë se qeveria e Hotit është e njëjtë me atë të Kurtit – të dyja janë mashtruese. Mbase vetëm PDK e ka ndonjë formulë se si mund të bëhet pjesë e një “qeverie mashtruese” dhe ndonjë arsyetim që mund t’i besojnë veç militantët që e përkrahin verbërisht.

Sa herë i kemi dëgjuar liderët partiakë duke përmendur vija të kuqe dhe shprehjen e famshme “kurrë më”. Isa Mustafa dhe zyrtarë të tjerë të LDK’së vazhdimisht viteve të fundit kanë përsëritur “kurrë më me PDK’në”. Një refren i njohur ky i kësaj partie, që zakonisht ka marrë fund me bashkim në koalicion. Nuk ka asnjë arsye që sërish të mos ndodh njësoj. Sa për parime e premtime, ato marrin fund me përfundimin e zgjedhjeve.

Sa herë e kemi dëgjuar VV’në e zyrtarët e saj duke përmendur “vijën e kuqe” me PDK’në. Tash, kur po duan ta rrëzojnë qeverinë, kjo vijë e kuqe është zhdukur, pavarësisht se VV nuk po e pranon. Ta duash PDK’në për ta rrëzuar një qeveri, e të mos e duash për ta krijuar një tjetër nuk ka të bëjë me parimin. Siç nuk ka të bëjë me parimin as ideja se ishte e papranueshme rrëzimi i Qeverisë Kurti gjatë pandemisë, por Qeveria Hoti bën të rrëzohet.

Arsyetimi i PDK’së mund të jetë se gjërat mund të ndryshojnë me vendimin për konfirmimin e aktakuzës ndaj Veselit nga Gjykata Speciale. Situatë e kuptueshme, por jo edhe përpjekja për të mohuar çdo gjë që ka të bëjë me mundësinë e përfshirjes në koalicionin aktual. Tekefundit, PDK nuk heziton të deklarojë se nuk ka vija të kuqe me asnjë subjekt politik dhe nuk përsërit si LDK “kurrë më”.

* * *

Me vendimin për t’u përfshirë në qeveri, PDK do të përfitonte pushtet, por edhe do të mund të llogariste në postin e presidentit. Tash për tash, lakmuesi më i madh për këtë pozitë është Ramush Haradinaj, i cili me qasjen karshi qeverisë në të cilën bën pjesë partia e tij, po shton presionin që t’i ofrohet mundësia të bëhet i pari i vendit.

Me hyrjen e PDK’së në qeveri, fuqia politike e AAK’së do të zbehej, sepse pushteti i LDK’së nuk do të varej nga votat e partisë së Haradinajt.

Në anën tjetër, LDK do të përfitonte siguri në vazhdimin e qeverisjes, procesit të dialogut me Serbinë dhe arritjes eventuale të marrëveshjes finale.

Në një situatë hipotetike, po që se Veseli do të detyrohet të ballafaqohet me akuzat e Gjykatës Speciale, PDK’së i mbetet të zgjedh të qëndrojë në opozitë ose të bëhet pjesë e koalicionit qeveritar. E dyta mund të jetë zgjidhje më e favorshme për partinë. Andaj edhe qëndrimi “as mish, as peshk” i PDK’së karshi mundësisë për të mbështetur mocionin e mosbesimit. Një situatë “mes dy zjarresh”, me mundësinë të zgjedh se në cilin zjarr ka mundësi të digjet më pak. Gjasat që të shuhen flakët janë të vogla.

Në anën tjetër, me mënyrën se si e ka nisur idenë e mocionit, VV synon që PDK’në ta zhvesh përpara qytetarëve, në kuptimin e përcaktimit nëse është parti opozitare, apo parti që i konvenon vazhdimi i qeverisjes së Hotit, me kushtin që të jetë vetë pjesë e saj. VV ka ditur vazhdimisht të përfitojë politikisht në të tilla situata. Po të ishte serioze iniciativa për mocionin, atëherë VV e PDK do të duhej të merreshin vesh se si të veprojnë së bashku dhe t’i sigurojnë votat e nevojshme për të pasur sukses.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.