Një rast i ri, shkon në1,048 numri i të prekurve me COVID19 në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) njoftoi se të mërkurën është konfirmuar vetëm një rast me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

“Janë testuar gjithsej 267 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Rasti pozitiv është rast kontakti nga komuna e Vushtrrisë”, thuhet në njoftim.

Me të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 1,048.

IKSHPK-ja po ashtu bëri të ditur se të mërkurën janë shëruar edhe shtatë pacientë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 801.

Deri më tani në Kosovë 30 pacientë kanë humbur jetën.

Siç dihet shenjat kryesore të infektimit me COVID-19 janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.

Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,593,148 njerëz të infektuar, 350,509 të vdekur dhe 2,288,034 të shëruar.

Shtetet e Bashkuara kanë 1,681,212 raste të prekura me koronavirus dhe 98,929 të vdekur.

Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,130 viktima.

Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.

Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.

Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS – viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.

PARANDALIMI

Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.

OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.