Ballina / Kulturë / Një natë në dhomën e Paul Verlaine
In Fabric

Një natë në dhomën e Paul Verlaine

Ka një hotel në Paris si dhe restoranti poshtë i quajtur “La maison de Verlaine” i cili ka mbetur po ashtu siç ka qenë më shumë se një shekull më parë. Eshtë në 37, Rue Descartes, ku më 8 janar 1896 vdiq poeti Verlen

Një ndërtesë gjashtë katëshe, pa ballkone, me dritaret nga rruga që shikojnë atë lëvizje të shumtë njerëzish që vijnë nga Rue Mouffetard, e përshkuar nga shumë turistë të parreshtur.

Në Paris i kisha ndjekur prej kohësh gjurmët e jetës së Verlenit. Kisha qenë në « Rue Nicolet » apo në hotelet ku ai kishte jetuar në periudha të shkurtëra, veçanërisht në « Hôtel Lisbonne », ku jo rrallë, mjaft miq të mi kur vinin në Paris, shkonin të kalonin disa netë të këndshme, dy hapa nga «Place de la Sorbonne». Kisha parë gjithashtu dhe spitalet apo shëtitoret që sot mbajnë emrin e tij. Më kujtohet gjithnjë ajo mbrëmje e vonët, kur rastësisht u ndodha « Rue Descartes », ku në një pllakë mermeri shkruhej: «Këtu ka banuar dhe ka vdekur Paul Verlaine, më 8 janar 1896». Shtëpia ku ai kishte jetuar pak kohë me Rembonë (Rimbaud), në “Rue de Campagne-Première”, dhoma ku ai përjetoi dhe aventurën homoseksuale me të, nuk ekziston më. “Rue Descartes”, është në fakt stacioni i fundit i itinerarit të jetës së tij.

Dy vitet e fundit të jetës së Verlenit ishin të trishta dhe të dhimbshme, siç shkruan dhe ai në poezinë e tij Shpresa e fundit:

“… Të jetoj akoma? Përse e dashur,

Hiçi si ftohtësia do më pushtojë,

Por të paktën thuam,

Në zemrën tënde vallë a do jetoj?…”

Lufta e prostitutave

Edhe pse me një jete të dhimbshme e dramatike, ndarja me Rembonë, ndarja me gruan e tij, burgu në Belgjikë, etj, Verleni përsëri nuk e kishte humbur ndjesinë e tij ndaj femrave, madje shumë nga poezitë e tij ishin himne kushtuar dashurisë femërore, siç kishte qenë dhe zonja Marie Gambier, fatkeqësisht, një prostitutë. Por tani ai kërkonte të krijonte një familje, meqë Matilda ishte martuar me një tjetër dhe të birin ia mbante gjithnjë larg. Kështu Verleni filloi të bjerë në dashuri dhe të mos shkonte më në shtëpitë publike. Në vëllimin poetik Këngë për të, ai shkruante:

“… A je brune apo bonde?

Sytë e tu janë të zinj apo blu?

Nuk e di, por qartësinë e tyre dua

Flokët e tua të pushpuritura që i aq shumë adhuroj…»

Disa kohë, Verleni jetoi me një prostitutë të quajtur Philomene, një grua e gjatë, kuqse, e cila e kishte qef zbukurimin e figurës së saj. Ajo pëlqente të lyhej e të vishej me mëndafshe. Por për këtë i duheshin paratë e Verlenit. Jo rrallë me një poezi të Verlenit në dorë ajo paraqitej tek botuesi i tij Vanier dhe e shkëmbente poezinë me ca para. Verleni i shiste kështu poezitë e tij për të kënaqur mikeshat e dashura. Ishte një poet fisnik.

“… Po, ti ishe si një heroinë

dhe tani jeton

si një statujë gjithnjë e bukur

mbi rrënojat e shpresës që vazhdon…”

Më pas Verleni ra në dashuri me një femër tjetër, një topolake simpatike të quajtur Eugenie Krantz, edhe pse kohë më kohë takohej dhe me Philomene-n pikërisht në hotelin e Rue Descartes. Një pjesë e madhe e poezive të vëllimit Këngë për të, i kushtoheshin zonjushes Krantz. Botimi i disa librave të tij poetikë e kishin bërë tashmë Verlenin një figurën madhore të poezisë franceze. Ngado e ftonin nëpër konferenca ndërkombëtare që tu fliste për poezinë e re simboliste e dekadente, e në mënyrë të veçantë dhe për mikun e tij Rembo, të cilin ua kishte zbuluar lexuesve të botës. Ai shkoi në Angli, Belgjikë, Hollandë e gjetkë. Konferencat i sillnin të ardhura, për të cilat filluan të interesohen dhe të dashurat e tij. Pikërisht kur ai kishte vendosur të martohej me Eugenie, ish e dashura e tij Philomene, i shkruajti një letër në Londër, duke e njoftuar se në mungesë të tij, Eugenie shkonte me një djalosh të ri të quajtur Alfred. Kjo letër e tronditi shumë Verlenin dhe me kthimin në Paris, dy dashnoret e tij filluan të ziheshin aq shumë, saqë atëherë, siç shkruan dhe biografi i Verlenit, Henri Troyat, zënka e gjatë e tyre u quajt «lufta e prostitutave». Dhe kjo ndodhte pikërisht atje, në Rue Descartes…

Me mikun arvanitas, Jani nga Morea

Siç shkruan dhe biografi Henri Troyat, në rrethin e miqve dhe adhuruesve të Verlenit, në këtë kohë u shtua dhe poeti i çuditshëm me «origjinë greke», që më pas Apolineri do ta zbulonte që ishte arvanitas, shqiptar nga familja Diamanti. Emri i tij i vërtetë ishte Janis Papadiamanti, dhe gjyshi i tij admirali Tombazi nga Hidra kishte qenë një nga personazhet e njohura arvanitase që kishte kontribuar gjatë Revolucionit Grek. «Ky fisnik i Peloponezit, 26 vjeçar, me një zë të tingëllueshëm dhe që vishej si një «dandy» kishte një erudicion të madh. Shkëndia e miqësisë mes tij dhe “plakut” Verlen u ndez menjëherë».

Në atë kohë, Moréas-i ishte i bërë i njohur me botimin e vargjeve dhe librave të tij dhe ishte i pari që botoi manifestin e simbolistëve, duke krijuar kështu «Simbolizmin poetik francez». Kur do të botohej libri i tij poetik Pelerini i apasionuar, (Le Pelerine appasioné) Moréas dhe Malarmé kishin organizuar një darkë të madhe, ku ishte ftuar bota poetike pariziane, rreth 200 letrarë dhe artistë. Meqë Verleni ishte në spital, emrin e tij nuk e vunë në afishen e mbrëmjes kushtuar Moréasit dhe kjo gjë e zemëroi Verlenin, por sidoqoftë, dollitë për të në atë mbrëmje në mungesë të tij, e qetësuan shpirtin e poetit. Madje ai do t’i kushtonte dhe një poezi mikut të tij, Për Jean Moréas:

«Eshtë i bukuri Moréas…»

Me Moréasin dhe grupin e miqve të ngushtë, Verleni do të kalonte vitet e fundit të jetës së tij: takime në spital dhe në dhomat e hoteleve ku qëndronte, mbrëmje poetike, apo shëtitje në Parisin e atij fund-shekulli. Kur Moréas botoi Manifestin e Simbolizmit në Le Figaro dhe më pas krijoi revistën Le Symboliste, ai i kërkoi Verlenit të botonte diçka poetike në revistën e tij dhe Verleni i dha poezinë Duart e Jeanne-s, edhe pse ai nuk kishte qef të bënte pjesë në rrymat letrare, pasi Verleni e shikonte krijimtarinë e tij si origjinale, madje ai ishte dekadent e symbolist, para se Moreasi të deklaronte krijimin e rrymës së simbolizmit poetik francez.

Kur Verleni ishte vendosur në «Hotel Lisbonne», ku në dhomën e tij mblidhte çdo të mërkurë miqtë poetë si Malarme, Moréas, poetët Adam, Villiers de l’Isle, etj, ata qëndronin atje gjer pas mesnate dhe pastaj zbrisnin për ndonjë gotë në kafenenë poshtë hotelit, në «Café Saint-François», përballë grilave të kopshtit të Luksemburgut. Duke u treguar kopshtet e Luksemburgut që dukeshin dhe nga dritarja e tij, Verleni u thoshte: «Unë jam princi pa pallat… por ja ku është parku im…»

Moréasi e çmonte shumë poetin e madh, madje në vitin 1890, Verleni dhe Moréasi punuan se bashku për përkthimin e një teksti të Calderonit. Poezi të tyre u botuan në të njëjtat revista si La Vogue, apo Le Chat noir, ku në kafenenë me të njëjtin titull në Montmartre, ata takoheshin më parë. Por këmba e majtë e Verlenit vuante gjithnjë e më shumë nga abseset e shumta.

Në këtë kohë do të fillojë dhe kalvari i vërtetë i Verlenit nëpër spitalet franceze. Nga spitali “Broussais”, ai kaloi në spitalin “Cochin”, pasi përveç kurimit të këmbës, ai mund të flinte e të ushqehej atje “gratis”. Të paktën kishte një krevat ku të ngrysej. Por shpesh ai mërzitej nga atmosfera e spitalit, dilte, vendosej në ndonjë hotel dhe pastaj rikthehej, për të vazhduar jetën e një të sëmuri, jetën e një të braktisuri nga biri i tij.

Ditët e para të janarit të vitit 1896, ishte botuesi Vanier që shkonte ta takonte Verlenin në apartamentin e tij për ta uruar për Vitin e Ri. Ai kishte botuar pothuaj gjithë krijimtarinë e tij: nga botimet e para e më pas vëllimet poetike si, Liturgji intime, Dashuri, Dikur dhe njëherë, Urtësi, Epigrame, Këngë për atë apo Ode për nder të saj… I trishtë, me një parandjenjë të çuditëshme dhe duke u kollitur, Verleni i kishte thënë: “Nëna ime dhe im atë kanë vdekur në janar!”

Pas këtij takimi, disa ditë më vonë, Verleni do të dergjej në ethe nga një pneumoni e fortë. Në fillim, ai nuk e kishte besuar se ky do të ishte fundi i tij, por kur i humbi të gjitha forcat, e ndjeu se orët i kishte të numuruara dhe menjëherë thirri doktorin. E ndjente se vdekja po i afrohej. A nuk kishte shkruar ai “Unë ju dua, Zonja Vdekje?” Njerëzit që ishin pranë tij i thanë se do ti sillnin dhe një prift, por Verleni, që dikur kishte qenë fetar dhe shkonte në kishë, e refuzoi atë. Ai nuk donte të rrëfehej. Jo pse i vinte turp për të kaluarën e tij, por sepse tani nuk i donte më priftërinjtë. Ai vdiq pa rënkuar, paraditen e 8 janarit të atij viti. Fjala e tij të fundit ishte «François». Miqtë e tij, që ato çaste ishin pranë, nuk e kuptuan se cilin François thërriste ai, por dikush që e njihte adhurimin që ai kishte për poetin François Villon, u tha se duhej të ishte ai.

Po, gjeniu shkonte. Ashtu siç do të shkruante dhe poeti e miku i tij Mallarmé: «Gjenia që shkon drejt së ardhmes dhe që mbetet si hero». Atë ditë atij i veshën një këmishë të bardhë. Pastaj, mbi gjoks, i vunë dhe një kryq. Miku i tij i afërt, piktori Cazal, e vizatoi atë portret të paqtë e të menduar. Saint-George de Bouhelier, që kishte shkuar ta shikonte një natë më parë, botoi të nesërmen në Le Figaro një shkrim për të, ku ndër të tjera, shkruante: «Pamja e tij me atë kafkë të tmerrshme dukej sikur ëndërronte. Ishte një dhomë e thjeshtë, por prekëse. Në mure vareshin ca tablo, por sytë e mij ndeshën të vdekurin e mjerë që kishte rënë në një gjumë të përjetëshëm. Në qafën e dobët i kishin lidhur një kravatë të zezë…”

Të nesërmen, pas një meshe në kishën e afërt Saint-Etienne, karvani funebër u nis drejt Batignolles në periferi të Parisit. I biri i tij, Georges, atë ditë mungonte. Bashkë me miqtë e ngushtë të Verlenit, Mallarmé, Coppé, Cazals, mbi varrin e tij foli dhe Moréasi, me një fjalim prekës e patetik. Ndërkohë një klithmë e madhe pushtoi varrezat e Batignolles. Ishte Eugenie që thirriste: “Po! Pol!… Verlen! Gjithë miqtë e tu i ke këtu!»… Ajo donte që ai ta dëgjonte dhe të ndjente dhimbjen e miqve të vërtetë. Kur të gjithë u larguan, nën atë qiell të ngarkuar me shi, dhe kur varrmihësit mbetën vetëm me varrin e sapo hapur, një grua me të zeza ishte afruar. Ishte Philomene me një tufë zambakësh e mimozash në duar, për t’i dhënë përshëndetjen e fundit poetit të dashur, autorit të aq poezive për të, të përgjëruarit, të ndjerit, të ëmblit Verlen.

Kështu largohej nga kjo botë poeti i madh, duke lënë pas aq shumë histori,  jetë boheme, vuajtje, përçartje e ngazëllime, duke lënë pas këngët dhe vargjet drithëruese të tij, një shpirt të revoltuar ndaj shoqërisë dhe kohës.

Luan Rama

Check Also

Rëndësia e kanunit nëpër botë

Shumë personalitete botërore kanë folur dhe e kanë studiuar Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ish-presidenti amerikan …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *