Ballina / KRYESORE / Një multilateralizëm i fragmentuar?
kemal dervis

Një multilateralizëm i fragmentuar?

Me strukturat multilaterale nën sulm, një sistem i ri në të cilin grupimet e vendit do të formulonin grupet e tyre të rregullave, mund të duket si një alternativë e besueshme.

Por tendenca drejt ndërvarësisë ekonomike dhe madje edhe shoqërore kërkon rregulla dhe standarde globale.

Mes sulmeve të vazhdueshme nga presidenti amerikan Donald Trump, ka filluar beteja për të ardhmen e multilateralizmit. Kërkesat e mëparshme për reforma pragmatike janë përshkallëzuar në presion për transformimin tërësor– ose edhe shkatërrimin total – të kornizës globale të institucioneve multilaterale. Trump duket se preferon një “sistem” në të cilin marrëveshjet dypalëshe zëvendësojnë rendin multilateral të bazuar në rregulla. Ndërsa SHBA-ja është ende ekonomia më e përparuar në botë (dhe një nga më të mëdhatë përsa i takon çmimeve të tregut), ai beson se Amerika mund të arrijë “marrëveshjen” më të mirë duke negociuar e vetme, pa lidhje me rregullat ndërkombëtare – një pikëpamje që shtrihet në çështjet ushtarake.

Edhe pse multilateralizmi kishte bërë progres substancial që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ekzistonte nevoja për për reformë të vazhdueshme, për shkak të ndryshimeve në strukturën e ekonomisë botërore. Deri në fund të viteve 1990, ekonomitë në tregjet në zhvillim ishin rritur në përmasa dhe aksione tregu, duke kaluar “Quad”-in (SHBA, Kanada, Bashkim Europian dhe Japoni), që kishte dominuar Marrëveshjen e Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë dhe pasardhësin e GATT , Organizatën Botërore të Tregtisë. Një ndryshim i ngjashëm në “peshën ekonomike” preku Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Në qendër të këtij ndryshimi ishte rritja spektakolare e Kinës.

Në rastin e OBT-së, numri më i madh i vendeve në zhvillim që ishin bashkuar gjithashtu bëri përshtatjen e nevojshme. Paaftësia për të përfunduar raundin e negociatave të Dohas, pas 14 vjet bisedimesh, ishte një simptomë e problemit. Në vitin 2010 u shfaq një sistem në të cilin negociatat mega-rajonale të tregtisë – më e rëndësishmja, ato për Partneritetin Trans-Pacifik dhe Partneritetin Trans-Atlantik të Tregtisë dhe Investimeve dhe negociatat e tjera “minilaterale” u zhvilluan jashtë kornizës së OBT-së.

Sulmet e Trump, që vijnë pas dështimit të Raundit të Dohës, mund të çojnë drejt fundit të një OBT-je funksionale. Por debati rreth fatit të OBT-së është pjesë e një diskutimi më të gjerë në lidhje me multilateralizmin, që përfshin Kombet e Bashkuara, G20 dhe FMN-në. Tre “sisteme” alternative duket të jenë të mundshme.

Alternativa e parë është një sistem i dominuar nga marrëveshjet dypalëshe, në të cilat mungojnë rregullat ndërkombëtare dhe e drejta ndërkombëtare. Kjo do të zbatohej jo vetëm për tregtinë, por edhe për shumë çështje rregullatore “pas kufijve” që janë bërë pjesë e negociatave tregtare. Kjo gjithashtu do të minimizonte rolet e FMN-së dhe Bordit të Stabilitetit Financiar dhe do t’i jepte fund përpjekjes multilaterale të udhëhequra nga G20 për të parandaluar një garë në fund nga strategjitë e korporatave për optimizimin e taksave. Në formën e tij ekstreme, ky vizion bëhet një në të cilin mbizotëron “ligji i xhunglës”.

Alternativa e dytë është sistemi aktual, në të cilin vendet përdorin multilateralizmin global për të vënë në zbatim rregullat e përbashkëta. Ky sistem përfshin shumë organizata rajonale; në krye të sistemit, megjithatë, ndodhen institucione ndërkombëtare multilaterale si FMN-ja, Banka Botërore dhe OBT-ja, me qëllim formulimin e rregullave dhe standardeve globale.

Së fundi, mund të parashikohet një sistem në të cilin përpjekja për të vendosur rregulla globale është braktisur, por grupimet rajonale ose ato të vendeve që ndajnë të njëjtin mendim të formulojnë rregullat e tyre. Ky lloj sistemi do të akomodonte ndryshimet në preferencat që mund të kenë vendet. Në teori, duhet të jetë e lehtë të përfytyrohen dy sisteme të ndryshëm rregullatorë që pasqyrojnë, për shembull, prioritetet e ndryshme që SHBA-ja dhe BE-ja i caktojnë privatësisë. Në praktikë, megjithatë, zbatimi i dy sistemeve të ndryshme do të ishte i komplikuar, duke pasur parasysh ndërveprimin e thellë midis SHBA-së dhe BE-së dhe është vërtetuar se është e vështirë në rastin e Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të BE-së.

Sistemi i parë hedh poshtë të gjitha përpjekjet për të siguruar mallra publike globale dhe për të menaxhuar efektet e mbivendosjes, përfshirë ato që kanë ndodhur gjatë dekadave të fundit. Vendet do të bëheshin lojtarë në një lojë hakmarrjeje të vazhdueshme që krijon humbje edhe për më të fortët, të cilat ndoshta do të çonin në konflikt ushtarak. Është pikërisht kjo ajo që liderët e fuqive fitimtare pas Luftës së Dytë Botërore u përpoqën të shmangnin.

Por refuzimi i “ligjit të xhunglës” nuk nënkupton se gjithçka po funksionon mirë nën institucionet dhe rregullat ekzistuese. Ekziston një kërkesë e qartë për disa dallime në rregulla dhe standarde për të përshtatur preferencat e ndryshme.

A do të thotë kjo se ne duhet të miratojmë sistemin e tretë, një multilateralizëm të fragmentuar, pa shumë vend për institucionet globale?

Pasi dikush të ketë menduar mirë shkallën e ndërvarësisë, jo vetëm të ekonomive, por edhe të shoqërive botërore, bëhet e qartë se një sistem i fragmentuar nuk do të ishte i aftë të ofronte mallra dhe përfitime publike globale. Sigurisht që ka vend që grupimet rajonale ose vendet me prirje të ngjashme të organizohen. Institucionet tona globale shpesh nuk ndjekin parimin e subsidiaritetit.

Me këtë që u tha, nevoja për rregulla globale, siç janë ato që kanë të bëjnë me klimën, do të rritet me teknologjitë e reja. Ne jemi në fillim të një revolucioni kognitiv që thjesht mund të përforcojë sfidat globale. Siguria kibernetike kërkon veprim global. Një fushë që ne tani po fillojmë ta mendojmë, inxhinieria gjenetike, do të kërkojë rregulla dhe kufizime globale. Në fushën ushtarake, ne kemi traktatin për mospërhapjen e armëve bërthamore; së shpejti do të kemi nevojë për një traktat që synon kufizimin e përdorimit të ushtarëve robot që vihen në lëvizje nëpërmjet inteligjencës artificiale. Në fakt, në përgjithësi, përdorimi i inteligjencës artificiale do të kërkojë gjithashtu atë që mund të quhet etikë e re globale.

Duhet të inkurajohet patjetër bashkëpunimi midis vendeve të ngjashme apo gjeografikisht të afërta. Por kjo nuk zëvendëson rregullat dhe standardet globale që nevojiten për të përballuar sfidat ekzistuese dhe ato në lindje e sipër në botë.

@Fluidi

Provo po ashtu

fundi iluftes se pare boterore

Fundi i Luftës së Parë Botërore – Asgjë nuk ka kaluar!

100 vjet pas Luftës së Parë Botërore, Evropa është përplot frikë dhe paralajmërime. Ai që …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.