Në pesë vjetorin e riformatimit të festivalit tradicional që njihej si festa e rrushit tash i njohur si “Hardh Fest” , organizaotrët kanë paraqitur sloganin “Një got’ për mot!”
Ky festival i cili nis më 16 dhe përfundon më 18 gusht, do të sjellë emra të ndryshëm të muzikës e po ashtu do të paraqiten pije të ndryshme.
“Në këtë 5-vjetor, është koha që të ngremë të gjithë një dolli, si shenjë falënderimi për të gjithë ata që besuan në këtë ide, që sot është e njohur ndërkombëtarisht. Është koha të ngremë një gotë vere lart e të festojmë për shume mot, dashuri e shëndet.
Të festojmë nga e ardhmja e të falënderojmë të kaluarën dhe të tashmen, për një edicion të ri, që do të jetë i paharruar, e cili do të mbahet në datat 16, 17, 18 gusht”, thuhet në njoftimin e bërë për media.
Ndërsa festivali i vjeljes së rrushit është shënuar që nga pas lufta, “hardh Fest” ka ardhur si një ri-formatim apo një dizajnim i ri i logos, por edhe i organizimit.
Festa tradicionale e vjeljes së rrushit në Rahovec në vitet e kaluara organizohej në muajin shtator, muaj i cili njihet për vjeljen e rrushit. Vreshtaria flet për kulturën dhe civilizimin e popullatës së kësaj ane.
Disa prej aktiviteteve që mbaheshin ndër vite është edhe gara për shtrydhjen e rrushit, garë për zgjedhjen e mbretëreshës së vreshtave.