fbpx

Ngjarjet në Maqedoni ja si reaguan liderët

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në emër të Qeverisë së Republikës, ka shprehur “brengosjen e thellë” për dhunën në Kumanovë të Maqedonisë.

“Besoj thellë se evitimi i dhunës është në dobi të të gjitha palëve dhe të stabilitetit në Maqedoni, për çfarë Kosova është shumë e interesuar”, ka thënë Mustafa përmes një postimi në Facebook.

Presidentja e Republikës së Kosovës,  Atifete Jahjaga, ka shprehur “shqetësimin e saj të thellë” për situatën në Kumanovë të Maqedonisë.

Përmes një komunikate për media, presidentja Jahjaga ka apeluar te të gjitha palët që të respektojnë ligjin dhe të përmbahen nga dhuna.

Ajo ka thënë se është në komunikim të rregullt me institucionet relevante të vendit.

“Republika e Kosovës dënon ashpër cenimin e rendit dhe sigurisë nga çfarëdo individi apo grupi, me qëllime destabilizuese në Maqedoni. MPJ njëkohësisht apelon te të gjitha palët që të përmbahen nga dhuna dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut politik, në kuadër të institucioneve të vendit dhe Marrëveshjes së Ohrit, që garanton integritetin e Maqedonisë dhe përmbushjen e të drejtave të komuniteteve”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati shprehu  shqetësimin lidhur me situatën në Kumanovë. Në një konferencë për shtyp nga ministria e Jashtme, Bushati u shpreh kërkoi hetim të plotë të çështjes nga pala maqedonase.

“Vlerësimet e qeverisë shqiptare lidhur me situatën e deritanishme mbi fillimin e një operacioni të gjerë në lagjen e Trimave e banuar kryesisht nga shqiptarë, janë shqetësuese. Janë lënduar një numër ende i pakonfirmuar personash. Ne nxisim palën maqedonase për hetime të plota për zbardhjen e kësaj çështjeje. Po ashtu bëjmë thirrje që çdo person apo grup i armatosur të mos identifikohet etnikisht”, tha Bushati.

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka thënë se është duke ndjekur me vëmendje situatën e orëve të fundit në Maqedoni dhe ka shprehur shqetësimin e saj për situatën e krijuar, “me pasoja të rënda në jetë njerezish, dëmtime të pronës dhe rendit publik”.

“Dënojmë aktet e dhunës dhe bëjmë thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe për mospërshkallëzim të mëtejshëm të situaës, e cila nuk i shërben stabilitetit demokratik dhe prosperitetit të Maqedonisë”.

“Gjuha e urrejtjes dhe veprimet ekstreme duhet t’i lenë vend angazhimit ndaj të drejtave themelore, demokracisë dhe shtetit ligjor”, thuhet në deklaratën e MPJ-së në Tiranë.

Ndërkohë, lideri i partisë maqedonase në opozitë, LSDM, Zoran Zaev, i ka bërë thirrje kryeministrit Nikolla Gruevski që menjëherë të dalë para qytetarëve dhe të japë sqarime, kush, pse dhe me çfarë qëllimi po e destabilizon Maqedoninë.

“Pse grupe kriminale nga territoret e vendeve tjera fqinje hyjnë në Maqedoni? Kush i organizon dhe për çfarë qëllimi? Të njëjtën duhet ta bëjë edhe Ali Ahmeti. Viktima janë qytetarët – edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, edhe policët, edhe popullata civile”, ka theksuar Zaev.

Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni ka apeluar qytetarët e Kumanovës për vetëpërmbajtje dhe gjakftohtësi. Në një deklaratë për mediat, partia e Ali Ahmetit shprehet se destabilizimi nuk është në interes të vendit.

“Jemi të bindur që vetëm një Maqedoni stabile dhe e sigurt ndihmon rajonin dhe asnjë destabilizim i vendit tonë nuk është në interes të kombit shqiptar në rajon. Shqiptarët në Maqedoni kanë agjendë të paracaktuar dhe në bashkëveprim me SHBA, BE dhe NATO duan ta shohin këtë vend me barabarësi të plotë, me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, në paqe e stabilitet, si dhe të anëtarësuar në Aleancën VeriAtlantike e të integruar në Bashkimin Europian.

Ftojmë edhe mediat dhe opinionbërësit të dëshmojnë përgjegjësi të lartë në këtë kohë shumë delikate, si dhe të përmbahen nga nxitja e mëtejshme e situatës së rëndë. Në veçanti, qytetarët e Kumanovës dhe të lagjes ku u zhvillua ndërhyrja, duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme”, thuhet në komunikatë.

BDI i ka kërkuar edhe ministrisë së Punëve të Brendshme të veprojë me përgjegjësi ndaj ndjeshmërisë së situatës.

Kurse lëvizja Vetëvendosje për situatën e krijuar akuzon Gruevskin. “Gruevski e ka shndërruar Maqedoninë në një shtet shtypës i cili shqiptarëve iu qaset vetëm përmes dhunës policore dhe represionit ushtarak” thonë në VV. Ky subjekt politik poashtu akuzon Ministrin e jashtëm të Kosovës , Hashim Thaçin. “Reagimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës me në krye Hashim Thaçin, i shkon përshtati Gruevskit, i cili po e justifikon sulmin e tij ndaj shqiptarëve me gjoja luftimin e grupeve të armatosura. Nuk e shohim asnjë fjali në reagimin e MPJ-së së Kosovës që e dënon sulmin mbi popullatën shqiptare atje” thuhet në reagimin e lëvizjes Vetëvendosje.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup ka lëshuar një deklaratë për media, duke shprehur keqardhje për, siç ka thënë, humbjen e jetëve nga aksionet e armatosura në Kumanovë.

“Na vjen keq për humbjen e jetëve të njerëzve dhe shprehim ngushëllimet më të thella për familjet e të vrarëve dhe të plagosurve. Ne po monitorojmë situatën dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe liderët politikë. U bëjmë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të lejojnë verifikimin e të dhënave”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane në Shkup.

Delegacioni i Bashkimit Evropian poashtu ka ndjekur me kujdes të dhënat dhe raportet lidhur me aksionin policor që po ndodh në Kumanovë dhe rrethinë.

“Jemi në kontakt me autoritet dhe me partitë politike. Fuqishëm apelojmë deri tek të gjithë qytetarët dhe faktorët politik që të qëndrojnë të qetë dhe të presin që qeveritarët relevant të tregojnë faktet dhe të sqarojnë atë që po ndodh. Shpresojmë që do të shmanget eskalimi i tensioneve”, thuhet në reagimin e Delegacionit të BE-së.