Ballina / Kulturë / Nexhmije Pagarusha nderohet me çmimin “Rexhai Surroi”

Nexhmije Pagarusha nderohet me çmimin “Rexhai Surroi”

Me një mini-dokumentar për Nexhmije Pagarushën ka qenë paralajmërimi se diva e muzikës shqiptare do të jetë ajo që do të nderohet me Çmimin për Vepër Jetësore “Rexhai Surroi” për këtë edicion.

Në të, pos disa momenteve që Pagarusha ndan me shikuesit e Kohavisionit, ajo tregon se zëri i saj është ende i fortë.

Me të marrë këtë shpërblim ajo ka thënë se është shumë e lumtur që zoti i dha jetë që ta marrë edhe këtë shpërblim shumë të dashur për të.

“Rexhai ka qenë një njeri i të gjithëve. I mirë, i qetë i mençur. Kurrë se ke pa të mrrolur. E ka dashur shumë muzikën, i binte pianos, harmonikës. E ka dashtë popullin e vet, këngën e vet dhe e ka mbrojtur atëherë kur ka qenë shumë zor”, ka thënë Pagarusha.

Ajo tha se vërtetë ka marrë shumë shpërblime, teksa përmendi atë “Artiste e merituar” e “Nderi i kombit”.

“Tash kam emocione tjera. Me Rexhain dhe familjen e tij kemi kaluar shumë kohë bashkë dhe shumë momente të mira. Jam e lumtur që e përjetova edhe këtë”,ka thënë Pagarusha pasi ka pranuar shpërblimin.

Ajo ka rikujtuar që është ndarë në vitin 1984 nga bina, dhe ka thënë se që çliruar.

“Ardit Gjebrea nuk më lë rehat dhe më riktheu në skenë. Njerëzit ku më shohin më nderojnë”.

Në fund të fjalës së saj, ajo ka ripërsëritur se “është shumë e lumtur që ndodhte në mesin gjithë atyre që kishin shkuar në ceremoninë prestigjioze të ndarjes së çmimeve vjetore për letërsi e gazetari të shkruar.
“Faleminderit edhe ju që keni ardhur sot për një figurë të madhërishme e të papërsëritshme – Rexhai Surroi”, ka thënë Pagarusha.

Ka qenë drejtoresha e Grupit KOHA, Flaka Surroi, ajo që para se t’ia japë shpërblimin ka lexuar një letër në vetën e parë, me evokim kujtimesh që e lidhin me divën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

“Jeni bërë me shumë nofka e tituj gjatë jetës suaj dhe karrierës pothuajse 40 vjeçare. Herët u tërhoqët nga muzika dhe na latë pa e shijuar zërin dhe interpretimin tuaj të veçantë. Ju quajtën Bilbili i Kosovës, Mbretëreshë e këngës shqipe; primadonë e melosit popullor; fyti i kristaltë; Ima Sumak shqiptare”, ka thënë Surroi në fund të fjalës së saj. “Por një njeri që rrezaton mirësi e ngrohtësi, me shpirt kaq të pasur dhe me ndjenje të theksuar të dashurisë ndaj të tjerëve, që moti mban titullin e Këngëtares më e madhe kosovare. Dhe nuk kam dyshim se së shpejti, vendet e tjera do t’i identifikojnë këngëtaret e tyre si Nexhmije Pagarusha e filan shteti. Ne jemi me shumë fat që ju kemi. Ju faleminderit për të gjithë veprën që na e keni lënë pas. Është art që nuk vdes kurrë”, ka shtuar krejt në fund ajo.

Provo po ashtu

Java Ndërkombëtarë e Njeriut me Shkop të Badhë

Në kuader të kësaj Akademie u bë promovimi i disa romaneve artisitike në shkrimin braj …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.