Nesër fillon faza e tretë e lehtësimit të masave

Gastronomia, taksitë dhe transporti urban dhe ndërurban, janë disa nga llojet e bizneseve që do t’ju lejohet ushtrimi i aktiviteteve në fazën e tretë nga vendosja e masave të reja që nga përhapja e pandemisë së COVID-19 në Kosovë.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për medie kishte prezantuar fazat lehtësuese dhe hapjen graduale të ekonomisë.

Ai kishte thënë se lehtësimi i masave është paraparë të bëhet në tri faza. E para do të nisë nga data 4 maj deri më 18 maj, faza e dytë do të jetë nga 18 maji, ndërsa faza e tretë nis nga 1 qershori deri në vendimin tjetër.

“Katër maji është dita kur do të fillojmë heqjen graduale drejt një realiteti të ri. Masat e reja do jenë në përputhje me normalitetin e ri”, kishte njoftuar Vitia.

Edhe ministrja në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari, kishte thënë se ekonomia do të hapet gradualisht.

“Synimi është që ta hapim ekonominë gradualisht, për shkak se jemi të vetëdijshëm se kemi humbje të mëdha ekonomike, duke filluar nga likuiditeti dhe humbja e kontratave të punëtorëve. Jam e vetëdijshme që shumë punëtorë kanë humbur vendet e punës në sektorin e gastronomisë, ndërtimtarisë, atë të tregtisë me pakicë që janë mbyllur. Tani jemi duke punuar edhe për pakon e dytë e fiskale. Jam shumë pozitive që për shumë humbje që kemi, kemi edhe shumë shpresë. Falënderojmë bizneset që kanë respektuar masat”, kishte thënë Hajdari, përcjell Telegrafi.

MEPTINIS kishte nxjerr urdhëresën për mbarëvajtjen e bizneseve gjatë periudhës së pandemisë, ku për ato biznese që kanë punuar ishte urdhëruar që të merren masat higjienike.

Po ashtu, ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi në një konferencë për media ka prezantuar Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike, vlera e së cilës pritet të jetë 1.26 miliardë euro.

Sipas Bislimit, fokusi kryesor i kësaj pakoje do të jetë mbështetja e secilit biznes me kredi, i cili gjatë kësaj periudhe pandemie ka pasur rënie të aktivitetit ekonomik.

Në kuadër të kësaj pakoje janë paraparë edhe 11 masa të cilat do të zbatohen gradualisht nëse kjo pako aprovohet nga Qeveria e Kosovës.
Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.

Aktualisht janë gjithsej 1,070 raste me COVID-19, me 841 të shëruar dhe 30 të vdekur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.