fbpx

Në Shqipëri të paktën 30 të vdekur nga tërmeti i djeshëm. Tërmeti sot goditi edhe Greqinë

Numri i viktimave të tërmetit të djeshëm në Shqipëri shkon në 30 e sipas disa mediave numri i të vdekurve është 31.  Në mesin e viktimave që shumica janë nga Thumana e Durrësi, ndodhet edhe dy vëllëzër nga Kosova, të dytë nga Gjilani.

Mbi 650 persona kanë pësuar lëndime të ndryshme trupore. Në spitalet e traumës ndodhen ende disa dhjetëra qytetarë, nga të cilët 8 janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Përmes një deklarate nga Spitali i Traumës, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka folur për gjendjen e të shtruarve.

Sipas Ministres Manastirliu, rreth 658 persona janë paraqitur në spitale për ndihmë (Tiranë, Durrës, Lezhë), ndërsa ajo tha se aktualisht vijojnë të jenë të shtruar 62 persona.

Përderisa Shqipëria vazhdon të ndjej lëkundjet pas tërmetit kryesor të 6.4 shkallëve që ndodhi pardje, sot në orët e paradites nga tërmeti prej 6 shkallësh u godit edhe Greqia. Mediat vendase raportojnë se tërmeti në Kretë ka qenë i magnitudës 6.1 të shkallës Rihter, në një thellësi prej 56 kilometra nën tokë. Valët sizmike u ndjenë deri në Shqipërinë e mesme, duke shkaktuar sërish panik tek banorët e Tiranës.

Dje ndërkaq, disa orë pas goditjes kryesore në Shqipëri  tërmet i fuqishëm u regjistrua edhe në Bosnjë e Hercegovinë.

Përderisa Shqipëria pësoi dëme të mëdha në njerëz e në ekonomi, për fat të mirë viktima e dëme nuk u raportuan as nga Bosnjë e Hercegovina e as nga Greqia.

Ndërkohë, në Shqipëri gjendja vazhdon të jetë e jashtëzakonshme. Rreth 500 shtetas të saj janë strehuar tek familjet nikoqire në Kosovë, kurse mijëra janë të vendosur në tendat e hapura në stadiumin e Durrësit.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një prononcim të tijin mes tjerash ka thënë se të prekurit nga tërmeti nuk është mirë të largohen shumë nga shtëpitë e tyre.

Shtetet fqinje të Shqipërisë por edhe shtete të Bashkimit Evropian po ofrojnë ndihma të të gjitha llojeve, që nga ndihma me ekipe shpëtimi, ekipe mjekësore etj. e deri tek ndihmat financiare.

Në shenjë të solidarizimit me dhimbjen për viktimat krerët e shteteve si ai i Greqisë dhe Macron i Francës dje i përcollën mesazhet e tyre në gjuhën shqipe. NATO-ja uli flamurin e Shqipërisë në gjysmë shtizë, Kurse Kosova ditën e sotme e shpalli ditë zie.

Edhe në këto çaste në Shqipëri vazhdojnë lëkundjet. Brenda 8 minutave toka shqiptare është lëkundur tre herë nga tërmetet. Lëkundjet janë ndier në zonën qendrore dhe perëndimore të vendit por paslëkundja e fundit ka patur një shkallë prej 3.9 rihter dhe për epiqendër ka patur Mamurrasin, 31 km larg Tiranës.

Tërmeti më i madh i regjistruar dje në Shqipëri sipas ekspertëve kishte rrezen prej 400 kilometrash. Atë e kishin ndjerë edhe banorët e shteteve fqinje. Poashtu sipas ekspertëve deri në këto çaste në këtë shtet janë ndjerë rreth 200 lëkundje të tokës. /infoglobi

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.