Në Klinikën Infektive janë të shtrirë 111 pacientë me Covid-19

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës aktualisht janë të shtrirë 111 raste me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Në raportimin ditor të kësaj klinike thuhet se “66 raste janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive”.

“Në repartin e Mjekimit Intensiv të kësaj klinike janë duke u trajtuar 6 raste, 2 raste janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe 4 raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respiratorë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se disa pacientë me Covid-19 janë të shtrirë edhe në objektin e Mjekësisë Sportive dhe në Klinikën e Pulmologjisë.

Kosova ka konfirmuar gjithsej 2,799 raste me koronavirus; prej tyre, 1,506 janë shëruar, ndërsa 50 kanë vdekur.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, porositi qytetarët të martën se bartja e maskave është obligative.
Zemaj tha se zbatimi i masave do të mbikëqyret nga inspektorët sanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës dhe inspektorët komunalë.

“Rekomandimet parandaluese për Covid-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi] të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës përfshijnë 22 masa të veçanta, që patjetër duhet të respektohen”, shkroi Zemaj në Facebook, për të shtuar se bartja e maskave “është obligative”.

Masat e tjera të veçanta përfshijnë: distancën fizike, dezinfektimin, ajrosjen e lokaleve, higjienën e të tjera.

Kosova, në ditët e fundit, ka regjistruar rritje të mprehtë të numrit të rasteve me koronavirus.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë të hënën se situata me koronavirus në Kosovë “është nën kontroll të brishtë”.

Ai ka paralajmëruar masa të reja dhe ka thënë se Kosova është në rrezik nga vala e dytë e koronavirusit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!