fbpx

Ndikimi i shikueshmërisë së programeve televizive tek fëmijët

 

Shkruan: Etleva Durmishi // InfoGlobi

 

Televizioni gjithmonë ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm tek fëmijët dhe sot cilësohet si një ndër mediat e vetme që, sipas studimeve, arrin të tërheqë fëmijët që prej periudhës para dy 2 vjeçare. Por cilat janë ato elemente që e bëjnë televizionin aq tërheqës për fëmijët?

 

Qëllimi kryesor i çdo programi që planifikohet për transmetim është tërheqja e vëmendjes së grupmoshave të ndryshme përkitazi me preferencat dhe nevojat e tyre. Kështu televizioni automatikisht kthehet në një nga mediat me ndikimin më të madh. Fëmijët që në muajt e parë pas lindjes tregojnë kurrështje për ngjyrat, format, figurat e ndryshme që transmetohen në emisionet për këtë moshë, të cilat sigurisht se përceptohen ndryshe me kalimin e kohës. Pastaj fëmijët e moshave më të rritura tregojnë interesim për ngjarjen e një filmi, rrjedhën e një ndeshjeje sportive etj. Sa më shumë preferenca që kanë fëmijët, aq më shumë do jenë të mbërthyer pas ekranit sepse pjesa më e madhe e modeleve që ata duan dalin nga ekrani. Aty fëmijët gjejnë pothuajse gjithmonë diçka për të parë. Me fjalë të tjera, kënaqësinë aty e kanë të garantuar dhe mund ta gjejnë në çdo kohë.

 

Por jo të gjithë fëmijët janë të predispozuar të mbërthehen pas ekranit në atë masë sa mund të kategorizohet si varësi. Këtu, në fakt, duhet përmendur rëndësia e karakterit fëmijës dhe (mos) kujdesi i treguar nga prindërit. Në vitet e hershme, të shumtën, të gjithë fëmijët kërkojnë t’u lejohet kënaqësia e të shikuarit të programeve televizive, disa të tjerë më pas mund të bëhen më pak të ekspozuar ndaj saj nëse janë natyrë më e mbyllur dhe s’ndjenjnë kënaqësi nga programet; shtuar këtu edhe rolin e prindërve, në anën tjetër, kur janë mjaftueshëm të kujdesshëm që t’i angazhojnë fëmijët e tyre më tepër në aktivitete edukativo-sportive jashtë shtëpisë. E kundërta, nëse fëmijëve nuk u është ofruar një numër mundësish për t’u argëtuar jashtë shtëpisë, atëherë ata do priren të shikojnë më tepër TV duke qëndruar në shtëpi, bëhen më pak socialë, krijojnë mbipeshë, krijojnë një përshtypje të gabuar mbi botën, imitojne modelin agresiv që mund t’u transmetohet në ndonjë program e që 2/3 e përmbajtjeve është aggressivmë me mungesë fokusimi, performancë të dobët në shkollë, dhe poashtu fillojnë t’i kushtojnë më shumë rëndësi më tepër reklamave të cilat, siç thonë studimet, i bëjnë fëmijët i mendojnë që kënaqësia më së shumti varet nga posedimet dhe lodrat e pafundme.

 

Cfarë masash duhet ndërmarrë që fëmijët të mos pësojnë në zhvillimin e tyre nga shikimi i tepërt i TV-së?

 

Sigurisht se pesha e këtij obligimi bie tërësisht mbi shpatullat e prindërve duke shtuar kujdesin ndaj fëmijëve gjatë kohës që shikojnë TV. Sipas Akademisë Amerikane të Pediatërve, rekomandohet që fëmijëve t’u lejohet vetëm 2 orë në ditë ekspozim para ekranit. Këtu s’duhet harruar edhe rëndësinë e jashtëzakonshme të sqarimit të përmbajtjes nga ana e prindërve në rast se diçka mund të kuptohet gabimisht nga fëmijët, e që këtej edhe të parandalojnë stereotipizimin e skajshëm të tyre si pasojë e materialeve që transmetohen. Poashtu rekomandohet se fëmijët nën moshën 2 vjeçare të mos u lejohet shikimi i TV-së sepse janë ende shumë të vegjël të kuptojnë atë që transmetohet, nuk kanë ende përfitim edukativ, dhe tërhiqen thjeshtë nga ndriçimi dhe lëvizjet e figurave në ekran. Fëmijët mësojnë dhe zhvillohen më tepër nga interaktimi real me njerëzit.

 

Në fund, duhet shtuar se televizioni ofron edhe anët e saj pozitive. Këtu numërojmë relaksin që ofron ndonjë program i këndshëm, mundësia për të parë programe educative për fëmijë, ofrimi i njohurive mbi kulturat e tjera, e madje konsiderohet si një ndër burimet kryesore kur formohet fjalori i fëmijëve prandaj duhet bërë shumë kujdes në përzgjedhjen e programeve. Varësia ndaj televizionit di të jetë edhe varësi e krijuar që në moshë në hershme, andaj duhet treguar kujdes mbi raportin që fëmija krijon që në muajt e parë të lindjes.