Ndikimi i ipad-ëve, iphone-ve dhe televizionit në zhvillimin e fëmijëve.

 

Shkruan: Etleva Durmishi

Fëmijët e kohës së sotme rriten në kushte krejtësisht të tjera nga ҫ’janë rritur fëmijët para vitit 2000, dhe duke qenë se janë të pakëta familjet ku nuk gjejmë së paku një iphone, ipad përveҫ televizorit, bëjnë që ata të jenë shumëfish më të ndikuar nga prezenca e këtyre pajisjeve dhe të nxisin interesin e studiuesve që të analizojnë ndikimin e elementeve teknologjike dhe mënyrën e ndikimit të tyre në zhvillimin psiqik të fëmijëve.

Të gjitha këto pajisje e kanë anën e tyre pozitive por edhe atë negative, e që di të jetë shumë e dëmshme për fëmijët. Fillojmë nga përparësitë e përdorimit të tyre. Interneti dhe telefonët sot ofrojnë aplikacione pafund të krijuara posaqërisht për fëmijë, adresa të veҫanta ku gjenden lojëra mjaft sfiduese dhe ushtrime të rëndësishme që ndihmojnë në mbajtjen e një truri aktiv. Krahasuar me programet televizive, interneti dhe pajisjet si iphone, ipad etj., kanë llojllojshmëri zgjedhjesh që nuk kufizohen nga skema programore e televizorit apo nuk varet nga ofertuesi i kabllorëve apo skemave të planifikuara. Përveҫ kësaj, përdorimi i këtyre pajisjeve ndihmon edhe në mësimin e gjuhës angleze në një moshë shumë të hershme dhe poashtu mund t’i pasurojë fëmijët me një numër të madh këngësh, përrallash etj.

Por ne kemi edhe anën negative të tyre që di pra, të jetë shumë e dëmshme për fëmijët. Animi nga mundësia e mbizotërimit të anës pozitive apo negative varet nga aftësia e prindërve për të ditur sa është mjaft për fëmijët e tyre, dhe sa duhet t’I kushtojnë rëndësi ambientit të jashtëm. Nëse ata dështojnë në këto dyja, atëherë problemet psikologjike mund të vërehen vetëm më vonë kur fëmija vjen duke u rritur. Është shumë e rëndësishmë që përdorimi i këtyrë pajisjeve të jetë I kufizuar sepse është kyҫe që fëmijët të ndërtojnë një komunikim të shëndoshë dhe stabil me njerëzit e tjerë përreth, gjë që përbën elementin kryesor që përcakton gjithë mirëqenien psikologjike të fëmijës në moshën e tij të rritur. Pastaj është poashtu shumë e rëndësishme që prindërit të kontrollojnë vazhdimisht përmbajtjen e lojërave dhe videove të ndryshme dhe të sigurohen që nuk ka elemente agresive në to, e që do u pamundësontë aftësinë e kontrollimit të emocioneve. Gjithashtu, koha e tepërt e kaluar në ipad, iphone dhe televizorë, kufizon shumë aftësinë e të folurit, pasurinë e fjalorit por edhe vëmendjen ndaj gjërave të tjera. Pra, me pak fjalë prindërit duhet të kontrollojnë kohën e fëmijëve, të sigurohen se në ato progame dhe lojëra ka mjaftueshëm elementeve edukative dhe të sigurohen se po mbizotëron përfshirja e fëmijëve në interaktim social dhe në ambiente të hapura, që janë elemente të pazëvendësueshme në zhvillimin e shëndoshë të tyre.

Një ndër arsyet e tjera se përse fëmijët e sotëm lidhen përnjëherë dhe fuqishëm me përdorimin e pajisjeve teknologjike është edhe modeli që ata marrin nga familjarët, përkatësisht imitimi i tyre në përdorimin e vazhdueshëm të telefonëve. Varësia ndaj internetit dhe televizorit është diagnozë me të cilën ballafaqohen pothuajse të gjithë të rriturit sot, e që bën të harrohet ndikimi që kjo sjellje mund të ketë në fëmijët përreth nesh. Këtu poashtu duhet bërë kujdës!

Dhe në fund, duhet theksuar se pasojat që fëmijët mund të kenë nga përdorimi i tepërt i tyre janë: pamundësia e kontrollit emocional, vëmendja e kufizuar, moskrijimi i një baze të shëndoshë interaktimi me njerëzit përreth, varfëria gjuhësore dhe komunikuese, agresivitet i theksuar në rast të përqëndrimit të lojëra të dhunshme, dhe përballje me pasojat jo të mira që sjell përqëndrimi i tepërt në ekranë për fëmijët nën moshën 2 vjeҫare.