Ballina / KOSOVA / Ndërroi jetë veprimtari Shaqir Berani

Ndërroi jetë veprimtari Shaqir Berani

Në moshën 80 vejçare ndërroi jetë Prof. Dr. Shaqir Berani, nga Klina e Epërme e Skenderajt, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare.

Prof. Berani ishte iniciatori për hapjen e shkollës së parë të mesme në Skenderaj, ku me shumë mund arriti ta hap, pavarësisht pengesave nga pushteti i atëhershëm.

Përveç punës shkencore ne Institutin Albanologjik në lëmin e gjuhësisë ku punoi deri në pension, ai dha kontribut të madh edhe në pajtimin e gjaqeve.

Varrimi i të ndjerit bëhet sot në vendlindjen e tij, në orën 14:00, (Klinë e Epërme e Skenderajt)./infoGLOBI/

Mbledhje Komemorative për veprimtarin e profesorin Shaqir Berani

(E plotesuar): 30 Nentor: Në Institutin Albanologjik në Prishtinë, është mbajtur mbledhja komemorative, në shenjë nderimi dhe përkujtimi për veprën dhe kontributin e prof.dr. Shaqir Beranit, tij për ruajtjen e vlerave kombëtare.

Veterani i arsimit dhe punonjësi shumë vjeçar i Institutit Albanologjik, Prof.dr. Berani ndërroi jetë në orët e hershme të mëngjezit të së martes në Prishtinë.

Në këtë mbledhje komemorative u tha se vdekja e prof. Beranit varfëron kulturën e gjuhës shqiptare.

Drejtori i Institutit Albanologjik të Kosovës, Hysen Matoshi deklaroi se kontributi i Beranit, për studimin e Gjuhës dhe kulturës Shqipe do të çmohet si njëra ndër prurjet më të rëndësishme për studimet albanologjike në Institutin ku udhëhiqet nga ai.

Për jetën dhe veprën e prof. Shaqir Beranit me një fjalim para të pranishmëve, shefi i degës së Gjuhësisë, Ragip Mulaku, theksoi se Berani në Institutin Albanologjik, ka kryer punë tejet me rendësi në studimin e gjuhës dhe kulturës së gjuhës shqiptare.

“Shaqir Berani ka rrjedhë nga një familje me tradita të larta patriotike dhe në personalitetin e tij ishin virtytet më të larta njerëzore. Ne kolegët e tij, e çmojmë dhe e vlerësojmë lartë për virtytet e larta njerëzore për bashkëpunimin e shkëlqyer kolegial. Edhe në momentet me të vështira ai ka qenë tejet optimist, por dinte të bëhej edhe i rreptë kur sulmohej shqipja standarde dhe kur degradohej kultura jonë gjuhësore nga diletantët antishkencor. Ai gjithnjë ka bërë përpjekje t’i mbronte këto vlera kombëtare”, ka thënë bashkëpunëtori shumë vjeçar i prof. Beranit.

Kurse, i biri i Shaqir Beranit, kompozitori i njohur në vend, Ilir Berani, u shpreh se kolegët dhe bashkëpunëtorët, babai i tij i çmonte lartë dhe Institutit nuk iu ndante duke punuar.

“E gjithë fëmijëria ime që më kujtohet, ka qenë zyra e babait ku punonte këtu në Institutin Albanologjik. Deri në orët e vona të natës punonte këtu. Babai ishte shumë liberal. Ishte demokrat. I tillë ishte edhe në familje. Na inkurajonte që secili t’i ndjekë ëndërrat e tij, nuk është përzier as në përzgjedhjen e profesioneve e as të angazhimeve tona. Vëllai im ka qenë pjesëtarë i UÇK-së, kurse mua më ka lënë ta ndjekë ëndrrën time për muzikë. Motra Evliana, në anën tjetër është gazetare. Të tretë merremi me profesione që nuk kanë lidhje me njëri tjetrën. Falë babait në familjen tonë demokracia ishte diçka që nënkuptohej, vkerësohej ”, ka thënë Ilir Berani.

Shaqir Berani u lind në Klinë të epërme të Drenicës ne vitin 1933. Shkollën Fillore e ka mbaruar në vendlindje, kurse Gjimnazin e ulët e përfundoi në Prizren. Në Prishtinë, ai kreu Shkollën Normale ne vitin 1955. Pastaj ai u regjistrua në Fakultetin Filozofik në degën Gjuhë dhe Letërsi shqipe. Për një kohë të shkurtër ishte drejtor i Gjimnazit në Skenderaj dhe më pas pushteti i atëhershëm serb, e largoi me dhunë nga puna. Pas kësaj, ka punuar në këshillin ekzekutiv të Kosovës, prej ku në saje të guximit të madh të akademik, prof.dr. Rexhep Qosës, atëbotë drejtor i Institutit Albanologjik të Kosovës, punoi si bashkëpunëtor dhe këshilltar i lartë shkencor në këtë Institut.

I ndjeri Shaqir Berani, la pas vete një varg veprash shkencore dhe të rëndësishme kushtuar studimit të gjuhës dhe kulturës shqipe. Ai pat magjistruar në vitin 1978 me temën “Tiparet fonetike të së folmes së Klinës dhe rrethinat e saj”, kurse ka doktoruar e me pas botoi edhe librin Gjuha e Josif Bagerit (1984). Nga punimet shquhet punimi “Opozicioni kuptimor i fonemave ç, q dhe xh, gj”

Gjatë punës së tij në In­sti­tut ka kryer detyra me rëndësi,  shef i Degës së Gjuhësisë; Sekretar shkencor i Insti­tu­tit Albanologjik, anëtar e kryeredaktor i revistës “Gjuha shqipe” dhe ka qenë nismëtar e the­melues i saj; ka qenë anëtar i revistës “Gjurmime albanologjike” Seria e shkencave filo­logjike.

Përkrah veprimtarëve tjerë si Anton Ceta, Shaqir Berani ishte ndër të parët që nisi aksionin për pajtimin e gjaqeve.

Jeta dhe vepra e tij, do të kujtohen përherë, u tha mes tjerash në mbledhjen komemorative të Institutit Albanologjik. /infoglobi/

 

 

Provo po ashtu

Albin Kurti bashkëbisedon live me qytetarët përmes Facebook-ut

Albin Kurti, lider i Vetëvendosjes, përmes një paraqitje në rrjetin social Facebook, ka thënë se …