instagram

Ndalohet reklamimi i cigareve elektronike në Instagram

Rrjeti social Instagram që është në pronësi të Facebook-ut, e ka ndaluar reklamimin e cigareve elektronike, prodhimeve të duhanit dhe armëve, nga ana e influencuesve.

Influencuesit në rrjetet sociale, janë individët që kanë numër të lartë të ndjekësve. Ndonjëherë numri i ndjekësve prek shifra milionëshe.

Kompanitë dhe bizneset në shumë raste kontraktojnë këta individë, për të reklamuar produktet e tyre në rrjetet sociale.

Megjithëse reklamat e duhanit janë ndaluar nga Facebook dhe Instagram, prodhuesit e cigareve elektronike përdorin influencuesit për të promovuar produktet e tyre, përmes targetimit ose postimeve që tregojnë se si i kanë pranuar si dhuratë këto produkte.

“Përmbajtja e postimeve që promovon produkte si cigaret elektronike, duhani dhe armët nuk do të lejohet”, njoftoi Instagram.

Sipas CNBC, kjo është hera e parë që Instagram po prezanton kufizime për produktet që mund të promovohen përmes targetimit.

Masa vjen pasi Autoriteti i Standardeve të Reklamimit në Mbretërinë e Bashkuar ndaloi kompanitë e duhanit, të promovojnë cigare elektronike në faqet e mediave sociale, pas hetimit të postimeve të tyre në Instagram.

“Është e domosdoshme që Facebook dhe Instagram jo vetëm të sjellin shpejt ndryshime në këtë politikë, por ato të zbatohen në mënyrë rigoroze”, tha Matthew Myers, president i fushatës “Fëmijët pa duhan”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.