NATO-ja, mbështetje për Turqinë

NATO-ja zhvilloi të marten një takim të pazakontë për të mbështetur Turqinë, presidenti i së cilës, Rexhep Tajip Erdogan, tha se forcat e tij vazhdojnë fushatën kundër militantëve të grupit Shteti Islamik dhe rebelëve kurdë në Irak. Takimi u thirr me kërkesën e Turqisë për të diskutuar mbi konfliktin në Siri dhe Irak.

Në një konferencë shtypi në Ankara zoti Erdogan tha se Turqia nuk do të sprapset asnjë hap në luftën e saj kundër terrorizmit.

“Ky është një proces dhe do të vazhdojë me të njëjtën vendosmëri”, tha zoti Erdogan.

Në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se NATO-ja qëndron në solidaritet të fuqishëm me Turqinë:

“Të gjithë aleatët shprehën mbështetjen e fortë për Turqinë. Ne qëndrojmë të gjithë së bashku në solidaritet me Turqinë. Të gjithë aleatët e dënuan terrorizmin në të gjitha format e tij,” tha zoti Stoltenberg.

Takimi i së martës u thirr me kërkesën e Turqisë për të diskutuar mbi konfliktin në Siri dhe Irak. Zoti Erdogan, i cili komentoi në kryeqytetin turk para nisjes për një vizitë të planifikuar në Kinë, shprehu besim se udhëheqësit e NATO-s do të marrin “masat e nevojshme” për t’iu kundërpërgjigjur krizës.

Ankaraja e kërkoi takimin në bazë të nenit 4 të traktatit themelues të NATO-s, i cili i lejon vendet të kërkojnë konsultime kur ata besojnë se integriteti territorial, siguria, apo pavarësia e tyre politike është e kërcënuar. Takimi i sotëm është i pesti i këtij lloji që nga themelimi i aleancës në vitin 1949.

Rregullat e NATO-s parashikojnë mbështetje reciproke nëse ndonjëri prej aleatëve sulmohet, megjithëse Turqia nuk ka kërkuar përdorimin e nenit 5 të Traktatit të Aleancës Veriore, i cili kërkon që vendet aleate të shqyrtojnë veprim ushtarak.

“Turqia nuk ka kërkuar ndonjë prani ushtarake shtesë në Turqi. Ajo që ne të gjithë dimë është se Turqia është një aleate e patundur dhe se forcat e saj të armatosura janë shumë të afta,” tha zoti Stoltenberg.

Shtetet e Bashkuara njoftuan dje se po punojnë me Turqinë lidhur me një plan të qartë mësymjeje për të spastruar kryengritësit e Shtetit Islamik nga Siria veriore, një fushatë që do ta shkallëzonte përfshirjen e Ankarasë në luftën kundër militantëve në rajon.

Një zyrtar amerikan u tha agjencive të lajmeve se qëllimi është për të krijuar një zonë pa praninë e Shtetit Islamik, për të “garantuar siguri më të madhe përgjatë kufirit të Turqisë me Sirinë.” Por zyrtari tha se operacioni i përbashkët ushtarak SHBA-Turqi nuk do të përfshijë vendosjen e një zone ndalim-fluturimesh në rajon, kërkesë për të cilën Turqia këmbëngul prej kohe.

SHBA shqetësohen se krijimi i një zone ndalim-fluturimesh për të penguar sulmet ajrore siriane në rajon do t’i tërhiqte forcat amerikane më thellë në luftën katër-vjeçare që po bëjnë disa grupe për të përmbysur presidentin sirian Bashar al-Asad.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.