Nasim Haradinaj do të paraqitet para Gjykatës Speciale të martën

Të martën do të jetë paraqitja e parë e nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Nasim Haradinaj, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Kështu ka bërë të ditur Gjykata Speciale përmes një njoftimi.

Nasim Haradinaj u arrestua më 25 shtator në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Bashkë me të, u arrestua edhe kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati.

“Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Paraqitja e parë e Nasim Haradinajt do të mbahet në seancë publike, e cila mund të përcillet përmes transmetimit në Internet”, thuhet në njoftim.

Arrestimi i tyre erdhi pasi nga zyrat e OVL të UÇK-së u shpërndan dosje të Speciales në lidhje me të akuzuarit dhe dëshmitarët, të cilat u dorëzuan nga persona të panjohur.

Sipas njoftimit, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit brenda mjediseve të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.