Mustafa: Nuk pranojmë gjithçka për t’i evituar zgjedhjet

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka diskutuar kandidatin për President të vendit, as brenda partisë e as me partitë e koalicionit. Kreu i partisë, Isa Mustafa, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se në momentin që imponohet situata kushtetuese për zgjedhje të Presidentit, kjo do të trajtohet në mënyrë komplekse. Ai thotë se LDK nuk do të bëjë asnjë veprim që mendon se nuk është i mirë për vendin, për të evituar zgjedhjet.

Çështja e zgjedhjes së Presidentit të vendit, është kthyer përsëri në temë diskutimi.

Kjo për shkak të publikimit të propozim aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj Presidentit aktual të vendit, Hashim Thaçi.

Megjithatë, i pari i LDK’së, Isa Mustafa, po thotë se kandidati për President nuk është diskutuar as me partitë e koalicionit e as me ato të opozitës.

“Në LDK nuk është biseduar për kandidatin për President të Kosovës. Nuk e kemi biseduar as me partitë e koalicionit qeverisës e as me ato të opozitës”, ka thënë Mustafa.

I pyetur se kush duhet të bëhet President i vendit, nëse ndaj Presidentit aktual, Hashim Thaçi, konfirmohet aktakuza nga Gjykata Speciale, Mustafa ka thënë se nëse imponohet situata kushtetuese për zgjedhje të Presidentit, kjo çështje do të trajtohet në mënyrë komplekse.

“Aktualisht Kosova e ka Presidentin me mandat kushtetues deri në prill të vitit të ardhshëm. Në momentin që imponohet situata kushtetuese për zgjedhje të Presidentit, kjo çështje do të trajtohet në mënyrë komplekse, sepse është komplekse”, ka deklaruar Mustafa për Express.

Sa i përket gatishmërisë për të shkuar në zgjedhje, Mustafa po thotë se LDK është e përkushtuar që vendit t’i ofrojë një qeverisje të mirë dhe të ndërgjegjshme.

“LDK do të punojë që vendit t’i ofrojë një qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme. Të kultivojë relacione korrekte dhe të mirëbesimit me partnerët e koalicionit dhe me opozitën”, ka thënë kreu i LDK’së.

Mustafa është shprehur se partia e tij nuk do ta bëjë asnjë veprim për të cilin mendon se nuk është i mirë për vendin, vetëm për t’i evituar zgjedhjet.

“LDK do të punojë me përkushtim të plotë për interesa të vendit, do të jetë e hapur dhe bashkëpunuese në këto rrethana shumë specifike, por po ashtu nuk do ta bëjë asnjë veprim, për të cilin mendon se nuk është i mirë për vendin, vetëm sa për të evituar zgjedhjet”, është shprehur Mustafa.

Ndërkohë, kreu i AAK’së Ramush Haradinaj ka bërë me dije se partia e ka autorizuar që të zhvillojë negociata për zgjerimin e koalicionit aktual. Po ashtu kreu i AAK ka bërë me dije se ka ambicie të jetë President dhe se për të kjo është  “përgjegjësi e lartë dhe nder i veçantë”

Por, Haradinaj është kujdesur të thotë në postimin e tij se do të donte ta pasonte Thaçin vetëm pasi ky  ta përfundonte mandatin e jo si pasojë e largimit nga gjykata Speciale.

“Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë” ka shkruar Haradinaj.

Ky pozicion i Haradinajt është bërë në kohën kur PDK po diskutohet se do të futet në Qeveri me ambicie po ashtu për postin e presidentit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.