Mustafa: Nuk do të kandidojë për kryeministër, taksa duhet të vazhdoj

Isa Mustafa, lider i rizgjedhur i LDK-së, ka thënë se nuk e ka ndërmend të jetë kandidat i kësaj partie për kryeministër dhe se partia do të zgjedhë një person që e “bën më së miri këtë punë, dhe natyrisht që ka përkrahjen e plotë të LDK-së dhe të qytetarëve”.

“Unë sigurisht do të bëj përpjekje që të gjejë një kandidat tjetër brenda LDK-së dhe vetë të mbaj timonin e LDK-së, por do të bëjmë përpjekje që bashkërisht të diskutojmë më Këshillin e Përgjithshëm, Këshilli vendos për atë çështje dhe unë tani jam i orientuar që në këtë pozitë të jetë një njeri që ta bëjë mirë këtë punë dhe ta ketë besimin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mustafa ka thënë se partia që ai udhëheq, dëshiron të shkojë e vetme në zgjedhje por ky qëndrim mund të ndryshojë dhe varet se si veprojnë partitë tjera.

Mustafa thotë se bisedimet me Serbinë duhet t’i udhëheqë kryeministri në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Taksa duhet të vazhdojë derisa Serbia të mos ndërrojë qëndrimet e veta dhe përderisa mos të reflektojë në të gjitha këto sjellje të bllokadës që po i bën Kosovës, edhe në njohjet ndërkombëtare, edhe ç’njohjet, por edhe në çështjet të themi të përditshme siç është lëvizja e lirë e qytetarëve, transportit të mallrave dhe çështjet tjera që ne i kemi diskutuar në Bruksel. Janë arritur marrëveshje por Serbia nuk po i zbaton”, thotë ai.

Mustafa u rizgjedh lider i LDK-së në Kuvendin e IX-të të partisë javën e shkuar./InfoGlobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.