Mustafa

Mustafa: Devollët po e dëmtojnë me 30 milionë euro vendin

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit ku Telekomi i Kosovës-Vala duhet t`i paguajë rreth 30 milionë euro “Devollit Group” apo “Z-Mobile” do të dëmtohet shumë prona publike për shkak të, siç tha ai, disa procedurave që as për të nuk janë të qarta sikurse edhe vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit.

“Kosova do ta paguaj një dëm të madh prej 30 milionë euro për shkak të disa procedurave që as për mua nuk janë të qarta e as vendimi Gjykatës së Arbitrazhit. Janë duke u zhvilluar procedura në drejtësinë kosovare për këtë, e që unë nuk mund të them se çfarë rezultat mund të marrim. Kosova dhe paraja publike do të humb rreth 30 milionë euro”, tha kryeministri në interpelancën e tij në Kuvend.

Ai tha ndër tjerash se Telekomi duhet të kujdeset për veprimet e tyre sikurse dhe bordi i kësaj kompanie publike që të sigurojnë mbrojtje adekuate në Arbitrazh sepse dikush siç tha ai, këtu do të përfitojë prej këtyre 30 milionë eurove. Kryeministri tha se do të kërkojnë përgjegjësi ligjore për shkak të një kontrate e cila duhet vlerësuar nëse ka qenë ose jo në rregull me Dardafonët dhe pse Telekomi ka pranuar një kontratë të tillë.

“Ndërsa unë mund të them se Qeveria s’do ta marr asnjë barrë të kësaj, sepse është posta  ajo e cila duhet të merr përgjegjësitë saj, por që prona publike do të dëmtohet me 30 milionë euro”, përfundoi ai.

“Duhet të ndodhë përgjegjësia penale dhe politike. […] Pse humbin 15 milionë për pasaporta, dhe pse 30 milionë nga telekomi”, ka thënë Mustafa në Kuvend, duke kërkuar që këto raste të hetohen deri në fund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.