Mushkolaj përkujton iniciativën: Jo me taksat tona

Kohë më parë u inicua mbledhja e nënshkrimeve nga një numër intelektualësh shqiptarë për ti thënë jo votimit të Projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

JO ME TAKSAT TONA” ishte motoja e kësaj iniciative të nënshkruar nga një numër intelektualësh kryesisht gazetarë.

Teksti i iniciativës është postuar pak para fillimit të seancës së Kuvendit nga analisti kosovar Imer Mushkolaj.

Ja Teksti dhe nënshkruesit:

Qeveria ka paralajmëruar se do ta miratojë një projektligj të ri, përmes së cilit mbrojtja juridike e të akuzuarve të gjykatës speciale do të ketë mbështetje financiare nga shteti.

Për më shumë, sipas Qeverisë, projektligji parasheh të ofrojë mbështetje financiare për personat që potencialisht do të akuzohen nga kjo gjykatë.

Ne, jemi absolutisht kundër kësaj mase të qeverisë dhe atë së paku për këto arsye:

1. Ne besojmë se lufta për çlirimin e Kosovës ka pasur qëllim fisnik e të drejtë, dhe si rrjedhojë ka qenë e pastër dhe legjitime. Krimet e supozuara të kenë ndodhur, janë krime të individëve, që i bie – jo të popullit dhe jo të Kosovës.

2. Gjykata Speciale do të funksionojë përmes Dhomave të Veçanta të sistemit tonë të drejtësisë, të cilat, falë marrëveshjeve ndërkombëtare me BE-në dhe ndryshimit të ligjeve tona, do të marrin karakterin e një tribunali ndërkombëtar, plotësisht të pavarur nga vet sistemi në të cilin operojnë. Fondet për funksionimin e kësaj gjykate do të jenë ato të Bashkimit Evropian. Kësisoj, është krejtësisht e natyrshme që të akuzuarve nga ky konstrukt ndërkombëtar t’iu ofrohet mbrojtja pa pagesë, si e drejtë e njeriut, pikërisht nga përkrahësit ndërkombëtarë të tij, dhe jo nga shteti ynë. Qeveria duhet të negociojë me BE-në për mbrojtjen e qytetarëve të saj të cilët mund të akuzohen nga Gjykata Speciale, krahas mbrojtjes që tanimë ekziston si mekanizëm brenda sistemit tonë të drejtësisë.

3. Për dallim prej betejave ligjore të Kosovës për shtetësi, siç ishte p.sh. procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku ishin në pyetje interesat kolektive të qytetarëve të Kosovës, Gjykata Speciale ka karakter penal, ku përgjegjësia dhe interesat janë individuale. Gjyq do u bëhet individëve, jo Kosovës, as të kaluarës së saj, pra as Ushtrisë Çlirimtare Të Kosovës. Nuk mund të arsyetohet shpenzimi i parasë publike për mbrojtjen e individëve në procese gjyqësore, ku ata individë janë të akuzuar për të kaluarën e tyre potencialisht kriminale. Për më tepër, dënimi ose jo i individëve të caktuar për këto vepra penale nuk shkon as në dëm e as në dobi të shtetit dhe shoqërisë kosovare.

4. Taksapaguesit e Kosovës nuk kanë dhe nuk duhet të ndjejnë përgjegjësi për të kaluarën e dyshimtë të disa bashkëqytetarëve të tyre. Taksat, në shoqërinë e rregulluar në republikë, jepen dhe mbledhen për të ofruar shërbime për qytetarët dhe jo domosdoshmerisht për të arsyetuar alibinë për mbrojtjen e trajektores mitike të narrativit historik.

5. Paratë e taksapaguesve nuk janë përdorur në procese të ngjashme gjyqësore kur ish-krerët e UÇK-së janë akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte. Nuk ka asnjë arsye që tash të krijohet precedent në këtë çështje. Për më shumë, precedentët e mëhershëm përmes organizimeve të ngritjes vullnetare të fondeve për mbrojtje ligjore mund të vihen në funksion edhe tash. Është krejt e natyrshme që qytetarët të bashkëndjejnë procesin me të akuzuarit potencialë dhe të dëshirojnë t’iu ndihmojnë atyre, por kjo mund të bëhet vetëm përmes donacioneve dhe jo me paratë e buxhetit të shtetit.

6. Taksat e qytetarëve duhet përdorur për të krijuar mirëqenie për ta, për të nxitur zhvillimin ekonomik, për të krijuar vende të reja pune. Përdorimi i buxhetit të shtetit për të siguruar mbrojtje ligjore të disa individëve, mbrojtje që pretendon të jetë e kushtueshme, e standardit botëror, nuk mund të shihet ndryshe pos favorizim i shtetit për një klase të caktuar të njerëzve. Ky favorizim është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet kushtetuese të trajtimit të barabartë të qytetarëve karshi ligjit dhe drejtësisë dhe krijon bazë për kontestimin e kushtetutshmërisë së ligjit në rast se ai miratohet.

7. Në këtë frymë, kërkojmë që kryeministri Isa Mustafa të mos e procedojë fare në Kuvend këtë projektligj, ose nëse megjithatë vendos ta bëjë këtë, kërkojmë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të njëjtin mos ta votojnë.

Të nënshkruarit:

1. Adriatik Kelmendi
2. Agon Vrenezi
3. Albert Heta
4. Arbana Xharra
5. Arben Ahmeti
6. Astrit Gashi
7. Bekim Blakaj – FDH Kosovë
8. Besa Luzha
9. Dastid Pallaska
10. Edona Tola – YIHR
11. Eroll Bilibani – DokuFest
12. Fisnik Korenica – GSJP
13. Hajrulla Ceku
14. Igballe Rogova
15. Ilir Ibrahimi
16. Imer Mushkolaj
17. Ismet Kryeziu – Instituti Demokratik i Kosovës
18. Krenar Gashi
19. Linda Gucia
20. Luan Shllaku
21. Lumir Abdixhiku
22. Nita Luci
23. Petrit Zogaj
24. Shenoll Muharremi
25. Valdete Idrizi
26. Veton Mujaj – Syri i Vizionit”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.