MPJD kundërshton qëndrimin e Ministrisë së Jashtme ruse

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kundërshton reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse mbi vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fillimin e vendosjes së masave graduale të reciprocitetit në raportet ndërshtetërore me Serbinë.

“Republika e Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, e vendosur për raporte të mira me të gjithë fqinjët e vet. Në këtë kontekst, edhe marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi parimin reciprocitetit, si e vetmja formë legjitime e ndërtimit të raporteve të barabarta ndërshtetërore. Masat reciproke të Kosovës janë vetëm pasqyrim i pengesave dhe barrierave të shumta që Serbia ka vendosur ndaj shtetit të Kosovës: thuhet në reagimin e MPJD-së.

Më tej thuhet se – Kosova ende nuk ka filluar të zbatojë gamën e gjerë të pengesave që Serbia aplikon ndaj Kosovës, duke i ofruar mundësi Serbisë të reflektojë dhe t’i heqë barrierat dhe pengesat ndaj Kosovës. Marrëdhëniet mes shteteve tona nuk mund të normalizohen në mënyrë të njëanshme, por duhet të pasqyrojnë vullnetin reciprok të të dyja palëve.

Kosova ka dëshmuar vullnetin e saj për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërkaq tani i mbetet Serbisë t’i heqë barrierat dhe ta ndalë agresionin diplomatik ndaj Kosovës.

Ky reagim I MPJD-së erdhi një ditë pasi që Ministria e Jashtme ruse e quajti gjest demagogjik vendimin e qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë dhe heqjen e tarifës 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina./ Infoglobi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.