MPJ i reagon Vuçiqit për masakrin e Reçakut

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq për mohimin e masakrës së Reçakut.

“Mohimi i Masakrës së Reçakut (15 janar 1999)  prej liderëve shterërorë serbë, në krye me presidentin  Aleksandër Vuçiq dhe Ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq, që të dy ish bashkëpunëtorë të ngushtë të Kasapit të Ballkanit, ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, nuk përbën asgjë as politike dhe as diplomatike, por është thjeshtë qasje fashiste e një shteti fqinj që nuk ka ndryshuar as pas 20 vjetësh”, thuhet në reagim.

Në luftën e Kosovës (1997-1999), forcat ushtarako policore serbe kanë vrarë mbi 13 mijë civilë shqiptarë, prej tyre 1133 fëmijë; kanë dhunuar rreth 20 mijë femra; kanë varrosur nëpër varreza masive në Serbi rreth 6000 trupa (disa qindra i kanë djegur në furra të shkrirjes së metaleve), me synim për të shlyer gjurmët e krimit; kanë djegur mbi 120 mijë shtëpi, kanë deportuar rreth një milion qytetarë dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur, para, ari dhe deri te traktorët dhe bagëtitë e buqjëve shqiptarë.

Për luftrat në ish-Jugosllavi, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për Krime Lufte ka dënuar Serbinë për gjenocid në Srebrenicë të Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa dhjetëra drejtues të saj, politikë, ushtarakë, policorë dhe paramilitarë, janë dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që kanë kryer në Kroaci dhe Kosovë. Lideri i këtyre kriminelëve, i njohur si Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, vdiq në Hagë derisa po gjykohej për krimet e kryera në Kosovë dhe njesitë tjera të federatës ish-jugosllave.

MPJ u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe ShBA-ve që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për ndaljen e gjuhës raciste.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës fton institucionet relevante të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos botën demokratike – Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ushtrojnë presion ndaj liderëve institucionalë të Serbisë për ndaljen e gjuhës së urrejtjes racore dhe mohimin e krimeve të dëshmuara edhe nga Gjykata për Krime Lufte e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sepse gjuha aktuale e tyre pamundëson ndërtimin e raporteve të mira ndërfqinjësore, dhe si rrjedhojë rrezikon edhe paqen dhe sigurinë e kësaj pjese të Evropës”, thuhet në reagimin e MPJ-së

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!