Ballina / BOTA / Moska dënoi aktorin rus Pavel Ustinov me 3 vjet e gjysmë burg

Moska dënoi aktorin rus Pavel Ustinov me 3 vjet e gjysmë burg

Një gjykatë në Moskë dënoi të hënën aktorin rus Pavel Ustinov me 3 vjet e gjysmë burg nën akuzën e përdorimit të dhunës ndaj një polici gjatë një proteste të paligjshme që u mbajt muajin e kaluar. Zoti Ustinov i mohon akuzat dhe thotë se ai nuk ishte pjesëmarrës në protestë. Masa për dënimin e tij përbën aktin më të fundit në një seri dënimesh të ashpra ndaj protestuesve të arrestuar gjatë demostratave.

Aktori rus 23-vjeçar Peter Ustinov u dënua për përdorim dhune ndaj një polici duke i shkaktuar atij zhvendosjen e shpatullës gjatë një tubimi në Moskë. Por zoti Ustinov i mohon akuzat dhe thotë se ai ndodhej në tubim rastësisht. Pamjet filmike të arrestimit të tij u bënë virale në mediat sociale.

“Bazuar në këto pamje filmike që i janë bashkëngjitur dosjes së çështjes së klientit tim, duket qartë se askush nuk po vuan nga ndonjë dhimbje dhe nuk shihet që dikujt t’i jetë zhvendosur shpatulla. Duart e të gjithëve funksionojnë. Janë oficerët e policisë ata që po rrahin klientin tim. Kjo është plotësisht absurde”, thotë Dmitry Cheshkov, avokati i zotit Ustinov.

Peter Ustinov është personi i gjashtë që dënohet pas arrestimeve gjatë protestave që u nxitën nga kërkesat për përfshirje të kandidatëve të opozitës në zgjedhjet për qytetin e Moskës që u mbajtën më 8 shtator.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se të gjithë janë të mirëpritur të protestojnë, por vetëm në protesta të ligjshme.

“Besoj se ata kanë të drejtë të protestojnë. Ndonjëherë kjo çon në një rezultat pozitiv, sepse shkund autoritetet”, tha ai.

Por autoritetet e Moskës i patën refuzuar lejet për shumicën e protestave që u paraprinë zgjedhjeve. Pavarësisht kësaj, drejtuesit e opozitës u kërkuan njerëzve që që të dilnin e të protestonin. Gjatë javëve të tëra protestash përpara procesit të votimit, policia ndaloi për një kohë të shkurtër të paktën 2,000 vetë. Udhëheqësi i njohur i opozitës Alexei Navalny u mbajt në burg për një muaj. Policia gjithashtu bastisi 43 zyra të tij në të gjithë Rusinë. Kreu i zyrës së Navalnit në qytetin e Novosibirsk-ut përdori një dron për të larguar dokumente të rëndësishme jashtë vendit pak përpara bastisjes.

“Përshëndetje miq! Ky është një dron me disqe shumë të rëndësishme. Në të ndodhen të gjitha të dhënat e vlefshme. Pse po e nisim mund të pyesni ju…. kjo sepse policia po kryen kontroll në shtëpinë time”, tha Sergey Boyko, shef i zyrës së Navalny-t në Novosibirsk.

Në dy raste tjera që bënë jehonë, programuesit Konstantin Kotov iu dha një dënim me katër vjet burg për pjesëmarrje në mitingje paqësore ndërsa blogeri Vladislav Sinitsa u dënua me pesë vjet burg për një postim në twitter.

Komisionerja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet shprehu shqetësimin e saj lidhur me veprimet e policisë përpara dhe gjatë zgjedhjeve në Moskë.

“Mbështes thirrjet e Këshillit Presidencial për të Drejtat e Njeriut për hetime në lidhje me pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia. U bëj thirrje autoriteteve të mbështesin lirinë e shprehjes, të drejtën për grumbullime paqësore si dhe për pjesëmarrje në punët publike”, shtoi ajo.

Vala e fundit e protestave u nxit nga refuzimi i autoriteteve që administrojnë zgjedhjet për të lejuar mbështetësit e udhëheqësit të opozitës Alexei Navalny për të kandiduar në zgjedhjet e 8 shtatorit në Moskë.

Provo po ashtu

Barnier për Brexitin: Ekziston një “linjë e hollë” për arritje të marrëveshjes në samitin e BE-së

Ekziston një “linjë e hollë” për të arritur marrëveshje për largimin e Britanisë nga Bashkimi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.