Momentet pikante të futbollit shqiptar në 2016

Goli i Armando Sadikut në Lyon ishte momenti më kulmor për futbollin shqiptar në 2016, që përjetoi vitin e tij më të bukur dhe më të paharrueshëm.

Jo vetëm sepse na dhuroi një fitore në një kompeticion të rëndësishëm, por mbi të gjitha sepse ishte çasti që ndryshoi njëherë e përgjithmonë imazhin e një skuadre të vogël, ndërsa ai Evropian në tërësi ndryshoi plotësisht imazhin për Shqipërinë, si vend, në sytë e të tjerëve. Përgjatë ditëve të Qershorit të 2016-tës, Shqipëria arriti të rrëmbejë një vëmendje të jashtëzakonshme mediatike, falë një loje, pas së cilës kemi qenë gjithmonë të dashuruar por asnjëherë nuk kishim arritur në një finish kaq të rëndësishëm. Nëse goli i Sadikut ishte një shpërthim i pastër gëzimi, largimi i kapitenit Lorik Cana nga Kombëtarja ishte një tjetër moment kulmor, dhe pse i dhimbshëm. Numri 5 i fanellës kuqezi i dha fund aventurës së tij pikërisht pas Europianit pas plot 13 vjetësh pasioni dhe besimi, se Shqipëria mund të arrinte dicka të madhe.

2016-ta solli gjithashtu për shqiptarët edhe pavarësinë futbollistike të Kosovës, që u njoh zyrtarisht në UEFA dhe FIFA. Për herë të parë, Kosova luajti dhe ndeshjen e saj të parë zyrtare për eliminatoret e Botërorit Rusi 2018, ku barazoi 1-1 në Finlandë. Kjo është pika e vetme deri tani, pasi në tri ndeshjet pasuese me Kroacinë, Ukrainën e Turqinë pësoi humbje, por për një përfaqësuese të re fillimi nuk është asnjëherë i thjeshtë.
Ndërkohë, skuadra e Vala Superligës, kampioni Feronikeli dhe fituesi i Kupës, Prishtina, nuk arritën të dalin në Evropë për fajin e tyre, pasi nuk arritën t’i plotësojnë kriteret e UEFA-s, por gjithsesi këtë fundvit morën shpërblimin financiar nga UEFA. Në Evropë, Partizani ishte skuadra që eci më larg nga klubet e Superligës së Shqipërisë duke arritur deri në fazën e play-off të Europa League, por penalltitë e pritura nga Alban Hoxha në Hungari përballë Ferencvaros ishin padyshim një moment i paharrueshëm. Një tjetër skuadër shqiptare që ndezi një shkëndijë në këtë 2016-të ishte Shkëndija e Tetovës, që gjithashtu pati një verë të mrekullueshme duke arritur edhe ajo vetë në play-off të Europa League duke na dhuruar të tjera emocione në këtë vit që padyshim ka qenë më i bukuri për futbollin shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.