Miratohet metodologjia e re e zgjerimit të BE-së

Kolegji i Komisionit Evropian miratoi të mërkurën metodologjinë e re të procesit të anëtarësimit në BE, qëllim i së cilës është rivendosja e perspektivës së besueshme evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, tha komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi.

Në konferencën për gazetarë në Bruksel, Varhelyi tha se vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet ta miratojnë metodologjinë e re para Samitit BE-Ballkani Perëndimor – që do të mbahet në muajin maj në Zagreb – dhe paralelisht me fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Varhelyi tha se metodologjia e re bazohet në katër parime themelore të besueshmërisë, udhëheqjes më të fortë politike, dinamikës dhe parashikueshmërisë.

“Këto janë parimet me të cilat duam të sigurojmë se procesi do të jetë më i besueshëm, më dinamik dhe i udhëhequr më shumë nga politika”, tha Varhelyi.

Më herët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Komisioni ka propozuar “plan të besueshëm dhe dinamik, i cili ia hap rrugën nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

“Lajm i mirë për miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor në lidhje me procesin e zgjerimit të BE-së”, shkroi von der Layen në Twitter.

Çfarë parasheh metodologjia e re?

Sipas dokumentit, metodologjia e re e bën të mundur pezullimin ose kthimin në fillim të bisedimeve të pranimit, në rastet kur vendet kandidate nuk përparojnë në asnjë fushë. Me këtë metodologji, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të kenë më shumë fuqi për të iniciuar pezullimin e negociatave të pranimit.

Kjo metodologji nuk do të zbatohet për Serbinë dhe Malin e Zi – dy vende që tashmë i kanë nisur negociatat e anëtarësimit – por mbetet e hapur mundësia që edhe ato të përfshihen në qasjen e re nëse pranojnë.

“Derisa përparimi në reforma duhet të inkurajohet dhe të shpërblehet në mënyrë më të prekshme, njësoj nevojitet të ketë edhe masa më vendimtare që do të sanksiononin çdo stagnim serioz ose afatgjatë ose ngecjen në zbatimin e reformave dhe plotësimin e kërkesave të procesit të pranimit”, thuhet në dokument.

Metodologjia e re është iniciuar nga Franca, vitin e kaluar.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bllokuar nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar reforma të mëtejshme nga këto dy vende, por edhe reformim të vetë procesit të zgjerimit të BE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.