Ballina / KOSOVA / Ministrat me aktakuzë, shembull i dobët i zbatimit të ligjit
qeveria

Ministrat me aktakuzë, shembull i dobët i zbatimit të ligjit

Përballja e ministrave në Qeverinë e Kosovës me aktakuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe korrupsion, nga shoqëria civile po konsiderohet si një prej dëshmive më të këqija të qeverisjes.

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe deputetë nga radhët e opozitës thonë se ministrat e akuzuar duhet të largohen nga pozitat e tyre, pasi që nuk mund të ketë qeverisje të mirë nga personat që janë të përfshirë në afera korruptive.

Ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekajt, i cili aktualisht është ministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, i është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Paraprakisht, një aktakuzë në lidhje me rastin e njohur si “Pronto” është ngritur edhe kundër ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj.

Asnjëri prej tyre nuk ka aktakuzë për punën si ministër aktual, por sidoqoftë, procedurat aktuale shihen si pengesë për ta në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive si ministra.

Në Kosovë janë edhe një numër i personave të tjerë që mbajnë pozita zyrtare e të cilat janë të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Edhe në të kaluarën në Kosovë pati pasur padi ndaj një ministri dhe një sekretari të përgjithshëm në një Ministri. Por, që në atë kohë menjëherë pas aktakuzës, ministri Ferid Agani pati dhënë dorëheqje.

Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se në asnjë formë njerëzit që janë të akuzuar për vepra penale nuk mund të japin një shembull të mirë të zbatimit të ligjit në institucione ku janë udhëheqës.

“Fakti i ngritjes së aktakuzave tashmë është shndërruar në dukuri në qeverisjen e Kosovës, tash më shumë kemi ministra me aktakuzë sesa që kemi femra që janë të përfaqësuar si ministre në Qeveri. Kjo është një prej dëshmive dhe mesazheve më të këqija të qeverisjes, sepse qeverisja e mirë nuk mund të vijë nga personat që kanë aktakuza, prandaj të njëjtit do të duhet të reflektonin për të dhënë dorëheqje për të dhënë mesazhe nëse duan të kenë qeverisje të mirë”, thotë Musliu.

Musliu shton po ashtu se edhe Prokuroria shpesh ngritë aktakuza për të krijuar një imazh se po luftohet korrupsioni.

“Pra kjo është një ndërlidhje e vet sistemit të drejtësisë, i cili është i ndikuar të ngrejë aktakuza vetëm atëherë kur ka mesazhe nga ana e politikës”, thotë Musliu.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i pyetur për rastin e ministrave për të cilët janë ngritur aktakuzë tha se është e hershme marrja e ndonjë vendimi të Qeverisë së Kosovës për këta ministra.

“Ajo që është një tregues i interesant është fakti që askush sot nuk po mund të i ikë ligjit. Vet shpallja e aktakuzave ndaj kujtdo qoftë, po dëshmon një nivel tjetër të gjendjes në rend dhe ligj, mirëpo edhe veprimet në rast të shpalljes së aktakuzës janë bazuar në ligj. Një gjykatë e cila nuk e ka shqyrtuar atë aktakuzë është e hershme marrja e vendimit tonë lidhur me këtë”, thotë Haradinaj.

Të zëshëm ndërkaq janë deputetët e opozitës. Deputeti Lumir Abdixhiku nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës përmes rrjetit social Facebook ka komentuar deklaratën e kryeministrit Haradinaj.

Ai ka shkruar se niveli përfaqësues në institucionet e vendit nuk ka qenë kurrë më i ulët se kaq.

“Me aktakuzë për kapje e korrupsion janë 3 ministra të Qeverisë, një deputet dhe një këshilltar i Kryetarit të Kuvendit. Deri më tani asnjë dorëheqje, asnjë shkarkim, asnjë përgjegjësi. Krimi trajtohet si krejt i zakonshëm. Udhëhiqemi nga njerëz që gojën e kanë plot me fjalë për drejtësi, por rreth vete mbajnë njerëz me aktakuzë për krim e ndikim parapolitik. Niveli përfaqësues i yni s’ka qenë kurrë më i ulët se kaq”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

@Fluidi

Provo po ashtu

aak anetaret

AAK i kërkon Thaçit që të mos shkohet në dialog pa u heq vizat

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë dorëzuar sot projektrezolutën përmes së cilës kërkuan …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.