vrasje_infoglobi

Merret vendimi për të akuzuarit e vrasjes në “Albi Mall”

Gjykata Themelore në Prishtinë sot shpalli vendimin ndaj të akuzuarve në lidhje me vrasjen në “Albi Mall” në vitin 2015.

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi sot tre të akuzuarit për vjedhje grabitqare në “Albi Mall”, që rezultoi me vrasjen e Nazmi Ramadanit, në fund të marsit të vitit 2015.

U dënua edhe i akuzuari i katërt për ndihmë në kryerjen e vjedhjes që përfundoi me vrasje.

Gjykata dënoi Leutrim Sadikun me dënim unik 20 vjet e 6 muaj burg, Liridon Bekën me 17 vjet e 6 muaj burg, Shpëtim Cakollin me 15 vjet burg dhe Anduan Rexhepin me 4 vjet e 6 muaj burg.

Të katërve do t’u llogaritet në dënim edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

Nën këtë masë sigurie Shpëtim Cakolli qëndroi nga 8 prilli i vitit 2015, Liridon Beka e Leutrim Sadiku nga 10 prilli i 2015-ës, ndërsa Ajduan Rexhepi nga 4 prilli i atij viti.

Gjithashtu, gjykata vendosi të konfiskohet arma me numër Ev1341927 si mjet me të cilin është kryer vepra penale, ndërsa vetura BMW X5 iu kthye pronarit.

Sipas aktakuzës, Shpëtim Cakolli, Liridon Beka, Leutrim Sadiku akuzoheshin për vjedhje grabitqare në lokalin “Don Café”, në “Albi Mall”, e cila rezultoi me një përleshje ku mbeti i vrarë Nazmi Ramadani.

I akuzuari i katërt, Anduan Rexhepi, sipas Prokurorisë, ishte në rolin e shoferit dhe akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në momentin kur grupi kishte arritur në katin e tretë të qendrës tregtare dhe e kishin zbuluar arkën ku mbahej pazari ditor, roja, tani i ndjerë, i kishte vërejtur dhe kishte filluar një përleshje me ta.

Në konfrontim e sipër, sipas Prokurorisë, njëri nga të akuzuarit kishte shtënë katër herë në të ndjerin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.