Merkel në Aushvic – një minutë heshtje: Ndihem thellësisht e turpëruar nga krimet gjermane

Pas 14 vitesh në pushtet, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka vizituar të premten për herë të parë ish-kampin nazist në Aushvic. Ajo është është kancelarja e tretë gjermane që vizitoi ish-kampin në Poloni.

Merkel mbajti një minutë heshtje në “Murin e Vdekjes”, vendin ku mijëra të burgosur të kampit u qëlluan për vdekje. Pasi vendosi kurora lulesh në ish- kampin e afërt Birkenau – Merkel tha se ndjen “turp të madh” ndaj mizorive gjermane të kryera në kampin e vdekjes në Aushvic, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Ndihem thellësisht e turpëruar nga krimet barbare të kryera këtu nga gjermanët. Këto ishin krime që shkuan përtej asaj që mund të imagjinohet”, Merkel.

Merkel theksoi nevojën për të kujtuar atë që ka ndodhur në Aushvic, edhe pse, siç tha, tmerri i këtij krimi e lë atë pa fjalë.

“Por, heshtja nuk është përgjigje”, tha Merkel, duke nënvizuar gjithashtu nevojën për të kujtuar se gjermanët ishin fajtorë dhe se është e rëndësishme që autorët të identifikohet qartë.

“Ne ia kemi borxh këtë viktimave dhe vetvetes”, tha Merkel.

Ajo gjithashtu tha se nuk do të ketë tolerancë ndaj antisemitizmit në Gjermani dhe Evropë, duke bërë thirrje për luftimin e antisemitizmit kudo.

Në prag të udhëtimit të saj, Merkel tha se “lufta kundër anti-semitizmit dhe kundër të gjitha formave të urrejtjes” ishte përparësi për qeverinë e saj.

65-vjeçarja premtoi gjithashtu “vendosmëri” nga qeveria për të mundësuar që jeta e hebrenjëve të lulëzonte në Gjermani.

“Vizita është një sinjal veçanërisht i rëndësishëm i vëmendjes dhe solidaritetit, në një kohë kur të mbijetuarit e Aushvicit janë viktima të fyerjeve anti-semitike dhe postimeve në rrjete sociale të cilat janë të mbushura me urrejtje”, tha Christoph Heubner, nënkryetar i Komitetit Ndërkombëtar të Aushvicit.

Përpara udhëtimit të Merkelit në Poloni, Gjermania miratoi një donacion prej 60 milionë eurosh për Fondacionin Aushvic-Birkenau.

Merkel u shoqërua nga kryeministri polak, Mateusz Morawiecki dhe një i mbijetuar i kampit.

Josef Schuster, kreu i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani dhe Ronald Lauder, kreu i Kongresit Botëror të Hebrenjve, gjithashtu morën pjesë në këtë vizitë.

Një milion hebrenjë u vranë në Aushvic-Birkenau, së bashku me 100,000 polakë jo-hebrenj, robër të luftës nga ish-Bashkimi Sovjetik, romë dhe luftëtarë tjerë anti-nazistë.

Merkel e ka quajtur Holokaustin një “ndarje me civilizimin” dhe ka shprehur shqetësimin për ngritjen e anti-semitizmit në Gjermani.

Vizita e Merkelit bëhet në një kohë kur Gjermania po shënon një ringjallje të antisemitizmit dhe rritje të elementeve të krahut të djathtë.

Udhëtimi i saj është jashtëzakonisht simbolik, pasi  u bë para shënimit të 75 vjetorit të çlirimit të këtij kampi nga trupat sovjetike më 27 janar 1945.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!